Bismilah...

 

Autor: Muhammed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)

Burimi: Sherhu Kitab el-Fiten ue el-Ahkam min Sahih el-Bukharij, 5b, minuta 02:22

 

Hadithi:

Transmetohet nga Abdullah bin Umer, radijAllahu anhuma, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Çdonjëri nga ju është kujdestar dhe çdonjëri nga ju është përgjegjës për atë që është nën kujdesin e tij. Udhëheqësi që është në krye të popullit është kujdestar dhe ai ka përgjegjësi për popullin e tij. Burri është kujdestar për njerëzit e shtëpisë së tij dhe ai do të merret në pyetje për ata që i ka nën kujdesin e tij. Gruaja është kujdestare për njerëzit e shtëpisë së burrit të saj, për fëmijën e tij dhe ajo është përgjegjëse për ta. Robi i një njeriu është kujdestar për pasurinë e zotëriut të tij, kurse zotëriu është përgjegjës për të. Çdonjëri nga ju është kujdestar dhe çdonjëri është përgjegjës për atë që është nën kujdesin e tij.” (Bukhariu, 7138)

أَلاَ كُلُّكُمْ رَاعٍ، وَكُلُّكُمْ مَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ، فَالإِمَامُ الَّذِي عَلَى النَّاسِ رَاعٍ وَهْوَ مَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ، وَالرَّجُلُ رَاعٍ عَلَى أَهْلِ بَيْتِهِ وَهْوَ مَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ، وَالْمَرْأَةُ رَاعِيَةٌ عَلَى أَهْلِ بَيْتِ زَوْجِهَا وَوَلَدِهِ وَهِيَ مَسْئُولَةٌ عَنْهُمْ، وَعَبْدُ الرَّجُلِ رَاعٍ عَلَى مَالِ سَيِّدِهِ وَهْوَ مَسْئُولٌ عَنْهُ، أَلاَ فَكُلُّكُمْ رَاعٍ وَكُلُّكُمْ مَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ

___________________

Shpjegimi i Shejkh Uthejminit, Allahu e mëshiroftë:

Ai e përsëriti dy herë këtë fjali duke i vënë theks të veçantë, se çdo njëri prej nesh është kujdestar për atë që e ka nën kujdesin e tij, madje njeriu është kujdestar i vetvetes dhe përgjegjës për kujdestarinë e vetes së tij. Njeriu është përgjegjës për rininë e tij se si e ka kaluar? Me çfarë e ke kaluar rininë tënde? Kështu që, ti je përgjegjës për veten tënde, sepse ti je kujdestari i vetes. Çdo njeri është kujdestar dhe përgjegjës për atë që është nën kujdesin e tij.

Njeriu që ka përgjegjësinë më të madhe është udhëheqësi, e që është kryetari i shtetit. Ky është njeriu që ka përgjegjësi më të madhe. Kryetari i shtetit nuk do të pyetet vetëm për njerëzit e tij që janë nën udhëheqësinë e tij apo pallatin e tij, porse do të përgjigjet për çdo individ të popullit. Madje, Prijësi i Besimtarëve (Umeri, radijAllahu anhu)  ka thënë: “Nëse ngordh një qengj në lumin Dexhle apo në lumin Eufrat, Umeri do të jetë përgjegjës për këtë.” Është përgjegjës edhe për të voglin e bagëtive.

Pra, udhëheqësi i shtetit ka përgjegjësi shumë të madhe. E vërteta është ashtu siç kanë thënë disa njerëz: “Udhëhqësia e shtetit nuk është nder dhe fisnikëri, porse është barrë e rëndë dhe vështirësi.”

Sidomos në kohën tonë, ku janë shtuar trazirat, padrejtësitë dhe trysnitë. Prandaj edhe përgjegjësia është shumë e madhe.

Ai po ashtu thotë: “Burri është kujdestar për njerëzit e shtëpisë së tij dhe gruaja është kujdestare për njerëzit e shtëpisë së burrit të saj.” Pra, çdo njëri nga ata dy është përgjegjës.

Kjo pjesë e hadithit mund të duket kontradiktore. Si mundet që burri të jetë përgjegjës për njerëzit e shtëpisë së tij dhe të njëjtën kohë edhe gruaja të jetë përgjegjëse për njerëzit e shtëpisë te burri i saj!?

Ne themi: Po! Burri është kujdestar për njerëzit e shtëpisë së tij dhe gruaja është kujdestare për njerëzit e shtëpisë së burrit të saj, porse dallon kujdestaria. Gruaja është kujdestare për gjërat që kanë të bëjmë me shtëpinë dhe punët e shtëpisë, kurse burri është kujdestar për gjërat e tjera.

Kujdestaria kryesore është e burrit, për arsye se Allahu i Lartësuar ka thënë:

ٱلرِّجَالُ قَوَّٰمُونَ عَلَى ٱلنِّسَآءِ بِمَا فَضَّلَ ٱللَّهُ بَعْضَهُمْ عَلَىٰ بَعْضٍ

“Burrat janë kujdestarët e grave për shkak të gradës që Allahu u ka dhënë disave (burrave) mbi disa të tjerë (grave).” En-Nisa, 34

Pra, nëse gruaja s’ka aftësi që të kujdeset për ndonjë punë në shtëpinë e saj, atëherë burri është përgjegjës për atë punë nëse informohet për të.

Këndvështrimi i hadithit është se çdo njeri është përgjegjës për t’u kujdesur për atë që ka mundësi të kujdeset.

 

Përktheu: Jeton Shasivari