Transmetohet nga Sehël bin Sad, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ditën e Kijametit njerëzit do të ringjallen në një tokë të bardhë e të kuqërremtë si kulaçi i pastër dhe mbi tokë nuk ka shenja për asnjë.” Transmetojnë Bukhariu (6521) dhe Muslimi (2790)
عَنْ سَهْلِ بْنِ سَعْدٍ، قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم " يُحْشَرُ النَّاسُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ عَلَى أَرْضٍ بَيْضَاءَ عَفْرَاءَ كَقُرْصَةِ النَّقِيِّ لَيْسَ فِيهَا عَلَمٌ لأَحَدٍ " .
______________
💠 Muhamed Alij Adem el-Ethjubij, Allahu e mëshiroftë, në shpjegimin e këtij hadithi, thotë:
🔷 Neueuiju ka thënë: “Fjala ku thotë ‘...mbi tokë nuk ka shenja për asnjë.’ Do të thotë se nuk ka shenja të ndërtimit dhe banimit mbi tokë.”
🔷 Ijadi ka thënë: “Ajo që është për qëllim është se nuk ka shenja të banimit dhe ndërtimit, nuk ka shtëpi, gjurmë dhe nuk ka asnjë shenjë që të mund të orientohesh në rrugë, siç: rrugë, shkëmbinj dhe begati të kësaj të bote dhe se çdo gjë që ka qenë mbi tokë është zhdukur dhe është shkëputur çdo lidhje e këtyre begative me dunjanë.”
Dobitë e këtij hadithi:
1. Në këtë hadith ka argument për fuqinë e madhe të Allahut dhe hadithi sjell lajme për disa fragmente nga Dita e Gjykimit, me qëllim që ai i cili dëgjon këto hadithe të jetë në dijeni të plotë, kështu të rehatojë veten e tij nga tmerri i asaj dite. Sepse nëse je në dijeni për disa fragmente të një gjëje përpara se të ndodhë ajo, atëherë kjo është njëfarë kalitje e shpirtit dhe ke njëfarë ideje se si do të jetë përfundimi i saj, gjë që është e kundërta kur gjërat të vijnë krejt papritmas.
2. Në këtë hadith tregohet se toka e vendqëndrimit të njerëzve në Ditën e Llogarisë, do të jetë shumë më e madhe se kjo tokë që është sot.
3. Urtësia që është përmendur në këtë hadith për formën e tokës, është se ajo ditë është ditë e drejtësisë dhe mbizotërimit të së vërtetës. Është urtësi e Allahut që vendi ku njerëzit do të merren në llogari, të jetë i pastër nga mëkatet dhe padrejtësisë dhe që kur Allahu t’u shfaqet robërve të Tij besimtarë në tokë, kjo t’i shkojë përshtat Madhërisë së Tij dhe gjykimi në atë ditë do t’i takojë vetëm Allahut dhe askujt tjetër. Kështu, edhe vendi është në përputhje dhe harmoni vetëm për Allahun.
4. Këtu tregohet se toka e dunjasë do të tretet dhe do të zhduket, dhe se toka e qëndrimit të njerëzve do të ripërtërihet. Allahu e di më së miri. [1] Fet’hul-Barij, 17/15
Burimi: El-Bahru el-Muhitu eth-Thexhaxh fi Sherhi Sahih el-Imam Muslim bin Haxhaxh, vëll. 43, fq. 342- 345
💠 Shejkh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Fjala e tij ﷺ ‘...mbi tokë nuk ka shenja për asnjë.’ Do të thotë: në tokë nuk do të ekzistojnë më male, pemë, shtëpi, ndërtesa, lugina dhe asgjë tjetër, por e gjithë toka do të jetë e bardhë dhe paksa e kuqërremtë, nuk do ketë asnjë lloj shenje mbi tokë. Allahu i Lartësuar e ka përmendur këtë në fjalën e Tij:
﴿يَوۡمَ تُبَدَّلُ ٱلۡأَرۡضُ غَيۡرَ ٱلۡأَرۡضِ وَٱلسَّمَٰوَٰتُۖ ﴾
“Atë ditë kur do të ndryshohet toka me një tokë tjetër, po ashtu edhe qiejt.” Ibrahim, 48
Ndryshimi që është përmendur në këtë ajet, është për qëllim ndryshimi i karakteristikave të tokës, e jo ndryshimi i qenësisë së tokës, sepse njerëzit do të dalin prej tokës dhe do të ringjallen po në këtë tokë. Pra, kuptimi i ajetit është: nuk do të ndryshohet toka që të sillet një tokë tjetër e re, por do të ndryshohen karakteristikat e tokës. Toka jonë tani ka lugina, pellgje, male, shkretëtira, pemë, gurë, pallate, ndërtesa, puse, etj., në Ditën e Gjykimit të gjitha këto do të zhduken dhe toka do të jetë ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:
﴿لَّا تَرَىٰ فِيهَا عِوَجٗا وَلَآ أَمۡتٗا١٠٧﴾
“Nuk sheh më mbi të (tokë) as ultësira as lartësira.” Taha, 108
Burimi: Sherhu Sahih el-Bukharij, vëll. 8, fq. 431-432
Përktheu: Jeton Shasivari
11 Shtator 2023
26 Sefer 1445 h.
Gostivar