Bismilah...

Burimi: Ligjëratë me titull: “El-Kuran ue Ulumuhu fi Sijeri es-Salihin, min. 58:25

 

Transmetohet nga Ukbeh bin Amir, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ka thënë:

سيخرج أقوام من أمتي يشربون القرآن كشربهم اللبن

“Do të dalin njerëz nga Umeti im që do ta ‘pinë’ Kuranin ashtu siç e pinë qumështin.”

Transmeton Taberani (17/697, nr. 761) dhe hadithin e ka përmendur Albani në librin es-Sahih el-Xhamie (nr. 5653).

Qëllimi me këtë hadith është: Kurani do të shqiptohet shpejt e shpejt nga goja e tyre, por nuk do të depërtojë në zemrat e tyre, ashtu si qumështi që depërton shpejt në gojë. Leximi i tyre me gojë nuk kalon përtej gurmazit të tyre. Kështu, ata nuk përfitojnë nga Kurani. Kurse Sahabët e bënin të kundërtën e kësaj. Prandaj, Pejgamberi tha: “Do të dalin...” Kurse në kohën e Pejgamberit nuk ekzistonte kjo gjë.

Ibën Mesudi ka thënë:

إن قومًا يَقْرَأون القرآن يَنْثِرونه نَثْرَ الدَّقَلِ، لا يُجاوِزُ تراقيهم

“Një popull do ta lexojë Kuranin shpejt e shpejt, ashtu siç bien hurmat e thata. [1] Kurani nuk kalon poshtë gurmazit të tyre.”

Pra, ashtu shpejt siç bien hurmat e thata e të papjekura.

Po ashtu ai ka thënë:

لاَ تَهُدُّوهُ هَدَّ الشِّعْرِ وَ لاَ تَنْثِرُوهُ نَثْرَ الدَّقْلِ

“Mos e lexoni Kuranin ashtu siç lexohet poezia dhe mos e lexoni atë ashtu siç bien hurmat e thata...”

Disa njerëz kështu lexojnë. E lexojnë atë shumë shpejt dhe i bien shpejt e shpejt. Kur e dëgjon atë, nuk mund t’i dëgjosh qartazi shkronjat. Nuk lexohet Kurani kështu!

Vazhdon dhe thotë:

لاَ تَهُدُّوهُ هَدَّ الشِّعْرِ وَ لاَ تَنْثِرُوهُ نَثْرَ الدَّقْلِ قِفُوا عِنْدَ عَجَائِبِهِ، وَحَرِّكُوا بِهِ الْقُلُوبَ

“Mos e lexoni Kuranin ashtu siç lexohet poezia dhe mos e lexoni atë ashtu siç bien hurmat e thata. Ndaluni te çudirat e tij dhe trazoni zemrat me të.”

Kurse në një tranmetim tjetër ka ardhur:

وَلاَ يَكُن هَمُّ أَحَدِكُمْ آخِرَ السُّورَةِ

“...dhe mos të jetë meraku i ndonjërit prej jush përfundimi i sures.”

Ibën Umeri, radijAllahu anhuma, ka thënë: “Kam parë njerëz që e mësonin Kuranin (përmendësh) përpara se të kishin iman (të plotë) të cilët e lexonin atë nga fillimi e deri në fund, por nuk e dinin se çfarë është hallall dhe haram në të; nuk e dinin se çfarë urdhëron dhe çfarë qorton; nuk e dinin se për cilat gjëra duhet ndalur dhe heshtur; e lexonin atë shpejt e shpejt.”

Allahu na ruajttë! Kjo është gjendja e një pjese të lexuesve të Kuranit në këtë kohë. Ai është hafidh i Kuranit, ka zë të bukur, e lexon atë pa gabime, por nuk ndalet para kufijve që i ka vënë Kurani, nuk e di hallallin dhe haramin që gjenden në Kuran. Nuk shfaqen tek ai devotshmëria dhe frika nga Allahu dhe nuk shikon tek ai fetari.  

_____________-

[1] Shënim i përkthyesit: Shejkh Abdur-Rezzak el-Bedër, Allahu e ruajttë, thotë: “‘Ed-degal’ janë hurmat të cilat janë tharë në rrembin e hurmës. Nëse këtë degë e shkund me forcë, hurmat do të bien shumë shpejt. Pra, mos jini me Kuranin si puna e atij që mban në dorë një rremb të thatë me hurma të cilin po e tunde me forcë, hurmat e thata bien shpejt dhe shkapërderdhen andej e këtej.” Burimi: Et-Tibjan Sherhu Akhlaki Hameletil-Kuran, fq.33-34

 

Përktheu: Jeton Shasivari