Autor: Shejkh Ibën ‘Uthejmin
Burimi: Sherh Sahih el-Bukharij, kitab bed` el-uahji, kaseta nr.1
Hadithi: Atëherë tha Khadixhah:
كلا والله ما يخزيك الله أبدًا ، إنك لتصل الرحم وتحمل الكل وتكسب المعدوم وتقري الضيف وتعين على نوائب الحق.
“Kurrën e kurrës! Pasha Allahun! Ty nuk të poshtëron Allahu kurrë! Se në të vërtetë ti i mban lidhjet me farefisin, ti e mban barrën e atij që është në vështirësi, ti i jep atij që s’ka asgjë, ti e nderon mysafirin dhe ti ofron ndihmë kur bien fatkeqësitë!” [Sahih el-Bukharij, nr.3/ Sahih Muslim, nr.160/ Musned Ahmed, nr.25959]
Shejkh ‘Uthejmini: Allahu Ekber! Zgjuarsia e kësaj gruaje është e mahnitshme! Kjo është nga gjërat më mahnitëse! Ajo u argumentua për mirësinë e Allahut që ja ka dhënë atij se:
💎 E para, që Allahu nuk do ta zhgënjejë atë kurrë.
Kjo përfitohet nga Fjala e Allahut të Lartësuar:
﴿فَأَمَّا مَنۡ أَعۡطَىٰ وَٱتَّقَىٰ٥ وَصَدَّقَ بِٱلۡحُسۡنَىٰ ٦ فَسَنُيَسِّرُهُۥ لِلۡيُسۡرَىٰ٧﴾
“Ama kush jep, ka devotshmëri dhe e pohon fjalën më të bukur (La ilahe il-lAllah), Ne do t’ia lehtësojmë atij atë që është më e lehta.” [el-Lejl, 5-7]
Prandaj, nëse e shikon dikë të cilit Allahu ia ka dhuruar këto cilësi, atëherë dije se ai njeri është prej të devotshmëve! Dije se ai njeri është prej të devotshmëve dhe se ai është prej atyre që i është lehtësuar më e lehta! Përderisa gjërat e bukura janë bërë të lehta e të kollajta për të, atëherë ky është një përgëzim paraprak për besimtarin. Ne e lusim Allahun që të na bëjë neve dhe juve prej atyre njerëzve!
Pra, kur Khadixhah – radijAllahu ‘anha – e pa që Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i kishte këto cilësi, ajo tha: Nuk ndodh kurrë që të të poshtërojë Allahu ty, nuk ndodh kurrë që të të braktisë Allahu ty, nuk ndodh kurrë që Allahu të të turpërojë ty! Përse? Për shkak të këtyre cilësive madhështore e të lavdishme, të cilat janë:
- “Se në të vërtetë ti i mban lidhjet me farefisin...” I patëmeta është Allahu! Kjo është nga natyrshmëria e pastër e njeriut! Nëse njeriu i mban lidhjet me farefisin, Allahu do ta mbajë lidhjen e Tij me të. E kjo pikërisht ka ardhur në një hadith autentik, se: “Kush i mban lidhjet me farefisin e tij, Allahu ka për ta mbajtur lidhjen e Tij me të!” Por ama, kush është ai që i mban lidhjet me farefisin? A mos vallë është ai që i mban lidhjet me farefisin në rastin kur ata i mbajnë lidhjet me të? Për këtë thuhet që i mban lidhjet me ta në të njëjtën masë siç i mbajnë lidhjet ata me të. Kushdo që i bën mirë atij, ai ia kthen atij me të mirë në të njëjtën masë. Mirëpo, njeriu që i mban lidhjet është ai që, kur farefisi i shkëput lidhjet me të, ai vazhdon t’i mbajë lidhjet me ata. Kur erdhi një burrë tek i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala Aalihi ue sel-lem – dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë kam disa kushërinj që mundohem t’i mbaj lidhjet me ta, por ata më bojkotojnë, u bëj mirë atyre, kurse ata më bëjnë keq, e prapëseprapë unë e përmbaj veten.” Domethënë, ata i bëjnë zullum atij. Atëherë, Profeti – ‘alejhis-salatu ues-selam – tha:
إن كان ما تقول حقا فكأنما تسفهم المل ولا يزال لك من الله عليهم ظهير
“Nëse është ashtu siç po thua ti me të vërtetë, atëherë ti sikur po u jep atyre hirin e prushit dhe Allahu të ka lënë ty një ndihmëtar kundër atyre.”
Çfarë domethënë: “po u jep atyre hirin e prushit”? Çfarë kuptimi ka fjala arabe “الْمَلُّ” (el-mel-lu)?
Nxënësi: Rëra e nxehtë!
Shejkh ‘Uthejmini: Është rëra e nxehtë ose hiri i nxehtë. E rëndësishme, Khadixhah u argumentua me faktin që ai i mban lidhjet me farefisin dhe me cilësitë e tjera të mira që kishte ai, që Allahu s’ka për ta poshtëruar atë kurrë.
💎 Cilësia e dytë: “ti e mban barrën e atij që është në vështirësi”, domethënë ti e mban ngarkesën e atij që nuk mund ta mbajë dot vet, ngaqë është i lodhur, atëherë ofrohesh ti që t’ia mbash ngarkesën atij; nëse ai është i varfër, atëherë ti i ofron para, nëse ai është i dobët fizikisht, atëherë ti e ndihmon atë me trupin tënd. Pra, Profeti – ‘alejhis-salatu ues-selam – i ndihmonte njerëzit me veten e tij, qysh përpara se të bëhej Profet edhe mbasi që u bë Profet. Ju e dini që ai – salavatet dhe selami i Allahut qofshin mbi të! –, mbasi që u bë Profet, lidhte gurin në barkun e tij, nga uria e madhe që kishte, e prapëseprapë ai u jepte të tjerëve sikur të mos kishte kurrë frikë nga varfëria! Njëherë, ai i dhuroi një burri një kope të madhe me dele që kishte mbuluar luginën mes dy maleve, që do të thotë se i dhuroi një numër shumë të madh delesh, nga ana tjetër, ai vet vdiq duke lënë peng mburojën e tij tek një jehudi! Ky është pikërisht kulmi i bujarisë. Salavatet dhe selami i Allahut qofshit mbi të! Pra, ai e mbante barrën e atyre që ishin në vështirësi.
💎 (E treta): “ti i jep atij që s’ka asgjë” domethënë ai që s’ka asgjë gjen te ty mjaftueshëm ndihmë, saqë u jep edhe të tjerëve, kështu përfitojnë nga mirësia e tij edhe të tjerët. Salavatet dhe selami i Allahut qoftë mbi të!
💎 (E katërta): “ti e nderon mysafirin” kuptimi i kësaj është që ti e pret mysafirin me nderime, ngaqë i Dërguari – ‘alejhis-salatu ues-selam –, përpara se t’i zbriste shpallja, ka qenë njeri që i priste dhe i nderonte mysafirët.
💎 (E pesta): “ti ofron ndihmë kur bien fatkeqësitë”. Fjala arabe “نوائب الحق” (neua`ibul-hak) janë belatë që u bien njerëzve; nëse janë në hak, ai i ndihmon njerëzit që t’i kalojnë ato, e nëse janë ata që i shkaktojnë belatë, ai i ndihmon ata duke i kundërshtuar ato që bëjnë ata.
Njeriu që i ka këto cilësi fisnike e madhështore s’mund të poshtërohet kurrë nga Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm, ngaqë kjo bie ndesh me Urtësinë e Allahut të Madhëruar e të Lartësuar dhe sepse Allahu i Madhëruar e i Lartësuar ka kulmin e urtësisë, Ai vendos çdo gjë në vendin që i takon. Kështu që, kush ka mirësi në veten e tij, Allahu ka për ta mbushur atë përplot me mirësi, e kush ka sherr në veten e tij, ai do të privohet nga mirësia.
﴿فَلَمَّا زَاغُوا أَزَاغَ اللَّهُ قُلُوبَهُمْ ۚ وَاللَّهُ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ﴾
“Por kur ata i çuan vetet e tyre në devijim, atëherë Allahu i devijoi zemrat e tyre dhe padyshim që Allahu nuk i udhëzon njerëzit e prishur.” [es-Saff, 5]
Po.
Përktheu: Alban Malaj