Bismilah...

 

Autor: Shejkhul Islam Ibën Tejmijeh

Burimi: Minhaxh es-Sunneh en-Nebeuijjeh, vëll. 2, fq. 56

 

Muslimanët kanë bërë shumë debate me të Krishterët, një ndër ti është edhe rrëfimi i njohur nga el-Kadij Ebi Bekër (el-Bakilani), kur Muslimanët e dërguan atë te mbreti i të Krishterëve në Konstantinopol për të debatuar me të. Të Krishterët e madhëronin mbretin dhe e njihnin pozitën e tij. Të Krishterët kishin frikë se el-Kadij Ebu Bekër nuk do t’i bjerë në sexhde mbretit kur të hyjë tek ai. Kështu që, e drejtuan atë që të hyjë te mbreti përmes një dere të vogël në mënyrë që të futet tek ai duke u kërrusur. El-Kadij Ebu Bekër e kuptoi kurthin e tyre dhe u hyri përmes kësaj dere duke u fut me shpinë duke i lënë të kuptojnë ata se nuk kishte mundësi të futej ndryshe. Pra, ai e bëri të kundërtën e asaj që ata planifikuan.

Kur ai u ul dhe ata i folën atij, njëri prej tyre deshi t’i shajë Muslimanët dhe i tha atij: “Çfarë janë ato fjalët që janë thënë për Aishen, gruan e Pejgamberit tuaj?” Ai deshi ta shpalos shpifjen për zina të cilën e thonë Rafidijtë. El-Kadij Ebu Bekër u tha: “Dy gra janë sharë dhe janë akuzuar se kanë bërë zina me shpifje dhe gënjeshtra, ato janë: Merjemja (Maria) dhe Aisheja. Sa i përket Merjemes, ajo erdhi me një fëmijë që kishte ngelur shtatzënë dhe nuk ishte e martuar. Kurse Aisheja nuk erdhi me ndonjë fëmijë edhe pse ajo ishte e martuar.” Kështu, të Krishterët, mbetën pa fjalë.

Kuptimi i fjalëve të el-Kadij Ebu Bekër është: shfaqja e pafajësisë së ‘Aishes ishte më e madhe se shfaqja e pafajësisë së Merjemes dhe dyshimi ishte më afër Merjemes sesa Aishes. Pra, kur me këtë është vërtetuar gënjeshtra e atyre që shajnë Merjemen, atëherë vërtetimi i gënjeshtrës së atyre që shajnë Aishen është endë më i arsyeshëm dhe më i kapshëm.

 

Përktheu: Jeton Shasivari