Bismilah...

Autor: Shejkh Hammad el-Ensarij

Burimi: el-Mexhmu’ li Shejkh Hammad el-Ensarij, vëll. 1, fq. 295-297

 

 

I thash Shejkhut Hamid el-Fekij – Allahu e mëshiroftë: “O Shejkh! Kam një pyetje?”

Më tha: “Çfarë pyetje ke o biri im?”

I thashë: “Si erdhi puna që u bëre muahhid (me teuhid të pastër), kurse ti ke mësuar në Ez’her (universitetin e Kajros)?” Unë desha që të përfitoj për vete dhe njerëzit të dëgjojnë.

Shejkhu më tha: “Pasha Allahun! Pyetja jote është vërtet e vlefshme.”

Ai tha: “Unë kam studiuar në Universitetin e Ez’herit dhe kam studiuar akiden e kelamistëve (mutekelimun-ëve) të cilën e mësojnë aty. Mora diplomën e shkollës së lartë dhe u ktheva në vendin tim që njerëzit të gëzoheshin me suksesin tim. Gjatë rrugës, kalova pranë një bujku që punonte tokën dhe kur mbërrita tek ai, më tha: “O biri im! Ulu në stol.” Kishte një stol druri që kur mbaronte punën, ulej aty.

U ula në stol, ndërsa ai punonte tokën. Afër meje, në cep të stolit, pashë një libër. E mora atë dhe e shikova. Ai libër ishte “Ixhtima’u el-Xhujush el-Islamijeh ‘ala Gazui el-Mu’attileti ue el-Xhehmijjeh” i Ibën Kajjimit [1]. E mora librin dhe u ngazëllova me të. Kur bujku më pa se kisha marr librin dhe kisha filluar të lexoj, nuk u afrua, derisa më la për një kohë që të formoj një mendim për këtë libër.

Pasi kaloi një kohë, ai punonte tokën dhe ndërkohë unë lexoja librin, m’u afrua bujku e më tha: “Esselamu alejkum o bir! Si je? Nga na vjen?” Unë iu përgjigja pyetjes.

Më tha: “Pasha Allahun! Ti je i zgjuar! Sepse e ke marr dijen shkallë-shkallë, derisa mbërrite në këtë gradë. Por, o biri im! Kam një porosi për ty.”

I thash: “Çfarë është ajo?”

Bujku më tha: “Ti ke një diplomë me të cilën mund të nxjerrësh jetesën në Evropë, Amerikë dhe gjetkë, por ajo diplomë nuk të ka mësuar një gjë, që është detyrë për ty ta mësosh para së gjithash.”

I thash: “Ç’është ajo?”

Më tha: “Nuk ta kanë mësuar teuhidin.”

I thash: “Teuihidin!”

Bujku më tha: “Teuhidin e Selefëve.”

I thash: “Cili është teuhidi i Selefëve?”

Shiko se si bujku që është përball teje, e përkufizon teuhidin e Selefëve.

I tha: Teuhidi i Selefëve është tek këto libra:

Libri ‘es-Sunneh’ i Imam Ahmedit,

Libri ‘es-Sunneh’ i djalit të Imam Ahmedit, Abdullah bin Ahmed,

Libri ‘et-Teuhid’ i Ibën Khuzejmes,

Libri ‘Khalk Ef’ali el-‘Ibad’ i Imam Buhariut,

Libri ‘’Itikad Ehli Sunneh’ i Hafidh el-Lalikait,

Si dhe i numëroi shumë libra tjetër të Tehuhidit. Po ashtu, i përmendi edhe libra të Teuhidit të dijetarëve të mëvonshëm. Pastaj, i përmendi librat e Shejkhul-Islam Ibën Tejmijes, Ibën Kajjimit.

Po ashtu i tha: “Do të të tregoj se si ti gjesh këto libra: kur të mbërrish në fshatin tënd, pasi që të të shohin dhe të gëzohen me suksesin tënd, mos u vono shumë. Shko në Kajro. Me të arritur në Kajro, shko te libraria “Darul-Kutub el-Misrijeh.” Aty do t’i gjesh të gjitha këto libra që t’i përmenda, por ato i ka “mbuluar” pluhuri. Unë kërkoj prej teje që t’ua “largosh” këtë pluhur dhe t’i shpërndash ato.”

Këto fjalë të bujkut modest dhe fekih depërtuan në zemrën e Shejkh Hamid, sepse dolën nga një i sinqertë.

 

Unë (Hammad el-Ensarij) e ndërpreva Shejkhun duke e pyetur: “Nga i mori vesh bujku të gjitha këto?”

Shejkh Hamid tha: “I kishte mësuar nga profesori i tij er-Remalij. A keni dëgjuar për Remalijn?”

Unë i ktheva: “Nuk e njoh këtë Remalin. Pa më thuaj si është historia e këtij?”

Ai tha: “Remajli hulumtonte për të gjetur librat e paraardhësve të tij (Selefëve). Kur mblodhi atë që mblodhi nga librat, filloi t’i mbledhë punëtorët dhe fshesarët, kështu nisi t’u jepte mësim. Nuk i lejohej që të jepte mësim haptazi dhe nga mesi i atyre që u jepte mësim ishte edhe ky bujk. Ky bujk është i përshtatshëm të jetë një imam prej imamëve, porse ai është atje ku është, duke u marr me kultivimin e tokës. Kush është i përshtatshëm për të mësuar? Mirësia vazhdon së ekzistuari në çdo vend derisa të bëhet Kijameti.

Pasi që u ktheva te fshati im në Egjipt dhe shkova në Kajro, i gjeta të gjitha librat që m’i përmendi bujku fekih, përveç njërit, atë e gjeta pas një kohe të gjatë.

 

Fundnota:

 [1] Shënim i përkthyesit:

Përkthimi i titullit të librit: اجتماع الجيوش الإسلامية على حرب المعطلة والجهمية - Mbledhja e Ushtrive Islame në luftën kundër Mu’attil-ëve (mohuesve të Cilësive të Allahut) dhe Xhehmijve.”

Tema më kryesore e këtij libri është: pohimi i ‘Ulu-it (qëndrimi i përhershëm i Allahut me Veten e Tij sipër të gjitha krijesave) dhe Istiuasë (ngritja e Allahut mbi Arsh). Ibën Kajjimi renditjen e argumenteve në këtë libër, e ka nisur me ato më të fortat dhe e ka përfunduar me ato që janë më pak të forta. Renditja është në këtë formë:

1.        Përmend ajete që argumentojnë për ‘Ulu-in e Allahut të Lartësuar dhe Istiuan e Tij mbi Arsh, (fq. 89-92).

2.        Pastaj sjell fjalët e të Dërguarve të Allahut që u dërguan midis Tij dhe krijesave. Përmend Ademin, Daudin, Ibrahimin, Jusufin, Musain – salauatuLlahi ue salamuhu alejhi (fq. 93-96).  Pastaj sjell më              shumë se 60 hadithe nga Pejgamberi jonë – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem (fq. 97-161).

3.        Pastaj përmend fjalët e Sahabëve. (fq. 162-180).

4.        Pastaj përmend fjalët e Tabi’inëve (ata që i mbërritën Sahabët) (fq.  180-190).

5.        Pastaj përmend fjalët e Tabi’ Tabi’inëve (ata që i mbërritën Tabi’inët), (fq. 191-195).

6.        Pastaj përmend fjalët e Katër Imamëve (Ebu Hanifja, Maliku, Shafiju dhe Ahmedi) dhe pasuesve të tyre, (fq. 195-323).

7.        Pastaj përmend fjalët e imamëve të hadithit, (fq. 323-378).

8.        Pastaj përmend fjalët e imamëve të tefsirit, (fq. 379-407).

9.        Pastaj përmend fjalët e imamëve të Gjuhës Arabe, fjala e të cilëve merret për argument, (fq. 407-411).

10.      Pastaj përmend fjalët e asketëve që bënin jetë të thjeshtë, të cilët pasonin Selefët e tyre, (fq. 412-430).

11.      Pastaj përmend fjalët e atyre dijetarëve që kanë shpjeguar Emrat e Bukur të Allahut, (fq. 430-431).

12.      Pastaj përmend imamët e kelamistëve, të cilët pohojnë (Cilësitë dhe Emrat e Allahut) dhe i kundërshtojnë Xhehmijtë, M’utëzilët dhe Mu’atilët, (fq. 432-472).

13.      Pastaj përmend fjalët e disa Sahabëve të cilët ishin poetë të Islamit, (fq. 472-476).

           (E shumë të tjera).

Burimi: Parathënia e verifikuesit (Mukaddimetu Tahkik) të librit “Ixhtima’u el-Xhujush el-Islamijeh ‘ala Harbi el-Mu’attileti ue el-Xhehmijjeh”, botimi i “Daru ‘Alemil-Feuaid,” (fq. 22-23).

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari