Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli
Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira, ky pyetës thotë: “Çfarë gjykimi ka shkrimi i Kuranit me shkronja jo-arabe në mënyrë që jo-arabët të kenë mundësi ta lexojnë atë?”
Përgjigje: Në parim, nuk lejohet shkrimi i Kuranit me ndonjë gjuhë tjetër përveç gjuhës arabe, e as nuk lejohet të shkruhet me ndonjë shkrim tjetër dhe se ai shkrim duhet të jetë i qartë dhe i lexueshëm. E nëse është e nevojshme që të shkruhet Kurani me shkronja jo-arabe me qëllim që të mësohen Muslimanët e rinj të cilët nuk e njohin gjuhën arabe dhe nuk mund ta shqiptojnë atë, unë mendoj se kjo lejohet sipas dy kushteve:
Kushti i parë: që ky shkrim të jetë për një gjë që është e domosdoshme, e ajo është vetëm Sureja el-Fatiha, sepse Muslimani e ka detyrë që ta lexojë atë në namaz.
Kushti i dytë: që ky shkrim të jetë i përkohshëm dhe jo i përhershëm. Si? Të shkruhet në dërrasë, ata e lexojnë dhe e përsërisin derisa ta mësojnë atë, bashkë me përpjekjet e mësuesit që ajo të theksohet saktë. Pastaj, ajo duhet të fshihet.
Nuk lejohet që kjo të shkruhet në libra, si për shembull: të shkruhet një libër në gjuhën angleze dhe të shkruhen një numër i caktuar suresh me shkronja angleze që Muslimanët e rinj t’i mësojnë ato. Kjo nuk lejohet, sepse për shkak të këtij shkrimi mund të lindin gjëra të padëshirueshme në fe.
Po ashtu, Muslimani i ri i cili nuk mund ta mësojë përmendësh el-Fatihan dhe na jepet mundësia që ta shkruajmë për të el-Fatihan me shkronja që ai mund t’i lexojë në letër dhe ai mund të falet duke shikuar në letër, nuk ka gjë të keqe këtu, i lejohet kjo gjë, derisa t’i jepet mundësia të lexojë arabisht apo ta mësojë ato përmendësh. Nëse ai arrin ta mësojë atë, atëherë e lë këtë tjetrën.
Përktheu: Jeton Shasivari