Autor: AbdulAziz bin Abdullah bin Baz (1420 h.)
Burimi: Mexhmu'u fetaua ue mekalat, 24/405
Pyetje: A është detyrë të thuhet tekbiri kur bën sexhden e leximit të Kur'anit gjatë namazit dhe jashtë tij? Po për sexhden që bëhet jashtë namazit, a është detyrë të jepet selam? Shpresoj të na bëni dobi, Allahu ju dhëntë sukses!
Përgjigje: Sexhdeja e leximit të Kur'anit brenda namazit është e ngjashme me sexhden e namazit, pra kur shkon në sexhde bën Tekbir dhe kur ngrihesh prej saj bën Tekbir. Argument për këtë është transmetimi i vërtetuar nga i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - se ai bënte tekbir gjatë namazit në çdo ulje dhe në çdo ngritje; pra kur shkonte në sexhde, bënte Tekbir dhe kur ngrihej prej saj, bënte Tekbir! Kështu kanë transmetuar sahabët në hadithin e Ebu Hurejrës dhe të tjerëve përveç tij. Kjo sexhde e leximit të Kuranit është njësoj si sexhdeja në namaz dhe kjo është qarta në bazë të argumenteve.
Ndërsa nëse bën sexhden e leximit të Kuranit jashtë namazit, nuk është transmetuar gjë tjetër veçse tekbirit në fillim dhe kjo është ajo që është mirënjohur, siç e ka transmetuar këtë Ebu Daudi dhe Hakimi. Ndërsa kur ngrihesh nga sexhdeja e leximit të Kuranit jashtë namazit, nuk është transmetuar as tekbir e as selam.
Kurse disa dijetarë kanë thënë: “Bën tekbir edhe kur ngrihesh prej sexhdes që e bën jashtë namazit!” Por nuk është transmetuar asnjë argument për këtë. Prandaj nuk është ligjësuar për sexhden e leximit të Kuranit diçka tjetër veçse tekbirit të parë kur shkon në sexhde, nëse bëhet jashtë namazit!
Prej Allahut vjen suksesi!
Përktheu: Servet Mata