Burimi: Ebhaathu Hejeti Kibari el-Ulema, vëll. 7, fq. 406
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe shpëtimi qofshin për të Dërguarin e Tij, pasuesit e tij dhe Sahabët e tij.
Në seminarin e 14-të të mbledhjes së Këshillit të Dijetarëve të Mëdhenj që u mbajt në qytetin e Taifit në datat 10-21 Sheu’ual të vitit 1399 h., këshilli lexoi një letër të ardhur nga ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Xhakarta të Indonezisë, të cilën e kishte dorëzuar tek drejtori i Ministrisë së Çështjeve Islame në Saudi, me numër 9/1/15/155 e cila nuk kishte datë të shkruar dhe përmbante këto fjalë: “Në tregun e Indonezisë shiten Mus’hafa të shkruar me germa latine dhe pyetja është se çfarë duhet të bëjnë me këtë Mus’haf...”
Pasi që e studioi këtë çështje, e diskutoi dhe shkëmbeu mendime, Këshilli i Dijetarëve të Mëdhenj në Arabinë Saudite miratoi unanimisht vendimin në vijim:
Ndalohet shkrimi i Kuranit me germa latine apo germa të gjuhëve të tjera, për disa arsye që do të vijojnë:
💎 E para: Kurani ka zbritur në gjuhën e pastër arabe bashkë me shkronjat dhe domethëniet e tij. Allahu i Lartësuar thotë:
وَإِنَّهُ لَتَنْزِيلُ رَبِّ الْعَالَمِينَ نَزَلَ بِهِ الرُّوحُ الْأَمِينُ عَلَى قَلْبِكَ لِتَكُونَ مِنَ الْمُنْذِرِينَ بِلِسَانٍ عَرَبِيٍّ مُبِينٍ
“Vërtet ai është zbritje nga Zoti i botëve. Atë e ka zbritur shpirti besnik (Xhibrili) te zemra jote, që ti të jesh paralajmërues. E zbriti në gjuhën e pastër arabe.” Esh-Shu’ara, 192-195
Ajo që shkruhet me germa latine nuk quhet Kuran, për arsye se Allahu i Lartësuar thotë:
وَكَذَلِكَ أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ قُرْآنًا عَرَبِيًّا
“Ne gjithashtu të kemi shpallur ty një Kuran në gjuhën arabe.” Esh-Shura, 7
Dhe fjala tjetër e Tij:
لِسَانُ الَّذِي يُلْحِدُونَ إِلَيْهِ أَعْجَمِيٌّ وَهَذَا لِسَانٌ عَرَبِيٌّ مُبِينٌ
“...por ai për të cilin flasin, flet një gjuhë të huaj, kurse ky (Kurani) është në gjuhën e pastër arabe.” En-Nahl, 103
💎 E dyta: Kurani është shkruar gjatë kohës së zbritjes së tij dhe atë e tubuan Ebu Bekri dhe Uthmani, radijAllahu anhuma, ashtu siç ishte me germat arabe. Me këtë janë pajtuar edhe Sahabët e tjerë, radijAllahu anhuma. Edhe Tabi'unët kanë qenë të njëzëri lidhur me këtë gjë si dhe ata që erdhën pas tyre, e deri në kohën tonë, edhe pse ekzistojnë popuj të huaj që nuk janë arabë.
Është vërtetuar se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:
عليكم بسنتي وسنة الخلفاء الراشدين المهديين
“Kapuni fort për Sunetin tim dhe Sunetit të Udhëheqësve të drejtë e të udhëzuar...”
Andaj, është detyrë që të ruhet vazhdimisht ky shkrim duke punuar me atë që ishte në kohën e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, Udhëheqësve të drejtë e të udhëzuar, radijAllahu anhum, dhe duke punuar me unanimitetin e gjithë ummetit.
💎 E treta: Njerëzit vetë i kanë hartuar germat e gjuhëve të tjera dhe kanë rënë në ujdi për to, por këto germa të tyre ka mundësi të ndryshohen në të ardhmen duke i zëvendësuar me germa të tjera. Si rrjedhojë e kësaj, nëse njerëzve u jepet kjo mundësi, atëherë ekziston frika se kjo mund të shpie në ndryshimin e Kuranit, varësisht prej ndryshimit të germave. Gjithashtu ekziston frika se mund të ndryshojë edhe leximi i Kuranit për shkak të germave dhe si pasojë, me kalimin e kohës, kjo do të sjellë përzierje dhe çoroditje. Kështu, armiku i Islamit do të gjejë një derë të hapur për ta sharë Kuranin për shkak të këtyre kontradiktave dhe hutimit të krijuar, siç ka ndodhur me librat e mëparshëm. Andaj, është obligim që kjo dukuri të ndalet me qëllim që të ruhet origjina e Islamit dhe të parandalohet e keqja dhe shkatërrimi.
💎 E katërta: Nëse tolerohet apo lejohet shkrimi i Kuranit me germa latine, ekziston frika se Kurani do të bëhet lodër në duart e njerëzve. Kështu, çdonjëri do të propozojë që Kurani të shkruhet në gjuhën e tij apo me ndonjë gjuhë tjetër. Pa dyshim se kjo është një shkas që shpie në kontradikta dhe humbje. Andaj, është detyrë që ta mbrojmë Kuranin nga ky fenomen me qëllim që ta ruajmë Islamin dhe ta ruajmë Librin e Allahut nga abuzimet dhe çoroditjet.
💎 E pesta: Shkrimi i Kuranit me germa jo-arabe i pengon Muslimanët që të mësojnë gjuhën arabe me të cilën ata e adhurojnë Zotin e tyre, e kuptojnë fenë e tyre dhe pajtohen rreth saj.
Me kaq po mjaftohemi.
Suksesi vjen prej Allahut.
Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Muhamedin, pasuesit e tij dhe sahabët e tij.
Përktheu: Jeton Shasivari