Bismilah...

 

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan
Burimi: ‘el-Bejan li-Akhta’i Ba’dil-Khutab’ (vëll. 2, fq. 173-174)

Selefizmi është që të ndjekësh Medh’hebin e të Parëve tanë të Mirë (es-Selefus-Salih) nga Sahabët, Tabi’inët dhe brezat e virtytshëm. Allahu i Lartësuar ka thënë:

Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë.” [Teube, 100]

Dhe Allahu i Lartësuar ka thënë për Sahabët:

Vërtet, ata që besuan dhe mërguan (për hir të besimit), e më pas luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut dhe ata që u dhanë strehim e i ndihmuan, janë miq e mbrojtës për njëri-tjetrin.” [Enfal, 72]

 

e deri aty ku Allahu i Lartësuar ka thënë:

Edhe ata që u bënë besimtarë më vonë, që mërguan dhe luftuan bashkë me ju, janë vëllezërit tuaj.” [el-Enfal, 75]

Allahu i Lartësuar ka thënë në suren el-Hashr:

Një pjesë e plaçkës i takon edhe mërgimtarëve të varfër, të cilët u përzunë nga vendlindja dhe pasuritë e tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Allahut dhe duke ndihmuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht ata janë besimtarët e sinqertë. Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medine.” [el-Hashr, 8-9]

e deri tek thënia e Tij:

Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh.” [el-Hashr, 10]

Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Ky umet do të ndahet në shtatëdhjetë e tri sekte; të gjitha do të hyjnë në Zjarr përveç njërit prej tyre.” Ata (Sahabët) i thanë: “Kush është ai (që do të shpëtojë) o i Dërguari i Allahut?” Ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u përgjigj: “Janë ata që ndjekin rrugën ku jam unë dhe shokët e mi sot.

Ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kapuni pas Sunetit tim dhe Sunetit të Khalifëve të udhëzuar pas meje.

Kështu që, Selefizmi është menhexhi të cilin ne e kemi obligim që ta ndjekim dhe ne duhet të braktisim të gjitha menhexhet (metodologjitë) e tjera që bie në kundërshtim me të. (Njerëzit e Selefizmit) janë grupi i shpëtuar, Ehlus-Sunneh uel-Xhema’ah dhe ata janë grupi i ndihmuar deri në Ditën e Kijametit. Allahu na bëftë prej tyre.

Megjithatë, cilësimi me këtë menhexh kërkon dituri rreth bazave të tij, në mënyrë që Muslimani të mund ta ndjekë atë. Gjithashtu kërkohet që të kesh dituri rreth menhexheve (metodologjive) të tjera që bien në kundërshtim me Selefizmin, në mënyrë që të ruhesh prej tyre. Pra, Selefizmi në rrugën e të Parëve të Mirë (es-Selefus-Salih) duhet të jetë i bazuar në dituri dhe mendjemprehtësi. Nuk mjafton për njeriun që të cilësohet me Selefizmin ndërkohë që ai është injorant rreth tij apo ai e kundërshton atë. Prandaj Allahu i Lartësuar ka thënë:

“...dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim.”[Teube, 100]

Ata i pasuan me dituri. Ata nuk kaluan në ekstrem dhe as në ashpërsinë e ndaluar. Ata nuk kalojnë në ekzagjerim dhe as në neglizhim, sikurse ata që cilësohen me medh’hebet e katër Imamëve (Ebu Hanife, Malik, Shafi’i dhe Ahmed Ibn Habel) ndërkohë që i kundërshtojnë ata në Akijden dhe Ibadetin e tyre. Dhe jo si puna e atij që cilësohet me menhexhin e Selefëve, por nga ana tjetër ai i shpall Muslimanët qafira ose rebelohet kundër ushëheqësve Muslimanë, ose shkon në një drejtim tjetër të ekstremizmit. Ky person nuk është Selefij, por ai quhet Khauarixh ose Mu’tezil. Apo si puna e atij që cilësohet me menhexhin e Selefëve, por flet me fjalët e Murrxhi’ave për çështjet e Imanit dhe Kufrit. Ky nuk është Selefizëm.

Kështu që, është obligim që t’i kushtohet rëndësi kësaj çështjeje dhe të mos përzihet menhexhi Selefij me menhexhet e tjera që e kundërshtojnë atë dhe pastaj të thuhet: “Të gjitha këto menhexhe (përfshi edhe menhexhin Selefij) nuk janë të Islamit.” Kjo është një thënie mashtruese, është devijim në gjykim dhe ajo shkakton çoroditje tek njerëzit me anë të dyshimeve.”

 

Përktheu Alban Malaj