Bismilah...

Ibën Muflih ka thënë në “el-Furuë” (6/160-161): Shejkhu ynë [Ibën Tejmije] ka thënë:

“Në përgjithësi, fitnet dhe trazirat që kanë ndodhur, kanë si shkak kryesor humbjen e durimit. Dhe kështu, fitneja i ka dy shkaqe:

1. Dija e dobët, ose

2. Durimi i dobët.

Vërtet, injoranca dhe shkelja e kufijve janë shkaqet e të keqes. Dhe ai që bën keq, bën për shkak të:

- padijes së tij që ato vepra janë me të vërtetë të këqia [dhe të dëmshme],

- ose nga fakti që shpirtit të tij ia ka ënda që ta bëjë atë vepër.

Kështu që, me dituri largohet injoranca, kurse me durim njeriu përmbahet nga epshet. Dhe në këtë mënyrë fitneja mbaron.”

Shejkh Salih el-Feuzan, Allahu e ruajttë, ka thënë:

“Askush nuk duhet të flasë rreth fitnes, me përjashtim të njerëzve të dijes dhe njerëzve mendjemprehtë, e nuk duhet të flasë për to çdo njeri. Nëse flet injoranti rreth fitnes, kjo (të folurit e tij) vetëm se e shton fitnen. Por nëse flasin për fitnen njerëzit e dijes dhe e sqarojnë atë, atëherë fitneja do të shuhet me lejen e Allahut. Kështu që, nuk i lejohet çdo njeriu që të flasë rreth fitnes. Porse ata që duhet të flasin rreth saj janë vetëm njerëzit që kanë dije dhe mendjemprehtësi, ata të cilët e dallojnë të vërtetën nga e pavërteta dhe ata e dinë mënyrën se si duhet të flasin. Nuk duhet që çdo njeri të zhytet në fitne, të flasë rreth saj, të japë fetva dhe të thotë çfarë t’i vijë për mbarë.”

Shejkh Rabij' Ibën Hadij el-Medkhalij, Allahu e ruajttë, ka thënë [në këshillën e tij drejtuar vëllezërve Selefijinë në Jemen]:

“Fitnet janë ashtu siç është thënë: Sufjan Ibën ‘Ujejneh ka thënë nën autoritetin e Khalef Ibën Hausheb se në kohë fitnesh ata vepronin në përputhje me këto vargje poetike:

الحربُ أول ما تكون فتيةً * * * تسعى بزينتها لكل جهولٍ

حتى إذا اشتعلت وشب ضرامها * * * ولت عجوزاً غير ذات حليل

شمطان ينكر لونها وتنكرت * * * مكروهة للشم والتقبيل


“Lufta është fitne në fillim,

e çdo xhahili, i vjen tër zbukurim,

derisa kur ndizet e merr flakë,

në fund bëhet, sikur vejusha plakë,

të thinjur e të rrudhur, kush do ta qasë,

atë çdokush urren ta puthë, e ta nuhasë.”

Në fillim lufta është siç dëshiron Allahu. Atë e zbukuron Shejtani dhe njerëzit shejtanë. Kështu, xhahilat bien në të. Mirëpo kur ajo ndizet dhe merr flakë, atëherë u bëhet e qartë atyre më mbas pasojat e rënda të kësaj fitneje. Kështu, njeriu i logjikshëm e dallon Fitnen kur ajo vjen, ndërsa xhahili nuk e njeh Fitnen përveç se mbasi që ajo është larguar. Dhe unë shpresoj që të gjithë ju këtu dhe ju në Jemen të jeni të mençur, të jeni prej të meçurve më të mirë. Unë shpresoj që të jeni në këtë gradë të lartë, që të mos nguteni drejt Fitnes dhe ta ndezni më keq e t’i hidhni benzinë - siç thuhet -. Zjarri kërkon ujë për t’u shuar. Kurse benzina e ndez zjarrin, pasha Allahun. Fjalët - pasha Allahun - janë benzinë që e ndezin flakën e kësaj Fitneje. Kështu që, unë ju këshilloj të gjithëve që të mbani gjuhët tuaja nga polemizimi për këtë Fitne dhe të jenë vëllezër mes veti. Allahu ju bekoftë...

Munafikët ngritën kurth në kohën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Në betejën e Uhudit ‘Abdullah Ibën ‘Ubeji u largua me 300 ushtarë, nga 1000 që ishin.

Në ushtrinë e ‘Alij Ibën Ebij Talibit kishte njerëz të infiltruar, të cilët ndezën flakët e fitnes ndërmjet vëllezërve, midis ‘Aliut (radij-Allahu ‘anhu) dhe ata që mbanin anën e tij dhe midis Zubejrit - Allahu ju bekoftë - dhe Talhas nga ana tjetër, e kuptoni? (Kjo ndodhi) gjatë atyre kohërave më të mira, në etapat e para të Da’uetit Selefij, por si është çështja jonë tani, kur ne ndihemi të sigurt nga diversantët, nga armiqtë që gjenden mes rradhëve tona me qëllim që të na ndajnë - Allahu ju bekoftë të githëve!!

Dhe nuk u takon të rinjve që të luftojnë dhe të kacafyten me njëri-tjetrin, ky të mbajë krahun e njërit kurse ky të mbajë krahun e tjetrit... kjo është rruga e njerëzve të bidatit o vëllezër! Është rruga e atyre që nuk kanë logjikë, nuk janë të aftë që të bëjnë dallim (temjiz), nuk kanë baza dhe nuk kanë parime. Ju i keni bazat dhe parimet tek të cilat duhet të ktheheni, sidomos kur përballeni me këto fitne. Allahu ju bekoftë të gjithëve.”

Përktheu: Alban Malaj