- Shejkhul-Islam Ibn Tejmije,
- Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij,
Shejkhul-Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Për sa i përket atij që thotë: “Parimi bazë (asl) për Muslimanët është el-‘adale (drejtësia, ndershmëria, besueshmëria)”, atëherë kjo nuk është e vërtetë (batil). Por, parimi bazë për Birin e Ademit është padrejtësia (dhulm) dhe injoranca (xhehl), sikurse ka thënë Më i Lartësuari:
“Por njeriu e mori përsipër atë. Vërtetë që ai i bëri padrejtësi vetvetes dhe qe i paditur (për pasojat e tij) .”[1]
Dhe vetëm thënia e dy dëshmive të besimit (La ilahe il-lAllah, Muhameden Rasulullah) nuk do të thotë në mënyrë të domosdoshme se njeriu ka dalë nga padrejtësia (dhulm) dhe injoranca (xhehl) dhe ka kaluar tek drejtësia, ndershmëria (‘adl).”[2]
Pastaj, disa rreshta më poshtë, Shejkhul-Islam shpjegon se drejtësia (‘adaleti) sipas mendimit të Fukahave (dijetarëve të Fik’hut) është atëherë kur njeriu është i pastër nga gjynahet e mëdha dhe nuk insiston në gjynahet e vogla. Kjo është në kontekstin e shpjegimit që vërtetësia (es-sidk) është e lidhur me mirësinë (el-birr) dhe të shpie drejt saj, kurse gënjeshtra (el-kedhib) është e lidhur me gjynahun, poshtërsinë (fuxhur) dhe të shpie drejt saj.
Shejkh Rabij' bin Hadij el-Medkhalij, [3] Allahu e ruajt, ka thënë në përgjigjen e tij ndaj kësaj pyetjeje:
“A është origjina e njerëzve se ata janë në Sunet?”
Kështu, ai u përgjigj:
“Si mund të jetë parimi bazë për njerëzit që ata janë në Sunet, kur kemi në rradhët tona Rafidat, kemi Batinijet, kemi Komunistët, kemi Hizbijunët dhe kemi njerëz nga çdo lloj grupi? Si mund të jetë parimi bazë për njerëzit që ata janë në Sunet? Kush i ka thënë këto fjalë? Edhe Ibn Tejmija, Allahu e mëshiroftë, e refuzon atë që thotë se parimi bazë për Muslimanin është se ai është i drejtë, i ndershëm (el-‘adale). Ai thotë se kjo fjalë nuk është e vërtetë, ngase Allahu i Lartësuar ka thënë për njerëzimin se ata janë të padrejtë (dhalum) dhe injorantë (xhahul):
“Në të vërtetë Ne ua ofruam Amanetin (përgjegjësinë, besimin, nderimin dhe gjithë detyrimet e urdhëruara nga Allahu) qiejve, edhe tokës, edhe maleve, por ata nuk pranuan ta mbajnë atë dhe kishin frikë prej tij (duke iu frikësuar Ndëshkimit të Allahut). Por njeriu e mori përsipër atë. Vërtetë që ai i bëri padrejtësi vetvetes dhe qe i paditur (për pasojat e tij) .”[4]
Kështu që, parimi bazë është se ai është në padrejtësi (dhulm) dhe injorancë (xhehl), domethënë fakti që ai ka hyrë në Islam nuk e bën atë të ndershëm, të drejtë, ose ashtu sikurse ka thënë edhe ai (Shejkhul-Islam Ibn Tejmije).
Pra, si mund të jetë ky parim bazë për njerëzit në vende të ndryshme ku ka çoroditje të mëdha dhe pjesa më e madhe e tyre nuk janë në Sunet – si mund të jetë ai [parimi bazë] që ata janë në Sunet? Sidoqoftë, nëse njihni ndonjë person që vjen nga një shkollë e caktuar Selefije, atëherë për të mbahet një mendim i mirë (ihsanu-dhann). Pra, ne mendojmë mirë për të.
Megjithatë, për sa i përket krejt botës që po shndërrohet në një vend me çoroditje të mëdha dhe ti nuk i njeh njerëzit (se ku janë ata, në Sunet apo në Bidat), atëherë duhet të njohësh njerëzit që janë në Hak. Dhe kjo është arsyeja përse disa (nga Selefët) thoshin: “Vërtet, kjo dituri është Feja, kështu që shikoni se prej kujt po e merrni atë.”
Kurse për sa i përket opinionit të atij që thotë se parimi bazë për njerëzit është se ata janë në Sunet, atëherë në këtë rast i bie që të marrësh nga çdo njeri që të del përpara.
Ibn Sirini ka thënë: “Vërtet njerëzit nuk pyesnin për isnadin (zinxhirin e transmetimit), por kur plasën fitnet...” - dhe fitneja e asaj kohe nuk ishte si ato që janë në kohët e sotme, ajo në fakt ishte më e vogël, - “... ata filluan të thonin: Na i përmendni burrat tuaj. Kështu, nëse ata ishin nga Ehli-Suneti, fjalët i pranoheshin; dhe nëse ishte nga njerëzit e bidatit, fjalët do t’i refuzoheshin.”
Kështu, ne i lutemi Allahut që t’u japë ju dhe ne sukses dhe që të shtohen Njerëzit e Sunetit, por megjithatë, për sa i përket fjalëve që hidhen pa patur ndonjë kufi, nuk është mirë që ato të thuhen.”[5]
[1] Ahzab, 72.
[2] Mexhmu’ul-Fetaua, 15/357.
[3] Ai është Imami i Xherhit dhe Ta’dilit, të cilin e kanë lavdëruar të gjithë dijetarët e Ehli-Sunetit dhe Xhematit, veçanërisht për shkak se ai është një prej atyre që janë të specializuar në këtë fushë të dijes.
[4] Ahzab, 72.
[5] Shkëputur nga kaseta me titull “Takim me Njerëzit e Jemenit” dhe është postuar në Sahab.net.
Përktheu: Alban Malaj