Shkëputur nga kaseta: Lika’a el-Bab el-Meftuh, n.47
Një prej studentëve i cili kishte thurur disa vargje për Shejkh Ibn ‘Uthejminin i drejtohet atij:
Pyetje: E gjithë lavdia i takon Allahut, salati dhe selami qoftë mbi të Dërguarin e Allahut. E më pas: Shejkh i nderuar, kërkoj aprovimin tuaj për këtë poezi që do të lexoj:
”Oh populli im, vërtet kjo natë do t’ia lërë rradhën agimit,
Dhe drita e tij do të përhapet në të gjithë tokën e njerëzimit.
Mirësia ka ardhur tashmë dhe jemi në pritje të fitores,
Dhe e vërteta është ngadhënjimtare pavarësisht përpjekjeve të së keqes.
Dhe me shoqërimin e bekimit të Krijuesit, rrugëtimi i saj është i kulluar,
Ajo nuk është e mangët e as e turbulluar.
Për sa kohë që mes nesh është biri i Salihut, Shejkhu i rizgjimit tonë,
Me njerëz si ai ndihmë dhe ngadhënjim shpreson.”
Përgjigja e Shejkh ‘Uthejminit (Allahu e mëshiroftë): “Unë nuk pajtohem me këtë lavdërim, sepse unë nuk dua të lidhet e vërteta me persona. Çdo person vjen e shkon, kështu që, nëse e lidhim të vërtetën me persona, kjo do të thotë se po vdiq personi njerëzit do t’i humbasin shpresat mbas tij.
Prandaj unë them: nëse është e mundur tani që të zëvendësohet vargu i fundit me thënien:
“Për sa kohë që menhexhi ynë është ai që kanë praktikuar Selefët tanë,
Me një menhexh të tillë ndihmë dhe ngadhënjim shpreson.”
atëherë kjo është në rregull.
Unë ju këshilloj që të mos e lidhni të vërtetën pas personave:
Së pari, sepse ata mund të devijojnë. Dhe ky është Ibn Mes’udi (radij-Allahu ‘anhu), i cili ka thënë:
من كان مستنًا فليستن بمن مات ؛ فإن الحي لا تؤمن عليه الفتنة .
“Kush e lidh veten e tij me dikë, le të lidhet pas atyre që kanë vdekur, sepse me të vërtetë i gjalli nuk është i sigurt nga fitnet.”
Nëse ju e lidhni të vërtetën me njerëz, mundet që personi të mashtrohet nga vetja e tij - Allahu na ruajt nga kjo gjë - dhe të ndjekë një rrugë e cila nuk është e saktë.
Prandaj, personi - së pari - nuk është i sigurt nga rënia në gabime dhe në Fitne, lusim Allahun të na forcoftë neve dhe juve!
Së dyti, personi do të vdesë, asnjëri prej jush nuk ka për të jetuar përgjithmonë:
وَمَا جَعَلْنَا لِبَشَرٍ مِنْ قَبْلِكَ الْخُلْدَ أَفَإِنْ مِتَّ فَهُمُ الْخَالِدُونَ (٣٤)
“E ne nuk kemi bërë askënd para tej të pavdekshëm. Atëherë, në qoftë se ti do të vdesësh, a do të jetojnë ata përgjithmonë?” [el-Enbija, 34]
Së treti, ndoshta ai mashtrohet nëse i sheh njerëzit që e grenë lart atë, e nderojnë dhe mblidhen rreth tij, dhe mundet që ai të mendojë se është i pagabueshëm, mundet të pretendojë për veten e tij pagabueshmërinë dhe se çdo gjë që bën ai është hak, dhe se çdo rrugë që merr ai është e lejuar; dhe nuk ka dyshim se kjo gjë do ta shpjerë atë drejt shkatërrimit të tij.
Dhe për këtë arsye, kur një burrë lavdëroi një burrë tjetër në prani të Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha atij:
ويحك قطعت عنق صاحبك.
“I mjeri ti, ia theve qafën shokut tënd.”
Dhe unë e falenderoj vëllain për vargjet gramatikore që thuri dhe i lutem Allahut që të më bëjë të mirë ashtu siç mendon vëllai për mua ose akoma më të mirë, por mua nuk më pëlqen lavdërimi.”
Përktheu: Alban Malaj