Autor: Shejkh Muhamed bin Hadi el-Medkhalij
Burimi: Shkëputur nga një kasetë e inçizuar më 16/1/1427 Hixhrij - 15/2/2006 E.K.
...Kështu që, ne duhet ta dimë me bindje se Allahu e mbron Pejgamberin e Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe gjithashtu, ne u bëjmë thirrje njerëzve që ta përkrahin atë. Por është detyrë për njerëzit që ta kuptojnë mirë - e në veçanti në këto ditë me fitne dhe trazira të mëdha - se përkrahja e Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) bëhet në rradhë të parë në vetet tona. Si? Duke e dashur atë (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Që ai të bëhet më i dashur për ne sesa familjet tona, fëmijët tanë dhe madje vetet tona, siç ka ardhur në një hadith sahih se ‘Umeri (radij-Allahu ‘anhu) i tha të Dërguarit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):
“Ti je më i dashur për mua sesa çdo gjë tjetër, përveç vetes sime.” Kurse i Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha: “Jo, derisa unë të bëhem më i dashur për ty edhe sesa vetja jote.” Kështu ‘Umeri (radij-Allahu ‘anhu) tha: “Pasha Allahun o i Dërguari i Allahut, ti je tani më i dashur për mua edhe sesa vetja ime.” I Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha: “Tani o ‘Umer.”
Pra, kjo është ajo që kemi obligim ne - dhe dashuria për të Dërguarin është duke ndjekur udhëzimin e tij. Është e çuditshme se si këto ditë shumë njerëz - dhe ne nuk po i hyjmë kësaj çështjeje sepse është krejtësisht një çështje më vete - por shumë njerëz bëjnë thirrje që të bojkotosh qumështin, djathin e kështu me rradhë. Nëse i hedh një sy personit që po t’i jep këto fletushka (ku bëhet thirrje për bojkotimin e këtyre produkteve), do të shohësh se ai vetë duket si ndonjë Xhorxh apo si ndonjë Xhon. Pantallonat e tij janë qesharake, flokët i ka të gjata dhe me një model aspak të zakonshëm... ata i presin mjekrrat dhe mustaqet e tyre duke u dhënë forma atyre (si pinceta) ose e rruajnë mjekrrën bashkë me mustaqet. Pra, nëse shikon rreth e rrotull vetes do të duket vetja sikur po jeton diku andej nga Evropa apo Amerika.
Ky është personi që po flet e po jep ato fletushka. Kjo tregon se dashuria për Fenë është e pranishme në zemrat e këtyre besimtarëve. Por, o vëllezërit e mi, a e keni shfrytëzuar këtë rast për t’u bërë da’ue atyre vëllezërve që janë në këtë gjendje? Si për shembull, ti po më thërret mua që unë të bojkotoj [këto produkte] - Allahu ua shpërbleftë - kjo tregon se ju e doni të Dërguarin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), ju e ruani atë dhe ju zemëroheni për Kënaqësinë e Allahut Subhanehu ue Te’ala për shkak se është sharë i Dërguari i Tij... por, o vëllezërit e mi, dëgjoni! Pejgamberi i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u sha nga Çifutët, ata i bënë atij magji, ata tentuan që ta vrisnin duke i hedhur një gur të madh mbi kokën e tij kur ai shkoi tek ata për të kërkuar ndihmë për të shpaguar gjakun e një burri që ishte vrarë nga ‘Amr Ibn Umeje, por që sigurisht ata nuk patën sukses. Çështja është se ai u fye, i bënë magji dhe ata u munduan që ta vrisnin atë (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), por pavarsisht të gjitha këtyre, ai vdiq ndërkohë që parzmorja e tij ishte lënë peng tek një Çifut për 20 Saa’ Elb [1]. Ai nuk i bojkotoi ata. Kurse ju sot keni rënë në diçka që është më e madhe sesa ajo në të cilën ju po thërrisni (për bojkot): Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ju ka urdhëruar që t’i bojkotoni ata në sjelljet e tyre duke thënë:
“Mos i imitoni Çifutët apo Kristianët.”
Ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë gjithashtu:
“Kush imiton një popull, ai është prej atyre.”
Ky hadith është i qartë, por në ditët e sotme sheh që shumë fëmijë të Muslimanëve me veshjet dhe pamjet e tyre u ngjasojnë tej mase Çifutëve dhe Kristianëve; mjekrrat e tyre janë të rruajtura, mustaqet e tyre janë të rruajtura, flokët e tyre janë të gjata e të modeluara që t’u ngjajnë atyre dhe vishen tamam si ata. Andaj, pse të mos bojkotojmë këto produkte, veshjet e tyre, për të cilat i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha ‘Abdullah Ibn ‘Amrit:
“O ‘Abdullah, këto janë veshje të mosbesimtarëve, prandaj mos i vish ato!”
Veshje të mosbesimtarëve, prandaj mos i vish ato! Ai nuk tha mos ha djathin e mosbesimtarëve. Ai tha: “O ‘Abdullah, këto janë veshje të mosbesimtarëve, prandaj mos i vish ato!” Kështu, ‘Abdullahu ndezi sobën dhe i hodhi ato brenda për t’i djegur.
Ajo që kemi nevojë tani është që ne të bojkotojmë atë që jemi urdhëruar për ta bojkotuar, që është imitimi i tyre, sepse imitimi i tyre nga pamja e jashtme të shpie në imitimin e tyre nga ana e brendshme, Allahu na ruajt!
Kështu që, ne e kemi detyrë që t’i lajmërojmë vëllezërit tanë Muslimanë dhe që të shfrytëzojmë situatën dhe rrethanat si këto të sotmet dhe t’i drejtojmë ata në drejtimin e saktë që mbështetet në argumente.
Unë i këshilloj vëllezërit që të lexojnë kapitullin e fundit të el-Xheuabus-Sahijh sepse Shejkhul-Islam Ibn Tejmije ka shkruajtur një përmbledhje të dobishme e konçize ku ai u mjaftua duke përmendur vetëm transmetime të sakta.
O ju vëllezërit e mi, ne e kemi obligim që të jemi studentë të dijes, që të mos rrëmbehemi nga ndjenjat dhe emocionet, por të ecim duke patur mendime të bazuara në rregulla dhe argumente Sheriatike që u përcollën nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), nga Shokët e tij dhe nga Imamët e Ehli-Sunetit, Allahu pastë mëshirë për të gjithë ata.
Përktheu Alban Malaj
Fundnota:
[1] Shënim i përkthyesit: Saa’ ëshë njësi peshimi që përdornin Arabët e cila ishte e barazvlefshme me katër grushte të mbushura plot.