Bismilah...

Autor: Muhamed bin Umer Salim Bazmul

 

Pyetje: Cilat janë rregullat e përdorimit të parimit: kritika e sqaruar (el-xherh el-mufesser) ka përparësi mbi lavdërimin (et-taa’diil)? Por kur kritika e sqaruar përplaset me lavdërimin e sqaruar, a merr përparësi lavdërimi i sqaruar mbi kritikën e sqaruar?

Shejkh Muhamed Bazmul: Dijetarët kanë thënë tekstualisht se xherhit i jepet përparësi mbi ta’dilin dhe kanë thënë se njeriu të cilit i është vërtetuar ndershmëria, pra dijetarët kanë thënë tekstualisht se ai ka ndershmëri dhe është i besueshëm, asnjë lloj kritike nuk pranohet kundër tij, përveç nëse kritika është e shpjeguar me fakte e argumente (xherh mufesser).

Kështu që, nga fjala e tyre përftohet se për personin të cilit nuk i është vërtetuar ndershmëria dhe dijetarët nuk kanë thënë që ai është i besueshëm, atëherë pranohet kundër tij kritika e përgjithshme (el-xherh el-muxhmel).

Ndërsa për sa i përket atij të cilit i është vërtetuar ndershmëria, asnjë kritikë nuk pranohet kundër tij, me përjashtim kur ajo është kritikë e sqaruar të (el-xherrh el-mufesser).

Pastaj ata thonë se kur kritika e sqaruar (el-xherh el-mufesser) përplaset me lavdërimin e sqaruar (et-taa’diil el-mufesser), - ashtu siç e përmendët ju në pyetje - ata thonë se xherhi nuk refuzohet përveçse atëherë kur lavdëruesi përmend shkaqet e xherhit (kritikës) dhe e refuzon atë. Si për shembull, kritikuesi i bëri xherh një personi për shkak të një problemi në akijden e tij. Kurse lavdëruesi thotë: “Po, ai më përpara e kishte atë problem në akijde, por më mbas ai e braktisi e nuk iu kthye më.”

Ose ai që bën xherhin thotë: “Personi nuk e mësoi përmendësh këtë dorëshkrim me hadithe, por i transmetonte hadithet nga ato që kishte memorizuar.” Kurse lavdëruesi thotë: “Po, ishte kështu, por pastaj ai u kthye dhe i dëgjoi sërish nga shejkhu i tij.” Kështu që, u përforcua prapë në memorien e tij dorëshkrimi origjinal dhe çdo hadith që transmetoi më mbas ishin vetëm nga dorëshkrimi origjinal.

Pra, nëse ai që bën lavdërimin (et-taa'diil) përmend arsyet përse është bërë xherhi dhe përse e refuzon atë, atëherë pranohet ky lavdërim (i sqaruar), me kusht që personi i cili po lavdërohet të mos jetë i njohur për dredhira, që pason epshet e tij dhe mashtron. Sepse është vërtetuar që disa njerëz japin lavdërim të sqaruar për një person të cilit dijetarët i kanë bërë xherh të sqaruar, ndërkohë që është vërtetuar se personi të cilit dijetarët i kanë bërë xherh të sqaruar, ai është prej njerëzve që bëjnë lojëra dhe ndjekin epshet, është prej njerëzve që kanë vetëmashtrim, se ai nuk i nënshtrohet hakut dhe nuk kthehet tek haku. Kështu që, fjalën e atij që e lavdëron atë njeri, edhe nëse lavdërimi i tij është i shpjeguar, ne nuk e pranojmë, sepse ne e dimë gjendjen e këtij njeriu. Dhe Allahu e di më së miri.

Pyetësi: Disa i hedhin poshtë fjalët e dijetarëve selefijinë që kanë refuzuar Ebul-Hasenin (Maribiun), me pretendimin se ka dijetarë që i japin tezkije atij, prej tyre është Shejkh 'Abdul-Muhsin el-'Abbad, janë dijetarët e Jordanisë dhe Shejkh Ibrahim Rruhajli. Cila është fjala juaj o Shejkh?

Përgjigje: Unë them se Shejkh 'Abdul-Muhsin el-'Abbad është prej dijetarëve të mëdhenj dhe ai ka një pozitë të lartë te ne këtu në Saudi, kurse ata të tjerët janë prej nxënësave të dijes e nuk janë prej ulemave, ata janë prej nxënësave të dijes. Ajo që shoh unë është se Shejkh 'Abdul-Muhsin nuk i ka parë të gjithë fjalët që kanë thënë ulematë që i kanë bërë xherh atij (Ebul-Hasenit). Parimi thotë se ai që bën xherh ka përparësi mbi atë që bën tadil. Unë po të njoftoj se si zbatohet (ky parim) dhe ti shiko se kush është e sakta. Nëse shohim ndonjë prej transmetuesve të hadithit që të takohet me Ahmed Ibën Hanbelin, ndërsa një burrë tjetër që është më poshtë Ahmed Ibën Hanbelit i ka bërë xherrh mufesser (kritikë të sqaruar) atij transmetuesi; ti a do ta pranosh fjalën e këtij që ka bërë xherh apo do ta refuzosh? Çfarë ke për detyrë ti?

Pyetësi: Nuk do ta pranoj o Shejkh.

Shejkh Muhamed Bazmul: Nuk do ta pranosh? Jo, e sakta është që ta pranosh fjalën e atij që ka bërë xherh, sepse ai që bën xherh ka njohuri shtesë. Kështu themi kur zbatojmë parimin: xherhi ka përparësi mbi ta'dilin.

Mund të vijë një njeri të cilin e kanë shpallur të besueshëm disa prej imamëve, e pastaj vjen një imam tjetër nga imamët e hadithit që qëndron më poshtë me dije sesa ata imamët e mëdhenj (që e shpallën të besueshëm) dhe bën xherh të sqaruar kundër atij. Atëherë ne themi se ky xherh duhet të pranohet, e sa i përket atyre imamëve, pavarësisht që janë të mëdhenj, atyre nuk iu është bërë e qartë gjendja e atij transmetuesit ashtu siç i është bërë e qartë këtij që i bëri xherh atij. Kështu themi edhe për çështjen e Ebul-Hasenit (Maribiut): ata që i kanë bërë xherrh Ebul-Hasenit në të vërtetë i kanë bërë atij xherh të sqaruar, janë bazuar për xherhin e tyre në fjalët e tij të shkruara nëpër librat e tij dhe në kasetat e tij që janë inçizuar në mësimet dhe ligjëratat e tij, si dhe janë bazuar në qëndrimet e ndryshme që ka mbajtur ai.

O vëlla, çdo bir i Ademit është gabimtar, e më të mirët prej gabimtarëve janë ata që pendohen. Askush nuk shpëton nga gabimi, mirëpo ithtarët e devijimit dhe epshit kur gabojnë dhe këshillohen, nuk kthehen porse insistojnë në gjërat e tyre të pabaza, tregohen kryeneçë dhe shkojnë mbas mendjeve dhe epsheve të tyre. Shejtani dhe shpirti që i urdhëron për të këqija ua zbukurojnë atyre mendimin se po u kthyen, pozita e tyre do të pakësohet te njerëzit, se njerëzve nuk do t'u kthehet më besueshmëria në diturinë e tyre, e se nuk do të kenë më pasuesa. Shejtani ua zbukuron atyre mendimin se po u kthyen dhe iu nënshtruan hakut, po u treguan të qartë në kthimin e tyre dhe kapen mbas Sunetit që iu sqarua atyre, atyre do t'u dobësohet autoriteti që kishin dhe do t'u pakësohet vlera e tyre. Prandaj atyre u futen epshet dhe u futet shejtani e luan për bukuri me ta në këto çështje. Askush nuk kthehet që të shpëtojë nga bidati dhe epshi përveç se ai që e ka mëshiruar Zoti im. Kjo ishte ajo që kisha unë. Allahu e di më së miri.

Pyetësi: Cili është qëndrimi i saktë që duhet mbajtur kundrejt atij që mbron dhe përkrah Ebul-Hasenin?

Shejkh Muhamed Bazmul: Qëndrimi i saktë që duhet mbajtur kundrejt atij që mbron Ebul-Hasenin është i njëjtë me qëndrimin që mbahet kundrejt atij që mbron bidatçijtë. Ne themi: Ai duhet të këshillohet, pra ky person që mbron bidatçijtë dhe i përkrah ata. Ai ose duhet të kthehet ose përndryshe do të trajtohet njësoj si bidatçijtë, duke paralajmëruar kundër tij, duke qëndruar larg prej tij, duke mos u ulur me të dhe duke mos e dëgjuar.

Dhe Allahu e di më së miri.

 

Përktheu: Alban Malaj

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org