Autor: Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh
Burimi: Mexhmu’ul-Fetaua, 24/174-175
Është vërtetuar nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ka thënë:
لَا يَحِلُّ لِمُسْلِمِ أَنْ يَهْجُرَ أَخَاهُ فَوْقَ ثَلَاثٍ يَلْتَقِيَانِ فَيَصُدُّ هَذَا وَيَصُدُّ هَذَا وَخَيْرُهُمَا الَّذِي يَبْدَأُ بِالسَّلَامِ
“Nuk i lejohet Muslimanit ta braktisë vëllanë e tij (duke mos i folur) më shumë se tre ditë. Ata takohen, ky nuk ia kthen fytyrën atij, dhe ai po ashtu nuk ia kthen fytyrën këtij, ndërsa më i miri prej tyre është ai që fillon i pari duke dhënë selam.” [1]
Po! Është vërtetuar nga ai (Pejgamberi – alejhi salatu ue selam) se e braktisi Kab ibën Malik dhe dy shokët e tij [2] – radijAllahu ‘anhum – kur ata nuk morën pjesë në betejën e Tebukut dhe mëkati i tyre u shfaq haptazi. Kihej frikë për ta nifaku, kështu ai i braktisi dhe urdhëroi Muslimanët që t’i braktisin, saqë i urdhëroi edhe gratë e tyre që t’i braktisin për pesëdhjetë netë me radhë por pa u shkurorëzuar prej tyre, derisa zbriti pendimi i tyre prej qielli.
Po ashtu Umeri – radijAllahu ‘anhu – urdhëroi Muslimanët që ta braktisin Sabig bin ‘Asel et-Temimijn, kur pa se ai ishte nga ata që ndiqnin ajetet e paqarta të Kuranit, derisa kaloi një vit dhe u bë e qartë besnikëria dhe sinqeriteti i tij në pendim. Si rrjedhojë e këtij pendimi, ai i urdhëroi Muslimanët që t’i flisnin. Kështu që, me këtë shembull dhe të ngjashmit si ky, Muslimanët besojnë se duhen braktisur ata që shfaqin shenjat e devijimit, siç janë ata që shfaqin haptazi bidatet dhe thërrasin për tek ato dhe ata që i shfaqin haptazi gjunahet e mëdha.
E sa për atë që e bën gjynahun fshehtas apo ai që bën një bidat fshehurazi që nuk është bidat kufri, ky nuk braktiset, por braktiset ai që thërret për në bidat. Pra, braktisja është një lloj dënimi, me të cilin dënohet ai që e shfaq gjunahun në vepra apo fjalë, kurse ai që na shfaq mirësi, ne e pranojmë atë që shfaq, ndërsa atë që fsheh përbrenda ia lëmë Allahut të Lartësuar, (siç është rasti) kur i erdhën atij në vitin e betejës së Tebukut duke u betuar dhe duke u arsyetuar (për pamundësinë e tyre për pjesëmarrje në luftë, sh.p.).
Për këtë arsye Imam Ahmedi dhe shumë nga Imamët tjerë para kohës së tij dhe mbas tij si Maliku e të tjerë, nuk e pranonin transmetimin e atij që thërriste në bidat dhe as që uleshin me të, në kundërshtim me atë që heshtën dhe nuk shfaqën bidatin e tij. Autorët e Dy Sahihëve (Buhariu dhe Muslimi) kanë nxjerrë hadithe nga njerëz të cilët janë akuzuar për bidat nga ata që nuk e shfaqnin bidatin dhe nuk kanë nxjerrë hadithe nga ata që thërrisnin në bidate.
Fundnota:
[1] Sahihu i Bukhariut, 6237.
[2] Dy sahabijtë e nderuar ishin Murareh ibnu er-Rabi' el-'Amrij dhe Hilal ibnu 'Umejjeh el-Uakifij – radijAllahu ‘anhuma. (sh.p)
Përktheu: Jeton Shasivari