Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed ibën Umer Bazmul

Burimi: Sherhu Sunen Ibën Maxheh, mësimi 19, min. 29:56, më datë 24/3/1439 h.

Burimi: https://soundcloud.com/radiosunnah/mb1019

 

 

Fjala e tij:

 

وَإِنَّ فَضْلَ الْعَالِمِ عَلَى الْعَابِدِ كَفَضْلِ الْقَمَرِ عَلَى سَائِرِ الْكَوَاكِبِ

“... dhe vlera e dijetarit në krahasim me atë që bën adhurim (ibadet), është sikur vlera e hënës ndaj yjeve tjera.”

 

Them: ky hadith na tregon për madhështinë e njerëzve të dijes, sepse dobia e njerëzve të dijes nuk kufizohet vetëm te vetja e tyre; sepse dobia e diturisë është në dobi të vet njeriut që e posedon atë dituri si dhe është e dobishme edhe për të tjerët. 

 

Përfytyro! Përfytyro! Ti prezanton në një ligjëratë te njëri që jep këshilla fetare për një orë e gjysmë dhe ndjehesh shumë mirë! Ky që të jep këshilla, të rrëfen tregime dhe ngjarje. Ta zbut zemrën! Të përmend shumë gjëra, por nuk të mëson (fenë-sheriatin). Ti prekesh! Të lotojnë sytë! Të dridhet zemra! Ndjen një farë përulje të madhe ndaj Allahut! Mbaron ligjërata dhe ti del e shkon. Pas një ore apo gjysmë ore, ajo përulje ndaj Allahut që kishe, mbaroi. Madje, as që ke përfituar ndonjë gjë. 

 

Por, kur ulesh të një dijetar, dëgjon një fetva, dëgjon një përgjigje rreth një çështjeje për dhjetë minuta, e dëgjon me zor, nuk ta ka qejfi dhe dole prej aty. Gjatë gjithë jetës tënde, çdoherë që të rastis kjo çështje, të kujtohet kjo dispozitë për këtë çështje dhe kështu përfiton prej saj. Andaj, bëni dallim midis tubimeve të diturisë dhe tubimeve të këshillave! Bëni dallim midis dijetarëve dhe tregimtarëve! [1]

 

Shiko! Një nga problemet që kanë ndodhur te ne për shkak të disa xhemateve, është se ata na kanë sjellë këto probleme të mëdha (ngarendjen e rinisë mbas tregimtarëve). Këto xhemate (sekte), panë nxënësit e dijes dhe dijetarët që i drejtojnë dhe i udhëzojnë njerëzit në kërkimin e dijes sheriatike dhe se kjo gjë ua pret rrugën atyre. Për shkak të kësaj, këto xhemate nxorën në shesh koka të reja që i bënë të njohur, i zbukuruan, i përshtatën dhe u përqendruan te këto koka, duke i shfaqur nëpër media dhe ua nxorën njerëzve. Njerëzit i morën injorantët për udhëheqës fetarë.

 

Vet ky (injorant) thotë se unë nuk jap fetva! Unë nuk jap fetva! Unë s’jam mufti! Fillon e flet një herë, dy herë, tre herë dhe herën e pestë fillon e jep fetva. Në tubimin e shtatë me radhë fillon e jep fetva! Në tubimin e tetë me radhë fillon e jep fetva! Ai tha se nuk do jap fetva. Në rregull.

 

Sikur rasti i atyre që kanë dalë dhe flasin për “Mrekullitë Shkencore në Kuran” dhe fillon e i zhyt njerëzit në këtë, dhe fillon t’i largojë njerëzit nga dituritë Sheriatike dhe ua bënë që ta duan këtë drejtim (mrekullitë shkencore në Kuran). Sikur rasti atyre që na kanë dalë tani me tregime e rrëfime, duke thënë:

“Vendi ku mbahet ligjërata është i mbushur plotë!”

“Xhamia mbushet plotë!”

“Ka shumë makina përreth xhamisë!”

“Policia rrugore u ka bërë shumë gjoba makinave gjatë këtyre ditëve (për shkak të numrit të madh të tyre dhe janë parkuar në hapësira të ndaluara).”

 “Kini kujdes kur i parkoni makinat jashtë se mos merrni ndonjë gjobë!”

 

Ata thonë: “Xhamia mbushet plotë!” “Ka shumë makina jashtë!” “Çfarë ligjëratë është?!” “Është filani!” Kur pyetën se për çfarë ishte ligjërata? Njerëzit thonë: “Nuk e di – pasha Allahun! Tema ishte kështu e ashtu. Ishte një këshillë!”

 

Ki kujdes! Të gjitha këto janë pengesa që të largojnë nga dituria Sheriatike. Kjo është një nga veprat e njerëzve të bidateve dhe devijimit, me qëllim që të të largojnë nga rruga e saktë. Mos u mashtro nga numri i shumtë i atyre që kanë devijuar! Mos u mashtro nga numri i shumtë i pasuesve! Mos u mashtro nga numri i madh i njerëzve në lidhje me këto gjëra.

 

Njëherë, po flisnim me disa nga vëllezërit tanë nga Kuvajti dhe unë e përmenda këtë koncept si dhe përmenda dy tregime – ne i refuzojmë tregimtarët por këto dy tregime janë të dobishme.

 

(Tregimi i parë)

Një njeri tregon për jetëshkrimin e ‘Ata ibën Ebi Rabah në “Sijeru ‘Alami Nubela (Jetëshkrimet e Kolosëve Fisnikë) dhe thotë: po dëgjoja për grupin e nxënësve që vinin në mësimet e ‘Ata-it. Kështu erdha në Mekke dhe pyeta për vendin e mësimeve të ‘Ata-it. Më tha njëri se është atje te ajo shtylla. Unë shkova dhe kur po shoh se ishte shejkhu (‘Ata) dhe katër veta që prezantonin në mësim. Më tha: “Këta janë nxënësit e Ata-it.”

 

(Tregimi i dytë)

Shejkh Abdul-Aziz bin Baz – Allahu e mëshiroftë – në fund të jetës së tij, mbante mësime pas sabahut. Shejkh bin Bazi lodhej (gjatë ditës). Kështu që, kolegët e tij i shkuan dhe i thanë: “O Shejkh! Do ishte mirë sikur të pushoje. Nuk ka nevojë për mësim. Numri i atyre që prezantojnë në mësim është i vogël. Ai tha: “Sa prezantojnë?” Ata i thanë: “Prezantojnë shtatë apo gjashtë veta.” Në mësimet e Shejkh bin Bazit. Shejkhu tha: “Jo! Jo! Mirë qenka! Vazhdojmë me mësimet. Ka dobi.”

 

Tani, shenjë e dijetarëve që pasojnë Selefët është se kur ata bëjnë një ligjëratë apo diçka të ngjashme, numri i atyre që prezantojnë është i vogël. Nga ana tjetër, shenjë e dijetarëve të ‘rizgjimit,’ të atyre që kanë orientime të devijuara, është numri i madh i atyre që prezantojnë.

 

Më tregoi një nga vëllezërit nga një vend, për një nga kokat e bidateve që kanë atje, e më tha: “Kur kemi ndonjë tubim ku flitet për dituri dhe për çështjet e diturisë, që mbahet midis ikindisë dhe akshamit, nuk prezanton vetëm së një numër i vogël njerëzish. Nga ana tjetër, kur vjen takimi për të bërë komente rreth politikës dhe zgjidhjeve politike, mbushet xhamia dhe si pasojë bëhet trafik jashtë midis kohës së akshamit dhe jacisë.” 

 

E njëjta gjë ndodhi në Xhiddeh kur ne mbajtëm mësim, e njëjta gjë ndodhi nga ana e disave. Në kohën e tubimit ku ka dije Sheriatike, nuk ka asnjë. E në kohën kur është takimi për të folur për tema të tilla si më sipër, mbushet xhamia. Pse? Sepse kjo është një nga format e devijimit në të menduarit, devijim në vështrimin e çështjeve. 

 

Kjo është dituria e vërtetë (sheriatike)! E nuk është dituri ajo që flasin ata (për tregime, ngjarje, politikë, etj). Kjo dituri është rruga që të shpie në Xhennet, e nuk është ajo rruga tjetër (e tregimtarëve) që të shpie në Xhennet. Për këtë dituri (sheriatike) melaiket i shtrijnë krahët e tyre për nxënësin e dijes duke qenë të gëzuar për atë që ka marrë përsipër nxënësi, e nuk i shtrijnë krahët për atë llojin tjetër të diturisë. Por... kështu janë këto grupe të devijuara, punojnë për devijimin e këndvështrimit...

 

Ke raste kur dikush e cilëson ndonjërin se është dijetar i kualifikuar dhe i aftë... saqë njeri ma përshkroi njërin duke më thënë: “Ky është nga dijetarët e rrënjosur në dituri!” Pasha Allahun, edhe tani më kujtohet kjo dhe në atë kohë unë isha në universitet. E dëgjova atë dijetarin, e pashë dhe thashë: ku është ky i rrënjosur në dije?! Nuk pashë gjë! Nuk pashë që ai të ishte i rrënjosur në dije. Porse këta njerëz kështu mendojnë.

 

Tani, ata duan që ta madhërojnë atë dhe duan që ta bëjnë të shquar e ta bëjnë të njohur te njerëzit. Mbaroi me kaq. Sipas tyre ai është prej atyre që janë të rrënjosur në dije, prej atyre që e përcjellin fenë. Nëse ky tregimtar i tyre burgoset (nga shteti) apo ndalohet (nga mësimet nga ana e shtetit), atëherë ky bëhet për ta kurora e dijetarëve. Këto janë botëkuptime të përmbysura! Këto janë botëkuptime të përmbysura! Atë që udhëheqësi e ndëshkon me urdhër të dijetarëve ngaqë ai i devijon njerëzit, ai del nga burgu me kurorë mbi kokë, besueshmëri dhe vërtetësi në fjalë dhe vepra. Ky thirrës është dhënë pas problemeve dhe mbreti e burgos...

 

Kjo fjalë që e thonë ata (që e madhërojnë atë thirrës që e arreston mbreti) është peshore e përmbysur dhe botëkuptim i kundërt. Dhe në fund, këto fjalë të largojnë nga e vërteta.

Andaj, ki kujdes dhe ruhu!  

 

________________________________________

[1] (Shënim i përkthyesit):

 

(1) Xhelaluddin es-Sujutij – Allahu e mëshiroftë – thotë:

“Nga krimet më të mëdha të tregimtarëve (el-Kussaas) është se ata shpikën hadithe.”

Burimi: Tahdhirul Khauas min Ekadhibil Kussaas, fq. 14, Mektebetul-Islamij, botimi i dytë.

 

(2) Ibnul Xheuzij – Allahu e mëshiroftë – në kapitullin “Pështjellimet e Iblisit që u bën predikuesve fetarë dhe tregimtarëve,” thotë:

“Më përpara, ata që jepnin këshilla dhe predikime, ishin dijetarë dhe fukaha. Ibën Umeri prezantonte në tubimet e Ubejd ibën Umejr (el-Lejthi) dhe Umer ibën Abdul-Aziz prezantonte në tubimet e një tregimtari, pastaj kjo vepër u bë gjë e urryer për të dhe e la atë tregimtar. Si rrjedhojë, të paditurit u dhanë pas këtyre tregimtarëve dhe të dalluarit nga mesi i njerëzve u larguan prej tyre, kurse njerëzit e thjeshtë dhe gratë u lidhën me këta tregimtarë. Këta tregimtarë nuk merreshin me dije, por u dhanë pas asaj që u pëlqen të paditurve. Dhe kështu bidatet në këtë fushë ishin të llojllojshme.

 

Fatkeqësitë e tregimtarëve i kemi përmendur në librin “el-Kussaas ue el-Mudhekkirin,” dhe këtu po i përmendim disa prej tyre:

 

·                    Disa prej tregimtarëve shpikën hadithe për t’i nxitur njerëzit në bërjen e veprave të mira dhe për t’i frikësuar ata nga veprat e këqija. Iblisi ua pështjelloi gjërat se ne kemi për qëllim nxitjen e njerëzve për të mirë dhe ndalimin e tyre nga e keqja. Ky pretendim i tyre, bie ndesh me Sheriatin, sepse me këtë vepër që bëjnë ata, sipas tyre Sheriati është i mangët që ka nevojë për plotësim. Pastaj, ata harruan fjalën e tij – sal-lAllahi alejhi ue sel-lem –:

 

مَنْ كَذَبَ عَلَيَّ مُتَعَمِّدًا فَلْيَتَبَوَّأْ مَقْعَدَهُ مِنَ النَّارِ

“Kush gënjen për mua qëllimisht, le të zë për veten e tij një vend në Zjarr.” (Bukhari, 110).

 

·                    Ata hidhnin fjalë që i preknin shpirtrat, ngazëllenin zemrat, duke folur fjalë prekëse e të llojllojshme për këto tema. I shihje ata duke recituar poezi dashurie. Iblisi i pështjellonte se ne me këtë aludojmë në dashurinë ndaj Allahut të Lartësuar...”

  Burimi: Kitabu Telbis Iblis, fq. 337, Medarul Uatani li Neshr, botimi i dytë, viti 2016.

 

 (3) Ka thënë i Dërguari i Allahut – sa-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

 

إن بني إسرائيل لما هلكوا قصوا

“Bijtë e Israilit kur u shkatërruan, filluan të merren me rrëfimin e tregimeve.”

 

Shejkh Albani në “Silsiletul Ehadithi Sahihah,” në komentmin e këtij hadith thotë:

“(Ibnul-Ethir) në (veprën) ‘en-Nihajeh,’ ka thënë: ‘Bijtë e Israilit kur filluan të rrëfejnë tregime, u shkatërruan.” Në një transmetim tjetër qëndron “kur u shkatërruan, filluan të rrëfejnë tregime. Pra, ata u mbështetën në fjalë dhe i lanë veprat. Si rrjedhojë, ky qe shkak për shkatërrimin e tyre. Apo e kundërta: kur ata u shkatërruan me lënien e veprave, filluan të jepen pas tregimeve.”

 

Unë (Shejkh Albani) them: mund të thuhet se shkaku i shkatërrimit të tyre ishte përkujdesja e këshilluesve fetarë të tyre për tregimet dhe rrëfimet, duke e lënë anash fik’hun dhe dijen e dobishme, me të cilën njerëzit mësojnë fenë e tyre dhe kjo i shtyn që ata të bëjnë vepra të mira. Kur Bijtë e Israilit e bënë një gjë të tillë, u shkatërruan.

 

Kjo është gjendja e shumicës së tregimtarëve në kohën tonë, të cilët gjatë këshillave të tyre, më së shumti flasin rreth Israilijateve, historive prekëse dhe sufizmave.

Allahut i kërkojmë mirëqenie. 

Burimi: Silsiletul-Ehadithi Sahihah, 4/246, nr. i hadithit [1681].

 

(4) Shejkh Ahmed en-Nexhmi – Allahu e mëshiroftë – është pyetur:

“Shejkh i nderuar, Selefët e ndalonin uljen te tregimtarët, çfarë është për qëllim me “tregimtarët”? Dhe përmendja e asaj që e ka treguar Allahu dhe i Dërguari i tij në Kuran dhe Sunnet për njerëzit, a futet në ndalesën që ka ardhur nga Selefët apo jo? Ne jepni në fetva, Allahu ju shpërbleftë?

 

Përgjigje: Qëllimi me “tregimtarët” është se ata në këshillat e tyre që u japin njerëzve, mbështeten në tregime, dhe kjo ekziston tani në mjedisin tonë. Predikuesit (ligjëruesit) të cilët mbështeten në tregime, konsiderohen tregimtarë. Kjo është metoda e shumicës së predikuesve fetar gjatë këshillave të tyre në kohën tonë, dhe gjatë fjalimit të tyre sheh se ata sjellin shumë tregime, histori prekëse, nuk ndalen që t’ua mësojnë njerëzve akiden e as t’ua mësojnë dispozitat sheriatike, si namazet e obliguara dhe mënyrën e kryerjes së tyre si dhe mangësitë që kanë në namaz.

 

Kjo është metoda e tyre: sjellin shumë tregime dhe histori prekëse – siç thashë më lart.  Kurse tregimet (ngjarjet) që i ka përmendur Allahu – Azze ue Xhel-le – për popujt e mëhershëm, kjo nuk përfshihen te tregimet e qortuara që i kanë përmendur Selefët.

 

Po ashtu, atë që e ka treguar Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – po ashtu nuk është nga tregimet e qortuara, siç është tregimi i të verbrit, qerosit dhe lebrozit, të cilët u sprovuan, si dhe tregime të ngjashme si këto, duke qenë në dijeni se ndalesa është për shpeshtimin e tregimeve. Po ashtu baza në thirrjen për tek Allahu dhe predikimit është libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Çdo gjë që flitet përtej këtyre dyjave, nëse është e pakët nuk ka problem. Por ndalesa ka ardhur për shpeshtimin e këtyre tregimeve.

 

Prej Allahut vjen suksesi.

Burimi: El-Fetaua el-Xhelijeh an el-Menahixh ed-D’auijjeh, vëll. 2, fq. 75, botimi “Darul-Minhaxh”.

 

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari