Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij
Burimi: www.rabee.net
Pyetje: Kush është këshilla juaj o Shejkh drejtuar atij që ulet me pasuesit e epsheve, merr pjesë në mbledhjet e tyre dhe përshëndetet me qëllim që të sigurohet për atë çfarë thonë ata dhe pastaj ta përdorë (këtë informacion) për të debatuar me ta?
Shejkh Rabij': Shumicën e rasteve një person i tillë përfundon duke u kthyer në hizbi, ose në tablig, ose ndonjë lloj sufisti, ose ndonjë shija. Patjetër që të tillë njerëz dënohen nga Allahu - Xhel-le ue ‘Ala - ngase me të vërtetë ata po dalin kundër rrugës dhe udhëzimit të Muhamedit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - dhe Selefëve, ndërkohë që po e vënë në rrezik fenë e tyre; shumicën e rasteve ata humbasin, devijojnë dhe bashkohen me grupet e hizbive.
Ibn ‘Akil ishte një mal nga malet e zgjuarsisë, mençurisë dhe diturisë. Ai u këshillua që të mos shkonte (dhe të mos ulej) me Mu’tezilët (por megjithatë ai nuk ia vuri veshin këshillës), ai shkoi tek ata dhe u bë Mu’tezil.
Ebu Dherri ishte një nga studentët e Darakutnit, Imami i Sunetit. Ai (Ebu Dherri) dëgjoi disa fjalë (nga njerëzit e bidatit) të cilat e pushtuan dhe kështu ai u bë Shija.
‘Abdur-Rrazzaku ulej me Xha’fer bin Sulejman ed-Dabi’i i cili kishte disa nga rrugët e Shijave dhe kështu ai (‘Abdur-Rrazzaku) ndryshoi. Ai pranoi Shi’izmin dhe kështu u bë një miskin që u shkretua nga Shi’izmi, edhe pse Shi’izmi që kishte ai nuk ishte aq ekstrem dhe ai nuk duhet të fajësohet (njësoj me Shijat ekstremistë). Por megjithatë ai ra në Shi’izëm dhe u ndikua prej tij.
Kështu që, ai i cili ulet me njerëzit e të pavërtetës (ehlul-batil) patjetër që ka për t’u ndikuar nga ata megjithë qëllimin që kanë ata. Nuk ka rëndësi se çfarë pretendojnë ata, sigurisht që ata do të ndikohen pasi i Dërguari - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - është më besniku të cilit mund t’i zihet besë. Ai - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka paralajmëruar kundër kësaj dhe ka thënë:
“Shembulli i mexhlisit të mirë dhe mexhlisit të keq është si shembulli i shitësit të miskut dhe farkëtarit. Nga shitësi i miskut ose do të blesh misk ose më e pakta do të kënaqesh me erën e tij të mirë. Kurse farkëtari ose do të djegë rrobat e tua, ose do të marrësh erën e keqe që vjen prej tij.”
Mexhlisi i mirë – masha`Allah – ka tri variante të mundshme, që të gjitha ato janë të mira. Ai (shitësi i parfumit) ose do të japë dhuratë një të tillë duke të thënë “Mund ta marrësh këtë”, “Mund të bëhesh pak me këtë”, ose mund të të japë një shishe me parfum (si dhuratë). Ose ti do të blesh ndonjë parfum nga ai. Ti do përfitosh prej tij dhe kjo është një gjë e mirë. Ti nuk po blen prej tij alkool apo diçka që është haram, por ti po blen prej tij erëza të mira të cilat Allahu i do, diçka me të cilat inkurajohesh që të lyhesh para se të falesh apo para se të shkosh në xhami. Ose më e pakta do nuhasësh erën e tij të këndshme dhe kjo është gjithashtu një gjë e mirë.
Mexhlisi i keq është njësoj sikur të ulesh me farkëtarin. Ai ose do të t’i djegë rrobat ose ai do të kundërmojë me erën e tij të keqe e cila do të shkaktojë ndonjë kancer apo ndonjë sëmundje tjetër, Allahu na ruajt nga një gjë e tillë.
Kështu pra, mexhlisi i keq patjetër që do të ndikojë tek ty dhe do të lërë pasoja të këqia.
“Njeriu është në fenë e shokut dhe mikut të tij, kështu që le të shohë çdonjëri nga ju se me kë po shoqërohet.”
“Shokët atë Ditë do të jenë armiq me njëri-tjetrin përveç El-Muttekunëve (ata që i janë nënshtruar Allahut duke zbatuar urdhërat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij) .” [Zukhruf, 67]
Njerëzit e epsheve dhe bidateve nuk janë nga Mutekunët. Ju keni ajete dhe hadithe të cilat ju paralajmërojnë (kundër uljes me njerëzit e bidatit). (Por megjithëkëtë) ti thua: “Jo, më lër rehat (s’ka për të më ndodhur një gjë e tillë).” Kush të ka siguruar ty me këtë mburojë të padepërtueshme? Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - i paralajmëronte Sahabët (që të mos uleshin me njerëzit e bidatit), Selefët, të cilët ishin të palëkundur si malet (plot dije, iman, devotshmëri dhe të kapur pas Hakut) i mbyllnin veshët (që të mos i dëgjonin njerëzit e bidatit) dhe nuk donin të dëgjonin asgjë nga ata. Kurse ti, ti shkon tek ata, u bën vizitë dhe ulesh në mexhliset e tyre (kështu do të prekesh nga e keqja e tyre, nga mashtrimet dhe akuzat që hedhin ata).
Ne jemi përpjekur tej mase, jemi përpjekur tej mase për më shumë se tridhjetë vjet, jemi përpjekur (të mbajmë kontakte me këta njerëz). Ata janë mashtruar, ata kanë humbur dhe kanë rënë poshtë. Rezultati i tyre përfundimtar është përcaktuar: Ata do të jenë të humbur (dhe të mjeruar). Allahu na ruajt!
Pak rëndësi ka se sa zgjuarsi ke fituar, (nëse ulesh me ta) atëherë me të vërtetë Allahu ka për të ndëshkuar. Zgjuarsia jote nuk do të vlejë hiçgjë. Ti duhet të ndërmarrësh hapat dhe masat e duhura që ta ruash dhe ta mbrosh këtë Fe që të ka dhënë Allahu. Mos luaj me këtë mirësi!
Tani, shikoni se të gjithë hizbitë e këtij vendi (Arabia Saudite), të gjithë ata ishin në fillim Selefij pasi origjina e këtij vendi është Selefizmi. Të gjithë ata qytetarë vendas (të Arabisë Saudite) të cilët u bënë hizbij, u kthyen për shkak se ata u përzien (me hizbitë), jetonin mes tyre, lexonin librat e tyre dhe dëgjonin kasetat e pasuesve të epsheve.
Çdonjeri që shikon tani, për të cilët thuhet se janë hizbij, të gjithë ata humbën si rezultat i kësaj rruge; ata që të gjithë u tërhoqën dhe u shkatërruan nga kjo filozofi: “Unë po marr të mirën dhe po e lë të keqen.” (Në të vërtetë) ata po marrin të keqen dhe po lënë të vërtetën, ata janë bërë armiqtë e të vërtetës. Ata kanë rënë deri aty sa që janë bërë luftuesit e njerëzve të Hakut.
Përktheu Alban Malaj