Autor: Shejkh Salih Ibn Sead es-Suhajmi
“Kini kujdes mos të jeni të ngutur në dhënien e gjykimeve mbi të tjerët dhe kini kujdes mos të jeni të ngutur duke u marrë vetëm me gjurmimin e gabimit tek vëllai yt. Disa njerëz janë të ngutur në dhënien e gjykimeve mbi vëllezërit e tyre, ndërkohë që ata janë të gjithë shokë të një menhexhi dhe obligojnë atë që nuk mund të obligohet. Ata i zbatojnë tekstet (sheriatike) në vende të gabuara dhe i përdorin tekstet si argument për tjetër gjë në vend të domethënies së tyre të vërtetë. Ata i marrin fjalët e vëllezërve të tyre jashtë kontekstit të tyre, dhe kështu ai shtiret sikur ka dije, ka arrogancë, ashpërsi në fjalë dhe gjëra të tjera që s’mund të imagjinohen. Andaj ruhuni nga kjo rrugë!
ادْعُ إِلَى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُمْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ
“Thirr në Udhën e Zotit tënd me Urtësi dhe me këshillë të ndershme e të bukur dhe bisedo me ta në mënyrën më të mirë.” [en-Nahl, 125]
Unë ju tërheq vëmendjen për shtrembërimin e fjalëve të Ulemave dhe marrjen e tyre në mënyrë të gabuar, duke iu shmangur qëllimit të tyre të vërtetë, ngase disa mund të shkojnë tek një dijetar i nderuar apo tek ndonjë shejkh fisnik dhe pastaj i paraqesin atij një çështje të diturisë duke i thënë: “O shejkh! Ç’mendim keni për ata që thonë kështu e kështu?” Dhe Shejkhu, Allahu i dhëntë atij sukses, i jep një përgjigje të drejtë, të bukur e të fuqishme në vendin e duhur. Më pas, kjo shfaqet në disa faqe interneti, në disa nga mbeturinat e internetit, dhe të shtyrë nga zullumi dhe armiqësia, ata e vendosin këtë përgjigje duke i vënë titullin: [blockquote]“I nderuari Shejkh Filani refuzon filanin!”[/blockquote]
Dhe kështu pretendohet se ai ka refuzuar një nga Ulematë apo studentët e dijes që është në menhexhin e Ulemave. Ky është një rrezik shumë i madh dhe është shtrembërim i fjalëve duke i nxjerrë ato jashtë kontekstit të tyre. Faqet e internetit janë të mbushura plot e përplot me këto pisllëqe, andaj kini kujdes, kini kujdes nga ato! Shkëputuni nga të gjitha ato faqe interneti që ndjekin këtë rrugë dhe qëndroni larg prej tyre! Të gjitha ato faqe interneti që nuk kanë interes tjetër përpos përhapjes së materialeve për të rinjtë, ata që janë të rinj në mendje dhe të papjekur, të cilët njollosin reputacionin e studentëve të dijes (duke thënë) “Ata kanë ndryshuar këtë e këtë” dhe fjalë të tjera të këti lloji. Kjo është si puna e beduinit që thotë, “Filani vrapon me ujkun dhe ecën përkrah bariut.”
Shumë njerëz ndjekin këtë rrugë dhe i shikoni ata se gjithmonë ndryshojnë dhe nuk kanë qëndrueshmëri. Sot janë me filanin kurse nesër janë me filanin! Andaj kini kujdes nga dhënia e gjykimeve ose që ta lidhni dauetin tuaj mbas personaliteteve, ngase nuk ka dyshim se kjo është një gjurmë e hizbijes së pështirë kundër të cilës ne paralajmërojmë. Mirëpo ne mund të biem edhe vet tek kjo hizbije aty ku s’na vete mendja.
Ruhuni nga kjo! Merrni shembull të Parët tanë të Mirë, ndiqni menhexhin e Dijetarëve tanë në thirrjen për tek Allahu Xhel-le ue ‘Ala, të tillë si Shejkhu ynë Ibn Baz, Shejkhu ynë el-‘Uthejmin, Shejkhu ynë el-Emin (Shenkijti), Shejkhu ynë el-Albani, Allahu pastë mëshirë për ta. Dhe Shejkhu ynë Hammad (el-Ensari), Shejkhu ynë ‘Umer bin Muhamed Falata, Shejkhu ynë Muhamed Aman dhe të tjerët që kanë shkuar tek Zoti i tyre, Allahu pastë mëshirë për ta.
Dhe poashtu Ulematë tanë që janë sot, të tillë si Shejkhu ynë, Muftiu i nderuar ‘Abdul-‘Azijz bin ‘Abdullah Ali Shejkh, Shejkhu ynë i nderuar Salih el-Feuzan, Shejkhu ynë i nderuar Salih el-Luhejdan, Shejkhu ynë i nderuar ‘Abdullah el-Gudejan, Shejkh Salih Ali Shejkh, Shejkhu ynë i nderuar ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad el-Bedr, Shejkhu ynë i nderuar ‘Ali bin Nasir el-Fakijhi, Shejkhu ynë i nderuar Rabij’ Ibn Hadi el-Medkhalij, Shejkhu ynë i nderuar Zejd Ibn Hadi el-Medkhalij, Shejkhu ynë i nderuar en-Nexhmi – Allahu e mëshiroftë – dhe të tjerë të cilët nuk i përmenda në mënyrë që të bëj një përmbledhje për shkak të kohës në dispozicion.
E sa na përket ne të vegjëlve, apo disave prej nesh, atëherë kini kujdes mos t’i bëni ata pikë referimi për vetet tuaja, me përjashtim të atyre që ndjekin shembullin e atyre Ulemave, siç ju shpjegova dhe disa prej të cilëve i përmenda. Kush ndjek rrugën e tyre, ne marrim prej tyre, dhe kush kundërshton rrugën e tyre, ne qëndrojmë larg prej tij. Dhe kush kërkon famë duke përhapur akuza, duke gjurmuar dhe duke njollosur reputacionin e vëllezërve të tij dhe të tjerëve, atëherë kjo është një çështje shumë e rrezikshme andaj qëndroni larg prej saj!
Allahu ju dhëntë sukses të gjithëve në dije të dobishme dhe vepra të mira. Salati dhe salami qoftë mbi Pejgamberin tonë Muhamed, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.”
Përktheu: Alban Malaj