Autor: Shejkh Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli
Një prej dyshimeve të tyre, të cilin e përsërisin vazhdimisht dhe fatkeqësisht po përhapet tek ata që nuk kanë dituri dhe po përhapet në mesin e grave në veçanti, për shkak të emocioneve që i pushtojnë ato, është ai dyshimi që thonë: “Sot, kryetarët Muslimanë, ua shesin naftën pabesimtarëve. Nafta është instrumenti lëvizës i mjeteve. Aeroplani nuk fluturon veçse me naftë. Tanku nuk lëviz pa naftë. Shitja e naftës është ndihmesë për qafirat ndaj luftës së tyre kundër Muslimanëve.”
Përgjigja për këtë dyshim është në disa këndvështrime:
Këndvështrimi i parë:
Ndalimi i shitjes së naftës nga ana e Muslimanëve ndaj qafirave sjell dëme për Muslimanët dhe është pengesë për interesat e tyre, dhe nuk largohet dëmi i përmendur. Nëse do themi: ndalohet shitja e naftës për pabesimtarët. Pra, Muslimanët nuk e shesin naftën. Si rrjedhojë e kësaj, ekonomia e Muslimanëve do të pësojë rënie dhe kjo do të shkaktojë dëme të mëdha për Muslimanët. Karshi këtij dëmi, a ka ndonjë dobi? Përgjigja është se nuk ka ndonjë dobi. Përse? Sepse ajo që dihet është se Pabesimtarët kanë burime tjera për prodhimin e naftës. Pabesimtarët kanë marr mësim nga historia. Kur mbreti Fejsal – Allahu e mëshiroftë – ua ndaloi naftën (në vitin 1973), kjo gjë kishte ndikim në atë kohë. Pastaj, pabesimtarët morën mësim prej kësaj eksperience dhe kanë rezerva të mëdha të naftës. Ata kanë shpikur atë që quhet “naftë argjilore” e cila nxirret nga argjila. Nëse Muslimanët e ndalojnë shitjen e naftës, si pasojë e kësaj, nuk do të pësonin dëme vetëm se Muslimanët dhe nuk do largohej dëmi i përmendur.
Këndvështrimi i dytë:
Tërheqja e shteteve Islame nga shitja e naftës ndaj pabesimtarëve është shpallje e armiqësisë nga ana e shteteve Islame kundër tyre, ndërsa Muslimanët nuk kanë fuqi që t’i mposhtin ata. Kështu që, mos-shitja e naftës ndaj qafirave sjell dëme më të mëdha se shitja e naftës. Një parim Sheriatik thotë: nëse grumbullohen shumë dëme, zgjidhet dëmi më i vogël që të mënjanohet dëmi më i madh.
Këndvështrimi i tretë:
Nëse e pranojmë se shitja e naftës është ndihmë për ta – pa pasur ndonjë arsye – atëherë kjo është ndihmë për ta në çështjet e dunjasë, për të fituar parà; kjo vepër është mëkat – siç u përmend më herët – dhe nuk është kufër (dalje nga feja). Dhënia e ndihmës për qëllime të dunjasë dhe për të fituar parà, kjo është gjynah dhe nuk është kufër.
Nëpërmjet të gjitha këtyre këndvështrimeve, u bë e qartë se me të gjitha këto aspekte dhe gjasa, kjo nuk është kufër dhe nuk është një nga anuluesit e Islamit.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari