Burimi: Sherh 'Akijdetus-Selef ue As'haabil-Hadijth, fq.246
Ne përpiqemi që t'i përmirësojmë udhëheqësit me këshillim, me urtësi, me predikim në mënyrën më të mirë, në përputhje me rrugën sheriatike, e jo duke folur haptazi kundër tyre, duke i sfiduar dhe duke i nxitur njerëzit kundër tyre. Jo! Përkundrazi, e bëjmë me rrugën e urtësisë, pikërisht me rrugën të cilën e ndoqën Sahabët, ngaqë ata e këshillonin udhëheqësin në privat.
Sot, pasha Allahun, njeriun e thjeshtë në rrugë, ti ngurron si ti qasesh atij dhe si ta këshillosh, qysh do sillesh me të, qysh do ta trajtosh?! I qasesh atij në një mënyrë sa më të butë e prapëseprapë nuk e di a pranon apo nuk pranon ai?!
Atëherë qysh do t'i qasesh ti dikujt që ka autoritet, ka pushtet dhe ka fuqi? Qysh vjen ti dhe e poshtëron atë përpara njerëzve dhe flet haptazi kundër tij, atëherë qysh do të pranojë ai nga ty?!
Kështu që, ata të cilët flasin haptazi kundër tyre nuk e duan mirësinë por duan që t'i nxisin njerëzit, duan të bëjnë fitne dhe nuk duan të bëjnë përmirësim! Përmirësimi ka rrugën e tij, Allahu ju bekoftë!
Prandaj ne bëjmë dua për ta që ata të përmirësohen, që të kenë sukses, që të rregullojnë dhe të mbajnë drejtësi në popull. Ne bëjmë dua që ata t'i arrijnë të gjitha këto. Ne e lusim Allahun që t'i përmirësojë ata dhe që të përmirësojë popullin dhe t'i afrojë njerëzit te udhëheqësit. Ne bëjmë durim me ta duke patur urtësi.
Gjithashtu, ne u sqarojmë atyre dobitë e mëdha që arrihen nga kjo rrugë, si dhe u sqarojmë dëmet që shkaktojnë revolucionet, dëmet që shkakton nxitja e njerëzve kundër udhëheqësve dhe ngritja e armëve kundër tyre, si dhe dëme të tjera të hatashme.
Ne i sqarojmë ata se si na ka udhëzuar i Dërguari i Allahut ﷺ si dhe u kujtojmë atyre hadithet që kanë ardhur për këtë temë.
Ne u përmendim atyre këto hadithe dhe hadithet e tjera të shumta dhe i sqaronim ato në mënyrë të detajuar, ndërsa ata na konsideronin neve spiuna! Kush ua sqaron njerëzve menhexhin e hakut, ata e konsiderojnë spiun! Ne e lusim Allahun që të na ruajë nga fitnet.
Përktheu: Alban Malaj