Bismilah...

Një nga pyetjet që është dërguar është edhe kjo: “A lejohet të lutemi për mëshirë për ta (bidatxhitë), t’ua falim namazin e xhenazes dhe të kërkojmë falje për ta?”

Përgjigja është: Kjo çështje bazohet në mospajtimin që kanë dijetarët për atë se a janë pabesimtarë Khauarixhët, ata të cilët i kanë cilësitë e Khauarixhëve - mendim të cilin e kanë disa dijetarë të hadithit dhe mendim të cilin e ka patur edhe Shejkh Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë.

[1] Nëse bazohemi në këtë mendim (se ata janë pabesimtarë), atëherë nuk lejohet që t’u falet namazi i xhenazes dhe as të lutemi për ta për mëshirë. Ata duhet të varrosen diku që njerëzit të mos dëmtohen nga era e qelbur e tyre.

[2] Nëse bazohemi në mendimin tjetër, se ata janë mëkatarë, nuk janë pabesimtarë por janë nga mëkatarët më të rrezikshëm, mendim të cilin e kanë edhe shumica e dijetarëve (xhumhuri), i cili për mua është mendim i saktë, atëherë atyre u falet namazi i xhenazes dhe lutemi për mëshirë për ta, ngase ata konsiderohen njerëz të Kiblës (Muslimanë). Por atyre nuk ua falin namazin njerëzit që kanë pozitë dhe privilegj, e lëre më që pas vdekjes së ndonjë prej kokave të Khauarixhëve të mblidhen për të mbajtur seminar, e për të shprehur ngushëllime për ta, atje ku mblidhen akademikë e thonë: “Ai ka qenë muxhahid që ka bërë këtë e atë!”

Gjithashtu, nuk luten për mëshirë për ta publikisht, posaçërisht ata që kanë pozitë. Gjithashtu, nuk lutet për mëshirë për ta ai i cili ka frikë se mund të akuzohet nga njerëzit, edhe nëse është Musliman i thjeshtë. Ky njeri i thjeshtë nuk lutet për mëshirë për atë bidatxhi publikisht, por nëse ai lutet për mëshirë për të në sexhde apo në mesnatë, kjo nuk është haram. Por ai nuk duhet të lutet publikisht, sepse nëse ai lutet publikisht për të, u jep zemër të gjallëve që t’i pasojnë bidatet e tij dhe ua bën të lehta ato bidate atyre që i dëgjojnë.

Disa nxënës të dijes përmendin ndonjë nga kokat e bidatxhive, ndonjë nga kokat e Khauarixhëve dhe thonë: “Allahu e mëshiroftë! Unë i kundërshtoj ekstremistët të cilët e ndalojnë kërkimin e mëshirës për ta.”

Atij i themi: Sipas teje, nëse këta “ekstremistë” e ndalojnë lutjen për mëshirë në çfarëdolloj forme, atëherë e kanë gabim, kurse ti i je kundërpërgjigjur gabimit me gabim.

Për kokat e  bidateve, ata që i shfaqin bidatet dhe që thërrasin për bidate, ne nuk lutemi për ta në sy të njerëzve, sidomos nëse këtë lutje e bëjnë njerëzit që kanë pozitë.

Gjithashtu, ashtu siç thashë pak më parë: Muslimani i thjeshtë apo nxënësi i vogël i dijes nuk i lavdëron ata nëse ka drojë se akuzohet. Kjo ishte etika e Selefëve dhe kjo është ajo që kërkojnë parimet sheriatike.

 

Përktheu: Jeton Shasivari