Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadi el-Medkhalij
Pyetje: Shejkh, e njëjta pyetje ka ardhur sërish, vetëm se me formulim të ndryshëm. A kërkohet që kundër personit që bën bidat në Fe të mbahet i njëjti qëndrim dhe qasje në sjelljen me ta njësoj sikur bidatçiu në periudhën e herëshme të Islamit? Pasi nuk ka dyshim se koha e Imam Ahmedit ndryshon nga koha e sotme.
Përgjigje: Në përgjithësi, mënyra e trajtimit të Bidatçiu [fjalë të paqarta në inçizim] në Fenë e Allahut nuk ndryshon dhe nuk ndërrohet sipas ndryshimit të gjendjes së njerëzimit dhe kushteve të ndryshme të tyre, apo sipas disa ndërrimeve të rregullave. Feja e Allahut mbetet po e njëjta dhe thirrja në Allah mbetet po e njëjta. Dhe mënyra se si u trajtuan bidatçijtë gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut, në kohën e Imam Ahmedit, në kohën e Ibn Tejmijes, në kohën e Ibn ‘Abdul-Uehabit… [fjalë të paqarta] bazohej në udhëzimet e Librit të Allahut, Sunetit të të Dërguarit të Allahut dhe në rrugën e qartë të Allahut.
Megjithatë, kjo kërkon njerëz që dinë ta zbatojnë këtë metodologji, njerëz që e kuptojnë se si duhet t’i trajtojnë bidatçijtë me dritën e Kur'anit dhe Sunetit. Nuk ka dyshim se kundër bidatçijve në Fe duhet të paralajmërohet. Paralajmërimi kundër tyre, nxjerrja në shesh e realitetit të tyre dhe sqarimi i devijimit të tyre është nga obligimet më të rëndësishme dhe nga çështjet më thelbësore.
Ata që thonë se sot situata nuk është e njëjtë dhe kohët kanë ndryshuar duan vetëm që ju të mos flisni kundër njerëzve të bidatit. Kjo për shkak se shumica e këtyre grupeve dhe organizatave (apo shoqatave) në fakt kontrollohen nga drejtues që janë në devijim dhe në bidat. Dhe kur ju flisni kundër këtyre drejtuesve të devijuar dhe flisni negativisht për ta, ata nga ana tjetër duan patjetër që ju të mos vazhdoni më dhe ta mbyllni gojën!
Prandaj, ata kanë nxjerrë metoda të ndryshme, siç është edhe kjo thënie, “Sa i përket Imam Ahmedit dhe Ibn Tejmijes, ju i keni keqinterpretuar fjalët e tyre dhe i keni shtrembëruar synimet që kanë patur ata në këtë çështje!!!” Mirëpo e gjithë kjo bëhet për t’ua mbyllur gojën Ehli-Sunetit dhe që të vendosin para dhe mbrapa tyre një barrierë apo një pengesë – siç thonë – me qëllim që t’ua mbyllin gojën dhe ju të mos flisni kundër drejtuesve të tyre. Ata bëjnë çmos që t’ua mbyllin gojën Ehli-Sunetit.
Megjithatë, duhet që Ehli-Suneti të bëjnë çdo përpjekje për të ngritur lart fjalën e Allahut, të përhapin Sunetin dhe të nxjerrin në shesh e të refuzojnë bidatin në Fe, duke shfrytëzuar të gjitha energjitë e tyre në çdo vend e në çdo shtet. Duhet që këto çështje t’u sqarohen njerëzve, që të ndahet e vërteta nga e pavërteta, të dallohet udhëzimi nga devijimi dhe të dallohet Suneti i vërtetë nga bidatet që janë shpikur në këtë Fe. Mirëpo këto janë gjëra që njerëzit e bidatit as i duan e as i pëlqejnë, prandaj njerëzit e këtyre grupeve dhe shoqatave të ndyra që janë kamufluar më së miri (me petkun e Selefizmit) kanë hartuar lëvizje dhe strategji të mirë-menduara (kundër Ehli-Sunetit) dhe të gjitha këto i bëjnë në emër të rrugës dhe menhexhit të Selefus-Salih!! Vërtet, ata mbajnë të veshur gunën e Selefizmit me qëllim që ta kenë të lehtë për ta mundur e për ta shuar këtë menhexh. Prandaj po shohim se kudo, në çdo vend, ata kanë filluar gjuetinë pa u vënë re, duke u endur gjithandej dhe duke ndjekur nga pas menhexhin Selefij dhe të rinjtë që e ndjekin këtë menhexh vetëm e vetëm që ta mposhtin dhe pastaj të vendosin mbi të metodologjitë e tyre të shpikura e të prishura. Ky është realiteti që po e përjetojmë deri më sot.
Sido që të jetë, dijeni se të flasësh kundër bidatçijve në Fe është detyrë dhe paralajmërimi kundër tyre duhet bërë patjetër. Në fakt ky është Xhihad. Tamam ashtu siç kanë thënë në kohën e Imam Ahmedit: “Të mbrosh Sunetin është më mirë sesa të luftosh me shpatë kundër armiqve.”
Poashtu, Ibn Tejmije në kohën e tij bëri përpjekje të jashtëzakonshme duke u përballur me shumë forma të bidatit dhe ai luftoi pandërprerë kundër tyre, duke ua kaluar kështu shumë prej Ulemave të Islamit që kishin ardhur para tij.
Ai u përball dhe i kundërshtoi ato me Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), duke i refuzuar ato bidate dhe duke u përpjekur që t’i shtypte ata që i ndiqnin këto bidate dhe i përhapnin midis njerëzve. Kjo u bë e mundur vetëm nëpërmjet durimit, diturisë dhe urtësisë së tij.
Nga çështja e sqarimit me urtësi dhe nga të drejtat e diturisë është që ju të nxirrni në shesh dallimin e qartë midis të vërtetës dhe të pavërtetës, midis udhëzimit dhe devijimit dhe midis praktikave të sakta (që janë në përputhje me Kur'anin dhe Sunetin) dhe bidateve në Fe. Allahu thotë:
وَإِذْ أَخَذَ اللَّهُ مِيثَاقَ الَّذِينَ أُوتُوا الْكِتَابَ لَتُبَيِّنُنَّهُ لِلنَّاسِ وَلا تَكْتُمُونَهُ
“Kujtoje (o Muhamed) kohën kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai…” [Ali-Imran, 187]
Pasha Allahun, vetë Pejgamberët luftuan dhe u përpoqën që t’i nxirrnin njerëzit nga errësira në dritë, andaj nuk ka dyshim se dijetarët janë trashëgimtarët e Pejgamberëve.
Kështu që, kjo përpjekje është obligim, domethënë ne duhet patjetër të bëjmë çdo përpjekje që t’i nxjerrim njerëzit nga errësira në dritë. Dhe duke u nisur nga kjo, unë u drejtohem atyre të gjorëve: Pasha Allahun, Ehli-Suneti veçse u japin këshillë njerëzve dhe u japin kurajo atyre që të ndjekin atë që u bën dobi në çështjet e tyre fetare apo në çështjet e dynjasë. Prandaj, ai që kërkon t’ia mbyllë gojën Ehli-Sunetit – pasha Allahun – është njeri i dëmshëm e që vepron me pabesi karshi Umetit. Ai është njeri që e mashtron këtë Umet, është njeri që nuk do t’ia dijë për kërcënimin që ata mund të futen në Zjarr, është njeri që nuk do t’ia dijë nëse ata janë të mbrojtur apo të pambrojtur përballë rrezikut.
Kurse Ehli-Suneti – pasha Allahun – ata duan veçse atë që është e mirë për njerëzit. Ata nuk duan asgjë për këtë Umet përveç se që ata të ecin në rrugën e Pejgamberit të tyre, në rrugën e tij të drejtë, që ata të hyjnë në Xhenet, ose ata të cilët dëshiron Allahu Tebarake ue Te’ala që të hyjnë në Xhenet. Kurse lufta dhe përpjekjet që bëjnë Ehli-Suneti janë veçse për të sjellë udhëzimin tek njerëzit, për të sjellë ato gjëra që u bëjnë dobi njerëzve në këtë botë e në botën tjetër.
Por në përgjithësi, ata që i mbrojnë këta individë që kanë bërë bidate dhe e kanë ndryshuar Fenë, ata faktikisht po sillen si armiqtë e Islamit. Ata po e dëmtojnë Umetin dhe janë bërë pengesë për Umetin që të arrijë tek e vërteta. E megjithatë, ata dalin para Muslimanëve si “davetçij dhe njerëz që ftojnë në Sunet”!!
Atëherë, mbas gjithë kësaj që u përmend, si mund të thuhet që kjo kohë është e ndryshme nga koha e Imam Ahmedit?! Në kohën e Imam Ahmedit ishte e lejuar që të flisje hapur kundër bidatçijve dhe të paralajmëroje kundër tyre, kurse tani kjo duhet të konsiderohet e ndaluar?!
Ata që i thonë këto fjalë, çfarë duan të arrijnë? Çfarë synojnë ata me këto fjalë? Mos duan ata që ne të mos u shpjegojmë njerëzve e të mos ua sqarojmë të vërtetën? Që ne të mos i paralajmërojmë njerëzit për çështjet e devijimit? Që ne të mos i porosisim ata që të ruhen nga bidatet në Fe? Mos vallë ata duan që ne të mos u mësojmë njerëzve akijden dhe menhexhin e saktë? Çfarë duan ata të na sqarojnë?
Kështu që, këto fjalë që ata thonë duken qartazi që përmbajnë elemente mashtrimi… Allahu ju bekoftë.
Dhe duke u nisur nga ky fakt, unë dua t’ju bëj të qartë se qëllimi i tyre i vërtetë është që të mos ketë fare fjalë kundër personaliteteve të bidatit dhe devijimit!! Dhe nga ky qëllim lindi metodologjia e muwazanatit (d.m.th. metoda peshimit të aspekteve pozitive dhe ato negative të një personi), e kjo u bë vetëm atëherë kur ata i humbën shpresat se mund t’ua mbyllnin gojën Ehli-Sunetit. Kështu, doli kjo metodologji e shpikur dhe tani ata i lavdërojnë udhëheqësit e tyre, i ngrenë lartë dhe i madhërojnë. Pastaj, ata me gjysëm zëri i pohojnë disa nga gabimet e tyre. Madje edhe këtë ata e bëjnë ngaqë ndihen të detyruar, pasi në të vërtetë ata nuk duan fare që të përmenden gabimet e udhëheqësve të tyre…
Prandaj ata kanë sjellë diçka të re në Fenë e Allahut për të cilën Allahu nuk ka dhënë asnjë autorizim. Ndërsa në të njëjtën kohë ata e kanë bërë të ndaluar atë që Allahu e ka bërë obligim: përhapjen e mesazhit të Allahut, këshillimin e Muslimanëve dhe paralajmërimin e tyre që të ruhen nga ato gjëra që e dëmtojnë fenë e tyre.
Ata i kanë ndaluar të gjitha këto çështje dhe kështu ata kanë bërë një krim të madh kundër Islamit, pastaj kundër atyre udhëheqësve që ata i quajnë ‘Taguta’ dhe që i luftojnë e bëjnë çmos që të marrin në dorë pushtetin dhe udhëheqjen.
Përktheu Alban Malaj