Bismilah...

 

Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani – Allahu e mëshiroftë - është pyetur: “Disa të rinj bëjnë dallim midis Akijdes së Selefëve dhe Menhexhit të Selefëve, andaj i shikon disa prej tyre në akijden e Selefëve, mirëpo ata ua lejojnë veteve të tyre që të punojnë me disa nga metodologjitë që ekzistojnë sot, ndonëse ato mund të kenë kundërshtime ndaj menhexhit të Selefëve për sa i përket praktikës. Kështu që, a ka ndonjë lidhje midis Akijdes dhe Menhexhit të Selefëve në zbatimin praktik të Menhexhit Selefij?

Shejkhu u përgjigj: Ajo që besoj unë dhe me të cilën adhuroj Allahun është se ka gjëra të përgjithshme dhe gjëra specifike ndërmjet Menhexhit dhe Akijdes Selefije. Akideja është më specifike sesa Menhexhi, siç e dini të gjithë. Akideja ka një lidhje me atë që quhet - sipas mendimit të shumë prej Fukahave - “dituria e Teuhidit”, dhe ky është kreu dhe aspekti themelor i Islamit. Megjithatë, Menhexhi është më i gjerë sesa Akideja apo Teuhidi.

Kurse sa u përket atyre që pretendojnë se ka dallim (midis Akijdes dhe Menhexhit), siç ka ardhur në këtë pyetje, atëherë me këtë ata duan që ta bëjnë të lejuar për vetet e tyre marrjen e rrugëve dhe mjeteve në da’uetin e tyre për në Islam, të cilat nuk i kanë patur Selefus-Salih.

Po e them këtë në një mënyrë tjetër: ata mendojnë se kanë liri për të marrë çdo rrugë apo mjet që atyre u duket se do t’u vijë në ndihmë për të përcjellë Islamin, dhe ju jeni në dijeni për shembuj të këtyre mënyrave apo mjeteve.

Për shembull, demonstratat dhe mitingjet nëpër sheshe me qëllim detyrimin e udhëheqësve që t’i marrin në konsideratë ankesat e shoqërisë, si dhe çështje të tjera të ngjashme. Andaj ne themi se ajo që ka ardhur në Kur'an dhe në Sunet dhe ajo që ndoqën Selefus-Salih në lidhjet me objektivat, qëllimet, rrugët dhe mjetet janë të mjaftueshme për Umetin. Megjithatë, arsyeja që i shtyn disa njerëz që ta bëjnë të lejuar për vetet e tyre marrjen e e këtyre rrugëve dhe mjeteve - në fakt është me vend që unë të them se ata ua lejojnë veteve të tyre që të pasojnë verbërisht kufarët në këto rrugë që ata kanë marrë me qëllim realizimin e asaj që ata e quajnë demokraci ose drejtësi sociale - si dhe fjalë të tjera të ngjashme që nuk përbëjnë ndonjë realitet tek ata. Dhe ata - kam për qëllim këta Muslimanë - ua lejojnë veteve të tyre që të pasojnë verbërisht kufarët në këto rrugë e mjete.

Ne themi: Zoti ynë Krenar e i Lartmadhëruar nuk na ka lënë mangut asgjë me anë të Sheriatit tonë që të kemi nevojë për këtë ndarje që është shpjeguar (midis Akijdes dhe Menhexhit) dhe që t’ua kemi nevojën kufarëve dhe të marrim nga rrugët dhe mjetet e tyre të cilat mund të jenë të mira për ta, (por) kjo vetëm për shkak se ata nuk kanë ndonjë Sheriat me të cilin të udhëzohen. Dhe për këtë arsye ne themi se Menhexhi është më i gjerë sesa Akideja dhe Teuhidi, prandaj është e domosdoshme që të ndjekim rrugën që ndoqën Selefus-Salih për sa i përket të dyja këtyre çështjeve, ajo që është e gjerë (menhexhi) së pari dhe më kryesorja dhe ajo që është më e kufizuar (Teuhidi), domethënë Akideja.” [1]

 

Shejkh Muhamed Aman el-Xhami – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“Menhexhi është rruga, kurse Akideja është ajo që beson njeriu në vetvete, siç është besimi në Zotin tuaj, besimi në Fenë tuaj dhe besimi në Pejgamberin tuaj. Ky është Menhexhi i Ehli-Sunetit dhe Xhematit në Akijde. Pra, midis rrugës drejt kësaj Akideje dhe rrugës që përshkon kjo Akijde nuk ka ndryshim. Ato janë të lidhura me njëra-tjetrën. Kurse ajo që thonë se filani është Selefij në Akijde dhe Ikhuanij në Menhexh, kjo është një filozofi e pakuptimtë.” [2]

 

Shejkh Rabij’ Ibn Hadi el-Medkhalij – Allahu e ruajt – është pyetur:

“Çfarë ndryshimi ka midis Akijdes dhe Menhexhit?”

Dhe ai u përgjigj:

“Çështja e dallimit midis Akijdes dhe Menhexhit ka dalë në këtë kohë sot. (Para kësaj) njerëzit nuk bënin dallim midis Akijdes dhe Menhexhit, por erdhi kjo fitne dhe disa nga njerëzit e Sunetit u çoroditën duke bërë dallim midis Akijdes dhe Menhexhit. Megjithatë, Shejkh Bin Bazi – rahimehullahu te’ala – nuk bënte dallim midis Akijdes dhe Menhexhit. Ai thoshte: “Akideja dhe Menhexhi janë një.” [3]

 

Shejkh ‘Ubejd el-Xhabiri – Allahu e ruajt – është pyetur:

“A ka ndryshim midis Akijdes dhe Menhexhit?”

Dhe ai u përgjigj:

“Akideja është ajo që ka për detyrë robi të besojë për sa i përket Allahut Azze ue Xhel dhe çfarë vjen nga Ai, (besimi) rreth të Dërguarve të Tij dhe asaj me të cilën ata u dërguan. Shtylla dhe tërësia e Akijdes janë gjashtë shtyllat e Imanit: besimi në Allahun, në Melaiket e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe në Kaderin, në të mirën dhe të keqen që vjen prej tij. Pastaj vjen çdo gjë tjetër që Muslimani e ka detyrë ta besojë - dhe se ajo është e vërtetë dhe e saktë – siç janë çështjet e Gajbit, si për shembull shfaqja e fitneve ashtu siç na ka lajmëruar Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), lajmet që kanë ardhur rreth Pejgamberëve dhe të Dërguarve të mëparshëm, pavarsisht nëse ato kanë ardhur në Kur'an apo në Sunet. Poashtu, gjendjet në Berzakh (d.m.th. gjendjet e njerëzve në jetën e varrit), dënimi dhe kënaqësitë e varrit, çfarë do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, si për shembull vendosja e Haudit, Sirati, Peshorja etj.

Kurse Menhexhi është vërtetimi, vendosja e Bazave (Usuul) dhe Degëzimeve (Furu’) të Fesë; Menhexhi është rruga nëpërmjet të cilës robi vërteton bazat dhe degëzimet e Fesë. Andaj, nëse kjo rrugë në përputhje me Kur'anin, Sunetin dhe rrugën e Selefus-Salih, atëherë ky është një Menhexh i vërtetë. Dhe nëse bie në kundërshtim me to, atëherë ai është Menhexh i prishur.

Islami përbëhet nga këto të dyja: nga pastërtia e Akijdes dhe pastërtia e siguria në Menhexh. Andaj, një prej këtyre të dyja nuk mund të ndahet dot nga tjetra.

Personi që ka menhexh të prishur, kini besim se kjo vjen nga prishja e tij në Akijde. Kur akideja është e drejtë, në rrugën e saktë, atëherë edhe menhexhi do të jetë i drejtë gjithashtu. Ngase menhexhi i Khauarixhëve u prish për shkak se Akideja e tyre ishte e prishur. Ata kishin besimin se gjaku i atyre që bëjnë gjynahe të mëdha është i lejuar, andaj për rrjedhojë ata e lejuan luftimin dhe vrasjen e tyre, si dhe rebelimin kundër udhëheqësve gjynahqarë. Ata e bënë të lejuar derdhjen e gjakut dhe marrjen e pasurisë. Dhe prandaj disa prej njerëzve të dijes kanë thënë thënë se, “Ata janë mosbesimtarë” [për shkak se bënë Istihlal, d.m.th. e bën të kejuar atë që Allahu e ka bërë harram].” [4]

 

Shejkh Salih el-Feuzan – Allahu e ruajt – është pyetur:

“A ka ndryshim midis Akijdes dhe Menhexhit?”

Dhe ai është përgjigjur:

“Menhexhi është më i përgjithshëm sesa Akideja; Menhexhi është në Akijde, në Suluk (normat e sjelljes), në Akhlak (moral), në Mu’amelate (marrëdhëniet e ndryshme ndërmjet njerëzve), në jetën e çdo Muslimani dhe në çdo fushë që përshkon Musliman, dhe këto quhen Menhexh. Kurse ajo që nënkuptohet me Akijde është baza e Imanit, kuptimi i dy Dëshmive dhe përbërësit e tyre, kjo pra është ajo që kuptohet me Akijde.” [5]

Ai ka thënë gjithashtu:

“Shkaku i mosmarrëveshjeve që ndodhin midis thirrësave është mosmarrëveshja në metodologjitë (që ndjekin ata). Dhe sikur thirrësat – Allahu i udhëzoftë ata që të gjithë e u dhëntë sukses – të ecnin në një metodologji të vetme, dhe ajo është metodologjia e të Dërguarit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), ajo të cilën ka ndjekur i Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe Shokët e tij, atëherë këto mosmarrëveshje nuk do të kishin ndodhur.

Andaj, është obligim për të gjithë thirrësat që të kenë një metodologji të vetme – të bazuar në Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) – dhe që thirrja e tyre të jetë për hir të Allahut dhe që fjala e Allahut të jetë më e larta. Thirrja e tyre nuk duhet të jetë për hir të tekave, ngritjes së individëve dhe grupimeve, por thirrja e tyre duhet të jetë e sinqertë për Fytyrën e Allahut, që fjala e Allahut të jetë më e larta, që të pasohet i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe të ndihmohet Feja e tij. Dhe kështu të gjitha mosmarrëveshjet do të marrin fund.” [6]

Shejkh Salih el-Feuzan – Allahu e ruajt – ka thënë gjithashtu:

“Shkaqet e përçarjes janë të shumta. Mes shkaqeve më të rëndësishme janë: Së pari, kundërshtimi i menhexhit të Selefëve, që janë Shokët e të Dërguarit të Allahut dhe ata që i ndoqën nga pas. Dhe Selefët kishin një menhexh të cilin e ndiqnin; një menhexh në Akijde, një menhexh në Da’ue, një menhexh në urdhërimin e të mirës dhe ndalimin e të keqes dhe një menhexh se si duhet të gjykohet ndërmjet njerëzve. Ky menhexh, në të gjitha situatat, ishte i bazuar në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit tonë.” [7]

Ai është pyetur:

“A varet hyrja në Xhenet apo në Zjarr nga saktësia e Menhexhit që ka njeriu?”

Ai u përgjigj: “Po. Kur menhexhi i njeriut është i saktë ai do të jetë në Xhenet. Andaj, nëse ai është në Menhexhin e të Dërguarit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe Menhexhin e Selefus-Salih, ai do të jetë një nga banorët e Xhenetit me lejen e Allahut. Dhe kur ai ecën në menhexhin e të devijuarve, ai është i kërcënuar me Zjarr.” [8]

 

Fundnota:
[1] Marrë nga revista el-Esale, vëll. 22
[2] Shkëputur nga kaseta me titull, el-Exhuibetudh-Dhehebije ‘alel-Es’iletil-Menhexhije.
[3] Thebat ‘ala Sunnah (fq. 47).
[4] Shkëputur nga kaseta me titull, el-Ijdah uel-Bejan fij Keshf Ba’d Tara’ik Firkatil-Ikhuan.
[5] el-Exhuibetul-Mufijde ‘anil-Es’iletil-Menahixhul-Xhedijde, fq. 75.
[6] el-Ixhabetul-Muhimmeh fil-Meshakil-Mulimmeh, fq. 221-222.
[7] Wuxhubut-Tethebbut fil-Akhbar, fq. 18.
[8] el-Exhuibetul-Mufijde ‘anil-Es’iletil-Menahixhul-Xhedijde, fq. 77

 

Përktheu Alban Malaj