Bismilah...

Autor: Shejkh Muhammed Ibën Hadij el-Medkhalij (hafidhahullah)

Shkëputur nga ligjërata “Theuabit ‘aaduu ila teshkijki fijha”

Burimi: Sahab.net


 

Ky pyetës thotë: kemi dëgjuar dikë që i atribuohet Selefizmit, i cili ka nxjerrë disa parime për refuzimin e bidatçiut dhe thotë: “Mos e refuzo atë derisa të dish qëllimin e tij, derisa të jesh dijetar e derisa... derisa...” Si t’i kundërpërgjigjemi atij?

Them: për sa i përket kushtëzimit të tij, që të kesh dije në refuzim, po, këtë e dëgjuat pak më përpara.

Kurse sa i përket (kushtëzimit që ka vendosur ai) që ti të mos e refuzosh atë derisa të dish qëllim e tij, kjo fjalë ka nevojë për shtjellim. Nëse fjala e tij është e qartë që është e pavërtetë, e kotë, a duhet ta pyes unë atë çfarë qëllimi ka? Në të vërtetë pyetet për fjalën e përgjithshme që mbart disa kuptime, kurse pavërtetësia e qartë duhet të refuzohet medoemos. Nëse je prej atyre që janë të aftë të refuzojnë dhe u pyete për atë dhe nuk ka tjetër përveç teje që ta refuzojë, atëherë ti e ke obligim sqarimin. Dhe ne nuk jemi urdhëruar që të hulumtojmë qëllimet e njerëzve, porse jemi urdhëruar që t’i llogarisim njerëzit duke u bazuar tek ajo që ata e shfaqin hapur.

Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë:

إنَّكُمْ تَخْتَصِمُونَ إلَيَّ، وَ لَعَلَّ بعضَكم يكون ألحَن بحجّته مِنْ بَعْضٍ، وَ إِنّما أنا بشر أقضي لكم على نحومما أسمع، فمن قضيت له بشيء من مال أخيه، فَإِنّمَا أقطع له قطعةً من النّار فلا يأخذها.

“Vërtet, ju grindeni tek unë, e ndoshta ndonjëri prej jush është më i zoti në argumentim se disa të tjerë, mirëpo unë jam njeri dhe gjykoj për ju në bazë të asaj që dëgjoj. Dhe nëse ia jap dikujt të drejtën në pasurinë e vëllait të tij, në të vërtetë unë i kam dhënë atij një copë nga Zjarri, prandaj ai mos ta marrë atë.” [Transmetuar nga Bukhari (nr.2680) dhe Muslimi (nr.1713).]

Dhe i thotë Usameh Ibën Zejdit (radij-Allahu ‘anhuma):

هلا شققت عن قلبه؟

“A mos e hape zemrën e tij?”
[Transmetuar nga Bukhari (nr.4269) dhe Muslimi (nr.96).]

Kur atij (Usames) i tha ai burri, “La ilahe il-lAllah”, ai e vrau atë. Usameja e goditi me shpatë dhe e vrau. Ai tha: “Në të vërtetë ai e tha atë (fjalën La ilahe il-lAllah) nga frika.” Kurse ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha: “A mos e hape zemrën e tij?”

Ti nuk e di ç’ka në barkun e tij dhe as që je i ngarkuar që ta dish. Je i ngarkuar të dish atë që është e dukshme.

Thotë ‘Umeri (radij-Allahu ‘anhu), Prijësi i Besimtarëve, siç gjendet tek Sahihu Bukharit: “Njerëzit në kohën e Pejgamberisë merreshin në llogari nëpërmjet Shpalljes, ndërsa tani është ndërprerë Shpallja – domethënë vdiq Pejgamberi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe tani i marrim njerëzit në llogari në bazë të asaj që ata shfaqin. Kush na shfaq mirësi, ne e qasim dhe afrojmë, dhe kush na shfaq ligësi, ne e largojmë dhe e distancojmë.” – apo siç ka thënë ai, Allahu pastë mëshirë për të.

Pra, ne nuk jemi urdhëruar që të bëjmë kontroll për qëllimet. Nëse fjala e tij është e pavërtetë, refuzohet e pavërteta. E nëse ai nuk e di çfarë tha, dhe thotë: “Unë kisha për qëllim këtë, porse u shpreha gabim.” Ne themi: Elhamdulil-lah! Atëherë ti e korrigjove vet veten tënde. Dhe nuk i lejohet askujt që të të pasojë tek kjo e pavërtetë që ti e pranove që është e tillë.

Kurse ti që e refuzove atë po u bën mirë njerëzve në radhë të parë, pastaj atij të cilit ia refuzove gabimin.

 

Video në AudioSelefi.org

 

 

Përktheu: Alban Malaj