Autor: Shejkh Rabij’ Ibn Hadi el-Medkhalij
Pyetje: Ç’mendim keni ju për dikë që thotë, “Khauarixhët janë njerëzit që rebelohen vetëm kundër një prijësi të drejtë e legjitim. Kurse ai që rebelohet kundër një prijësi zullumqar nuk është Khauarixh”?
Përgjigje: ‘Abdul-Malik Ibn Meruan ishte një prijës zullumqar. Ai vrau ‘Abdullah Ibn Zubejrin. Madje një nga të dërguarit e tij rrënoi Qaben. Prapëseprapë, ‘Abdullah Ibn 'Umeri e mbajti besën dhe bindjen ndaj tij dhe Sahabët e tjerë mbajtën të njëjtin qëndrim poashtu.
Betohem në Allahun, ai ishte zullumqar, Allahu pastë mëshirë për të. Ai kishte cilësi të mira, kishte vepra të mira, kishte korrur fitore në disa fushata ushtarake dhe kishte bërë Xhihad në rrugën e Allahut. Por, betohem në Allahun ai ishte zullumqar, ishte i padrejtë.
I Dërguari (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) jepte mësim herë pas herë në lidhje me këto situata dhe tekstet gjenden tek dy përmbledhjet e sakta të haditheve (d.m.th. tek Bukhari dhe Muslimi) si dhe në përmbledhjet e tjera. Për shembull, ai ka thënë:
“Bindjuni atyre për sa kohë që ata e falin namazin mes jush.”
Dhe ai ka thënë (kuptimi i hadithit):
“Ju do shikoni tek ata gjëra të cilat e dini se janë të mira dhe gjëra të cilat ju i urreni.”
Dhe kur ai u pyet: “A t’i kundërshtojmë ata me shpatat tona?” Ai tha: “Jo, për sa kohë që ata falen.”
Këto tekste ishin për prijësat e padrejtë, por prapëseprapë i Dërguari (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i mësoi (njerëzit) që të tregohen të duruar me ta. Ai nuk e lejoi rebelimin dhe kundërshtimin e tyre. Ai që rebelohet dhe e lëshon besën që ua ka dhënë atyre (prijësave), atëherë ai bën të njëjtën gjë edhe kundër të gjithë Muslimanëve. Në këtë rast ai duhet të vritet edhe nëse prijësi kundër të cilit ai u rebelua ishte me të vërtetë zullumqar.
Ky është kuptimi i Khauarixhëve. Ata thonë: “Personi nuk konsiderohet Khauarixh, përveç atëherë kur ai rebelohet kundër një prijësi të drejtë.” Me këtë ata duan të thonë se ‘Aliu (radij-Allahu ‘anhu) ishte i padrejtë dhe se ‘Uthmani (radij-Allahu ‘anhu) ishte i padrejtë.
Poashtu, këta njerëz të cilët madhërojnë Sejjid Kutbin, ata mendojnë se 'Uthmani nuk ishte prijës i drejtë, ndonëse ata e fshehin këtë. Përndryshe, përse e madhërojnë ata Sejjid Kutbin i cili kritikon drejtësinë e ''Uthmanit dhe flet keq për qeverisjen e tij? Qeverisja e një prijësi nuk mund të zhvlerësohet përveç se në rastin kur bëhet fjalë për kufër të qartë, por ai (Sejjid Kutbi) është tekfiri. Ai është prijësi i tekfirsave! Ai nuk mund ta deklarojë hapur kufrin e 'Uthmanit dhe kufrin e Rafidave njëkohësisht, ngase në të vërtetë tek ai ndërthuren ideologjitë e Khauarixhëve dhe Rafidave. Ai mban flamurin e Khauarixhëve, Rafidave dhe sekteve të tjera. Ai e nxorri 'Uthmanin (radij-Allahu ‘anhu) si tiran me qëllim që ne të rebelohemi kundër tij, poashtu edhe ‘Aliun (radij-Allahu ‘anhu) ai e konsideroi të padrejtë që ne të rebelohemi edhe kundër tij.
A nuk e keni parë se si Dhul-Khuvejsira vuri në diskutim drejtësinë e të Dërguarit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem). Çështja ka arritur deri në atë pikë sa që nuk ka ndonjë kufi apo ndonjë kriter për të gjykuar (prijësin e Muslimanëve): dikush të cilin ju mund ta konsideroni të drejtë, nuk konsiderohet i drejtë edhe nga ai që rebelohet kundër tij.
Kështu që, zgjidhja është: për sa kohë që prijësi është brenda rrethit të Islamit – dhe i Dërguari (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) e ka sqaruar këtë në mënyrë të qartë – edhe nëse ky prijës është i keq dhe i padrejtë, për sa kohë që është brenda Islamit, për sa kohë që e fal namazin, atëherë nuk lejohet kundërshtimi dhe rebelimi kundër tij. A e kuptuat këtë? Ky është gjykimi i Allahut dhe gjykimi i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) e nuk është gjykimi i injorantëve.
Përktheu Alban Malaj