Autor: Shejkh Zejd el-Medkhalij
Pyetje: A është çdo njeri që thotë apo bën vepra kufri, dmth. a bëhet ai qafir për shkak të asaj që tha apo bëri?
Përgjigje: Sido që të jetë, kushtet e tekfirit (për të shpallur një person mosbesimtar) janë të mirënjohura. Dhe prej atyre kushteve është që personi duhet të ketë dije për fjalën që po thotë. Kështu që, jo çdokush që thotë fjalë kufri është qafir. Kjo për shkak se ndoshta ai po i thotë ato fjalë pa patur dije (që ato të nxjerrin nga Islami).
Prandaj ai duhet të vihet në dijeni.
Ose ndoshta ai i tha ato fjalë ndërkohë që (mendonte se) nuk kishte zgjidhje tjetër, ashtu sikurse hisoria e atij personit që dyshoi në Fuqinë e Allahut. [1]
Ose ndoshta ai i ka thënë fjalët e kufrit kur njëkohësisht ai i urrente ato (d.m.th. ishte i detyruar); kështu që ai nuk bëhet qafir për shkak të kësaj.
Ose ai mund t’i ketë thënë këto fjalë ndërkohë që mund të ketë një komentim tjetër i cili nuk njihet gjerësisht.
Atëherë, në këto raste ne nuk bëjmë tekfir mbi personin. Ai justifikohet dhe duhet të njoftohet e të mësohet.
Pra, jo çdokush që thotë fjalë kufri bëhet qafir automatikisht. Por sidoqoftë, është shumë e rëndësishme për çdo Musliman që të qëndrojë larg këtyre thënieve (që përbëjnë kufër), dhe të kërkojë diturinë e fesë, derisa të njohë bazat themelore të fesë, në mënyrë që ai të mos dalë nga feja Islame dhe të bjerë në kufër.
Fundnotë:
[1] Transmetuar nga Imam Bukhari në Sahihun e tij nga hadithi i Ebu Se’id el-Khudrij (radij-Allahu ‘anhu).
Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Mes njerëzve që kanë qenë para jush ishte një burrë të cilit Allahu i kishte dhënë pasuri të madhe. Kur ai ishte në shtratin e vdekjes, ai i thirri bijtë e tij dhe u tha: “Çfarë babai kam qenë unë për ju?” Ata u përgjigjën: “Ti ke qenë një baba i mirë.” Ai tha: “Unë nuk kam bërë kurrë ndonjë vepër të mirë, kështu që kur të vdes, më digjni, bluajeni trupin tim dhe pastaj hirin që mbetet prej tij shpërndajeni në një ditë me erë.” Bijtë e tij vepruan ashtu siç u tha babai, por Allahu i mlodhi pjesët e trupit të tij (duke e ringjallur atë) dhe e pyeti: “Ç’të shtyu që veprove kështu?” Ai u përgjigj: “Frika nga Ty.”
Kështu, Allahu e mbuloi atë me mëshirën e Tij. (domethënë e fali atë).”
Përktheu: Alban Malaj