Bismilah...

Autor: Shejkh Zejd Ibn Muhamed Ibn Hadi el-Medkhalij
Burimi: ‘el-‘Ikdul-Mundedil-Xhedid’ (fq. 83-85)


Pyetje: “Shejkh i nderuar, si të bëjmë pajtim midis thënies së Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), “Kushdo që dëshiron të këshillojë Udhëheqësin, atëherë të mos e këshillojë atë në publik”, e deri në fund të hadithit - dhe midis veprimit të disa prej Dijetarëve të Selefit që i kundërshtuan haptazi Udhëheqësit, siç ishte Se’id Ibn Xhubejr, el-‘Izz Ibn ‘Abdus-Selam e të tjerë. Allahu ua shpërbleftë me të mira.”

Përgjigje:

“Së pari: Për sa i përket këshillës që është specifike për Udhëheqësit e Muslimanëve, zgjedhësit e të cilëve Allahu i ka obliguar që t’u binden atyre, t’i respektojnë dhe të bëjnë dua për ta kur janë vetëm apo kur janë në publik, [1] për sa kohë që ata e falin namazin, ruajnë sigurinë nëpër rrugë dhe zbatojnë masat ndëshkimore. Për ta ka këshillë dhe ka urdhërim e ndalim sipas asaj që është më e përshtatshme për gjendjen, realitetin dhe pozitën e tyre. Dhe për këtë bën fjalë hadithi. Ndërsa, për sa i përket atyre të dyve që u përmendën nga pyetësi, atëherë kjo nuk përbën argument që çdo njeri i cili kërkon të urdhërojë e të ndalojë mund të ndjekë rrugën e këtyre të dyve - Allahu i mëshiroftë. Kështu që, për ngjarjet që ndodhën nga Se’id Ibn Xhubejri [2] dhe nga el-‘Izz Ibn ‘Abdus-Selam, [3] pyetësi nuk ka dijeni rreth shkaqeve dhe rrethanave që i shtynë ata të këshillonin haptazi.

 

Së dyti: Le të supozojmë se nga këta të dy erdhi këshilla haptazi. Sido që të jetë, Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Atëherë të mos e këshillojë atë (Udhëheqësin) në publik.” Cila nga këto dy thënie ka më shumë të drejtë që të pasohet: thënia e pagabueshme e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) - dhe ky është një hadith sahih, apo thënia e ixhtihadit personal nga një prej njerëzve të ixhtihadit, i cili ka gabuar?! Ai nuk do të përjashtohet nga shpërblimi (për ixhtihadin e tij) insha`Allah dhe ai do të falet për gabimin e tij. Pra, ky rregull është: “Kur ka ardhur një hadith, apo ka ardhur një tekst në përgjithësi nga Libri i Allahut dhe Suneti i Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe gjithashtu ka ardhur një thënie nga disa Dijetarë që bie në kundërshtim me këtë tekst, atëherë përparësi i jepet tekstit që është vërtetuar nga Allahu apo tekstit që është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ne kërkojmë për ndonjë justifikim për atë që është nga njerëzit e ixhtihadit, i cili ka kundërshtuar tekstin.” Ndërsa sa i përket atij që nuk është nga njerëzit e ixhtihadit, por ai merr guximin dhe del përpara duke u futur mes një grupi muxhtehidësh - kur ai nuk është specializuar në elementët që përbëjnë ixhtihadin - atëherë ky ka bërë një krim kundër vetes së tij dhe ka bërë krim kundër të tjerëve. Dhe shtrirja e mëtejshme e këtij krimi mund të jetë e kufizuar ose mund të jetë e pakufizuar.

Pra, çështja këtu është se nuk ka kontradiktë apo përplasje midis veprimit të dy individëve dhe thënies së Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). “...atëherë të mos e këshillojë atë në publik, por ta marrë për dore dhe ta këshillojë privatisht. Nëse ai e pranon këshillën, atëherë ai e ka përmbushur qëllimin e tij. Dhe nëse refuzon, ai e ka shlyer detyrimin e tij.” [4]

Ne e lavdërojmë Allahun ‘Azze ue Xhel që kjo është rruga e saktë në të cilën janë pajtuar të gjithë Dijetarët e Selefëve dhe ndjekësit e tyre në çdo kohë në sajë të dijes dhe kuptimit nga ana e tyre të argumenteve të çdo teme nga temat e diturisë dhe veprimit. Dhe ky është një bekim i madh dhe është prej drejtësisë së Menhexhit Selefij. Kështu që, i zbrazët nga ky bekim dhe i pasuksesshëm është ai (që nuk e njek këtë rrugë) sepse ai nuk e kërkoi atë me të vërtetës dhe as nuk e ndoqi atë. Prandaj, është obligim për ne që të bëjmë ç’mos për të arritur dije, kuptim dhe informacion, si dhe të marrim prej atyre Dijetarëve që kanë kuptim të fuqishëm, të thellë e të saktë. Dhe duhet ta braktisim çështjen e këtyre ixhtihadeve që vijnë vetëm nga aspekti i interpretimeve dhe mashtrimeve. Kjo për shkak se nxënësi në shkollën fillore, në të mesme apo në universitet nuk ka të drejtë që të flasë me ixhtihad derisa ai të hedhë rrënjë thellë në dije, të marrë nga Dijetarët dhe të mësojë kufijtë e ixhtihadit. Pastaj, kur njerëzit me autoritet të kenë dëshmuar për të se ai është nga njerëzit e ixhtihadit, atëherë ai mund të flasë për ato çështje ku ixhtihadi është i saktë. E nëse nuk është i saktë, atëherë jo.”

Fundnota:
[1] Sh.p: Imam Ahmed Ibn Hanbel, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Vërtet, unë i bëj dua Allahut natën dhe ditën për udhëheqësin, që ai të përmirësohet, të ketë sukses dhe përkrahje - dhe e shoh këtë që bëj si obligim për mua.” Përcjellë nga Ebu Bekr el-Khalal në es-Sunneh (n.14).
[2] Sh.p: Për më shumë detaje lexo artikullin, “Shejkhul-Islam Ibn Tejmije diskuton Rebelimin kundër Udhëheqësve dhe Rebelimin që bënë disa nga Selefët” ku trajtohet çështja e rebelimit në Peshoren e Sheriatit.
[3] Sh.p: Për sa i përket el-‘Izz Ibn ‘Abdus-Selamit, i njohur ndryshe si Sulltani i Ulemave, e vërteta e tij është krejt ndryshe e jo ashtu siç e paraqesin disa njerëz të padrejtë të cilët kanë gjetur në mendimet e tij atë që përputhet me midetë dhe axhendën e tyre. Në faqen Selefije Bakkah.net gjendet një artikull nga Musa Riçardson ku sqarohet realiteti i këtij njeriu ku bëhet e qartë se ai ka qenë një armik i betuar i Dijetarëve të Sunetit, Esh’ari, një Sufi Ekstremist që kishte studiuar me Sufitë më të shquar të kohës së tij, mbante veshur rrobat që ishin të veçanta për Sufistë, merrte pjesë në mexhliset e tyre me ilahije e kërcime etj... Artikulli bazohet kryesisht në broshurën e Khalid Ibn Dahuij edh-Dhufejrit, me titull, Hakijkatul-‘Izz Ibn ‘Abdis-Selam ue Meukif Shejkhul-Islam minhu. Midis të tjerash, autori i kësaj broshure - Allahu e ruajt - ka përmendur se:
“Gjatë gjithë refuzimit të el-‘Izz (Ibn ‘Abdus-Selamit), Shejkhul-Islam Ibn Tejmije e ka përshkruar atë me një sërë çështjet. Prej tyre:
1- Mungesa e dijes nga ana e tij rreth thënieve të njerëzve të Sunetit dhe thënieve të njerëzve të bidatit. [el-Fetaua, 4/153]
2- Pjesa më e madhe e shokëve të el-‘Izz Ibn ‘Abdus-Selamit haptazi shfaqnin kundërshtimin e tyre ndaj Selefëve në çështjet e Imanit dhe te’uilit (interpretimit të Sifateve). [el-Fetaua, 4/156]
3- Ai e përshkroi el-‘Izz Ibn ‘Abdus-Selamin dhe ata që ishin me të si Xhehmije Kulabije. [el-Fetaua, 4/158]
4- El-‘Izz Ibn ‘Abdus-Selam dhe ata që ishin si puna e tij kanë marrë rrugën e kriminelëve që kanë pretenduar se i Dërguari nuk e përcolli mesazhin për sa i përket Teuhidit dhe as nuk ua sqaroi çështjen njerëzve me praktikën e tij. Por, ai u tregoi njerëzve atë që binte në kundërshtim me të Vërtetën. Dhe e vërteta është ose ajo që bëri ai, ose ajo për të cilën ai nuk kishte dije. [el-Fetaua, 4/159]

Kurse për sa i përket atyre që e promovojnë këtë armik të Sunetit dhe idetë e tij, dijetari i nderuar i Medines, Shejkh ‘Ubejd el-Xhabiri, Allahu e ruajt, është pyetur: “Përse disa njerëz i kanë inat ata që flasin kundër el-‘Izz Ibn ‘Abdus-Selamit?” Dhe ai u përgjigj: “Shiko, ka disa kategori njerëzish që e urrejnë këtë sqarim dhe për disa arsye. Kështu që, përgjigja jonë kërkon nga ne që të marrim në shqyrtim çdo grup dhe arsyet përse ata e urrejnë këtë sqarim (në lidhje me realitetin e këtij Ibn ‘Abdus-Selamit):
1- Muslimanët që nuk i duan refuzimet në përgjithësi për shkak të injorancës së tyre rreth menhexhit të Selefëve dhe rëndësisë që ka sqarimi i të vërtetës për njerëzit.
2- Sufistët, sepse el-‘Izz ishte një Sufi dhe ata vlojnë nga urrejtja që Ehli-Suneti e zbuloi drejtimin e tij të vërtetë dhe e nxorri në shesh atë.
3- Esh’aritë, sepse el-‘Izz ishte një Esh’ari. Dhe njësoj si Sufistët ashtu edhe pjesa tjetër e pasuesve të epsheve vlojnë nga urrejtja që Ehli-Suneti e zbuloi drejtimin e tij të vërtetë dhe e nxorri në shesh atë.
4- Pasuesit e grupeve si el-Ikhuanul-Muslimun, Sururitë dhe Kutbitë. Në përgjithësi ata i urrejnë refuzimet për shkak të rregullit të tyre të shpikur të Muwazanatit. Ata e urrejnë këtë refuzim veçanërisht për shkak se ata besojnë se el-‘Izz i kritikonte hapur udhëheqësat, kështu që ai bëhet një Imam i madh para syve të tyre.
5- Në mënyrë të veçantë ndjekësit e Selman ‘Audes, ngaqë ai është munduar që ta fusë ‘Izz Ibn ‘Abdus-Selamin mes Imamëve të Ehli-Sunetit, madje e ka çuar atë në gradën e Imam Ahmedit. Kështu që, hedhja dritë mbi devijimin e ‘Izz Ibn ‘Abdus-Selamit nxjerr në shesh gabime të tjera të Selman ‘Audes. Dhe në këtë mënyrë ndjekësit e tij tërbohen akoma më shumë.
Dhe Allahu e di më së miri.”
[4] Hadith Hasen: transmetuar nga Ahmedi (3/403) dhe Ibn Ebi ‘Asim në Kitabus-Sunneh (2/251). Është deklaruar hasen nga Shejkhul-Albani në Dhilalul-Xhenneh fij Takhrixhis-Sunneh (n. 1096).

 

Përktheu Alban Malaj