Bismilah...

 

Autor: Shejkh Ahmed bin ‘Umer Bazmul
Shkëputur nga libri i tij: “es-Sunneh fijma jete’alak bi Uelijil-Ummeh

Këshillimi i Udhëheqësve Muslimanë është nga çështjet më të rëndësishme të Fesë. Nën autoritetin e Temim ed-Darij (radij-Allahu ‘anhu) se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: Feja është këshillë e sinqertë.” Ne (Sahabët) thamë: “Për kë?” Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Për Allahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, prijësat e Muslimanëve dhe për Muslimanët në përgjithësi.

Nën autoritetin e ‘Abdilah Ibn Mes’udit (radij-Allahu ‘anhu), nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):

Janë tri gjëra që zemra e Muslimanit nuk ka për t’i përbuzur kurrë: bërja e veprave me sinqeritet për Allahun, këshillimi i prijësave të Muslimanëve dhe të mbajturit fort pas Xhematit të tyre...” [Transmetuar nga Ibn Maxheh; saktësuar nga Imam el-Albani rahimehullah.]

Kuptimi i këtij hadithi është se këto tri çështje që janë: bërja e veprave me sinqeritet për Allahun, këshillimi i prijësit Musliman dhe të mbajturit fort pas Xhematit (d.m.th. pas Xhematit që është në të vërtetën), kushdo që i bën ato, ai nuk ka inat, mashtrim apo ligësi në zemrën e tij.

Ebu Nu’ajm el-Asbahani rahimehullah ka thënë: “Kush i këshillon prijësat dhe gjykatësit është i udhëzuar; dhe kush i mashtron ata është i devijuar dhe i ka kaluar kufijtë.”

Mënyrat e ndryshme të këshillimit të udhëheqësve:

1. Këshillimi i udhëheqësit në mënyrë sekrete, d.m.th. këshilla jepet mënjanë mes atij dhe këshilluesit.

2. Këshillimi i udhëheqësit përpara popullit në prezencën e tij ndërkohë që e ke mundësinë për ta këshilluar atë veçmas.

3. Këshillimi i udhëheqësit veçmas – dmth këshillimi ndodh midis udhëheqësit dhe këshilluesit – pastaj këshilluesi largohet dhe e përhap mes njerëzve atë që ndodhi mes atij dhe udhëheqësit.

4. Kritikimi i udhëheqësit kur ai nuk është i pranishëm nëpër mbledhjet, ligjëratat, hytbet dhe mësimet.

 

Sa i përket mënyrës së parë së këshillimit të udhëheqësit, ajo ndodh atëherë kur këshilla i jepet udhëheqësit veçmas. Kjo është një nga bazat e menhexhit të Selefëve që e kanë kundërshtuar njerëzit e epsheve dhe bidateve siç ishin Khauarixhët etj. Kjo mbështetet në transmetimin e I’jadit (radij-Allahu ‘anhu) se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Kush dëshiron ta këshillojë sulltanin për ndonjë çështje, mos ta këshillojë atë hapur por le ta marrë për dore dhe të veçohen nga të tjerët. Nëse ai ia pranon këshillën, atëherë ai është në rregull, por nëse nuk e pranon këshillën, atëherë këshilluesi e ka përmbushur detyrën e tij.” [Transmetuar nga Ahmedi në Musnedin e tij, Ibn Ebi ‘Asim në es-Sunneh dhe është saktësuar nga el-Albani rahimehullah]

Transmetohet nga Shekijk rahimehullah se Usame bin Zejdit (radij-Allahu ‘anhuma) i kanë thënë: “A nuk do hysh tek ‘Uthmani e të flasësh me të?” Ai ia ktheu: “Mos ti mendon se unë nuk i flas atij ngaqë nuk më ke dëgjuar (duke i folur atij)? Pasha Allahun, unë i kam folur atij veçmas ndërmjet meje dhe atij pa hapur ndonjë çështje të cilën nuk dua kurrë që jem unë i pari që do ta hap.” [Transmetuar nga Bukhari (n. 3267)]

Në këtë transmetim shohim se këshilla e dhënë në publik është një çështje e keqe që shkakton trazira. Gjithashtu shohim se dhënia e këshillës veçmas është pikënisja e përsosjes së këshillës pa shkaktuar trazira.


Sa i përket mënyrës së dytë të këshillimit të udhëheqësit në publik kur ai është i pranishëm, ndërkohë që ekziston mundësia që ta këshillosh atë veçmas, kjo është publikim i gabimeve të tij dhe nuk është këshillë. Kjo është e ndaluar për disa arsye:

1. Kjo kundërshton hadithin e I’jad bin Ganem (radij-Allahu ‘anhu).

2. Kjo kundërshton transmetimet e Selefëve dhe menhexhin e tyre, siç e pamë në transmetimin e Usame bin Zejdit (radij-Allahu ‘anhuma).

3. Kjo kundërshton thënien e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Kush poshtëron udhëheqësin që ka lënë Allahu në tokë, Allahu ka për ta poshtëruar.” [Transmetuar nga Tirmidhiu dhe është saktësuar nga Imam el-Albani rahimehullah]


Sa i përket mënyrës së tretë, që është këshillimi i udhëheqësit veçmas, d.m.th. midis këshilluesit dhe udhëheqësit, e më pas këshilluesi e përhap mes njerëzve atë që diskutuan, kjo është e ndaluar për disa arsye:

1. Kjo mënyrë kundërshton hadithin e I’jad bin Ganem (radij-Allahu ‘anhu), ngase qëllimi i këshillimit është që njerëzit të mos e marrin vesh se çfarë u diskutua në takim, pasi nga kjo gjë mund të ketë pasoja të këqia.

2. Kjo mënyrë mund të të çojë në syefaqësi (er-Rija) dhe është shenjë e dobësisë së sinqeritetit të atij që jep këshillën.

3. Kjo mënyrë shkakton trazira, kaos dhe përçarje në Xhematin e Muslimanëve.

4. Kjo mënyrë këshillimi është poshtëruese për udhëheqësit, prandaj ajo bie në kundërshtim me thënien e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e cila u përmend më parë.


Sa i përket mënyrës së fundit, që është këshillimi i udhëheqësve kur ai nuk është i pranishëm nëpër mbledhjet, ligjëratat, hytbet dhe mësimet, kjo poashtu është e ndaluar për arsyet e mëposhtme:

1. Ajo konsiderohet si mënyrë e përhapjes së të keqes. Allahu ka thënë:

إِنَّ ٱلَّذِينَ يُحِبُّونَ أَن تَشِيعَ ٱلۡفَـٰحِشَةُ فِى ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ لَهُمۡ عَذَابٌ أَلِيمٌ۬ فِى ٱلدُّنۡيَا وَٱلۡأَخِرَةِ‌ۚ وَٱللَّهُ يَعۡلَمُ وَأَنتُمۡ لَا تَعۡلَمُون

Ata që duan të përhapin gjëra të turpshme mes besimtarëve i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.” [en-Nur, 19]

2. Ajo konsiderohet gibet (përgojim). Allahu ka thënë:

وَلَا يَغۡتَب بَّعۡضُكُم بَعۡضًا‌ۚ

Dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin.” [el-Huxhurat, 12]

Është transmetuar nga Ebi Hurejra (radij-Allahu ‘anhu) se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “A e dini se çfarë gibeti?” Sahabët (radij-Allahu ‘anhum) thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Është të përmendurit e diçkaje nga vëllai yt të cilët ai e urren.” Dikush i tha: “Po nëse ajo që them për të është e vërtetë?” Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Nëse ajo që thua është e vërtetë, atëherë ti e ke përgojuar atë, e nëse nuk është e vërtetë, atëherë ti ke shpifur për të.” [Transmetuar nga Muslimi n. 2579]

3. Ajo kundërshton hadithin e I’jad bin Ganem (radij-Allahu ‘anhu).

4. Ajo kundërshton udhëzimin e të Parëve të Mirë (es-Selefus-Salih) se si duhet të jepet këshilla.

5. Ajo është poshtërim i udhëheqësit, gjë që është e ndaluar, siç u përmend edhe më lart.

6. Ajo të shpie drejt gjakderdhjes dhe vrasjes.

 

 

Përktheu Alban Malaj