Autor: Shejkh Muhammed Ibën Salih el-‘Uthejmin
Burimi: Kaseta e parë me shpjegimin e kapitullit të Xhihadit, nga libri Bulugul-Meram
Ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -:
إذا أمرتكم بأمر فأتوا ما استطعتم
“Nëse u jap ndonjë urdhër, bëjeni atë sa të keni mundësi.”
Kjo është e përgjithshme për çdo urdhër, sepse fjala e tij “emr” (urdhër) është në trajtën e pashquar, në kontekstin e kushtëzimit, kështu që ajo është e përgjithshme, qoftë urdhër për adhurime apo për xhihad apo për të tjera veç tyre.
Kurse në realitet: Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kur ishte në Mekkeh i thërriste njerëzit në Teuhidin e Allahut dhe në namaz, dhe ndenji kështu trembëdhjetë vjet dhe nuk i urdhëroi ata që të bënin xhihad, ndonëse ai – ‘alejhis-salatu ues-selam – me pasuesit e tij torturoheshin tej mase dhe ndonëse urdhëresat apo ngarkesat për ta ishin të pakta. Shumica e shtyllave të Islamit u urdhëruan në Medine, mirëpo a u urdhëruan që të luftonin? Jo. Pse? Sepse ata nuk kishin mundësi, ata kishin frikë për vetet e tyre.
Me të vërtetë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – doli nga Mekka i frikësuar për veten e tij, dhe kjo është e njohur, prandaj Allahu nuk e bëri detyrë luftimin. Dhe kur Umeti Islamik u bë me shtetin e tij dhe u bë me fuqi, Ai i urdhëroi ata që të luftonin:
أُذِنَ لِلَّذِينَ يُقَاتَلُونَ بِأَنَّهُمْ ظُلِمُوا ۚ وَإِنَّ اللَّـهَ عَلَىٰ نَصْرِهِمْ لَقَدِيرٌ ﴿٣٩﴾
“U lejuan ata (besimtarët) që të luftojnë (pabesimtarët) të cilët po i luftojnë, sepse atyre (besimtarëve) po u bëhet zullum. Dhe padyshim që Allahu është i Plotëfuqishëm që t’i ndihmojë ata.” [el-Haxh, 39]
Dhe bazuar në këtë që u tha, nëse dikush na thotë: “Pse nuk e luftojmë Amerikën, Rusinë, Francën dhe Anglinë? Pse?” Themi: Për shkak të mospatjes së forcës. Armët të cilat kanë skaduar tek ata, janë ato që i kemi ne sot në vendin tonë. Dhe këto armë në krahasim me armët që disponojnë ata sot, janë sikur të vësh thikat dhe ndezëset e zjarrit përpara raketave. Ato s’vlejnë asgjë. Atëherë si mund t’i luftojmë ne ata? Prandaj unë them se është prej idiotësisë që dikush të thotë se ne e kemi obligim luftimin e Amerikës, Francës, Anglisë dhe Rusisë! Si t’i luftojmë? Këtë e hedh poshtë Urtësia e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le – dhe e hedh poshtë Sheriati i Tij. Mirëpo, obligimi që kemi ne është që të bëjmë atë që na ka urdhëruar Allahu – ‘ Azze ue Xhel-le –:
وَأَعِدُّوا لَهُم مَّا اسْتَطَعْتُم مِّن قُوَّةٍ
“Andaj përgatituni me fuqi kundër tyre sa të mundni …” [el-Enfal, 60]
Ky është obligmi që kemi ne: që të përgatitemi me fuqi kundër tyre sa të kemi mundësi, dhe fuqia më e rëndësishme është fuqia e Imanit dhe e Takuas (frikës ndaj Allahut, devotshmërisë). Imani dhe Takuaja është fuqia, sepse me Imanin dhe Takuanë ne do të mposhtim epshet tona dhe do të mposhtim ngadalësimin tonë dhe amullinë tonë, si dhe do të mposhtim dashurinë që kemi për dunjanë, sepse ne sot e duam dunjanë dhe e urrejmë vdekjen.
Sahabët që ishin muxhahidinë – radij-Allahu ‘anhum – ishin në një gjendje krejt ndryshe nga gjendja jonë. Ata e donin vdekjen dhe e urrenin jetën në poshtërim. Prandaj, detyra është që të përgatitemi me fuqi, dhe i pari vjen Imani dhe Takuaja, pastaj armatosja. Ai që i mësoi ata, a nuk na mëson edhe neve? Posi jo! Ai na mëson edhe neve, porse ne nuk luajmë vendit. Pastaj, në realitet, sikur ne të luanim nga vendi, do na i kishin shtypur kokat, ne s’kemi mundësi. Nuk është e nevojshme që t’ju tregojmë konkretisht që ata nëse shohin ndonjë shtet që ka mundësi që të fuqizohet në armatim, ata ia bëjnë gjëmën, gjë të cilën ju e dini shumë mirë.
Unë them: se obligimi që kemi sot është që të përgatitemi me Iman dhe Takua dhe që të derdhim mundin, kurse atë që s’kemi mundësi ta bëjmë, s’jemi të ngarkuar që ta bëjmë. Dhe duhet të kërkojmë ndihmën e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le – kundër atyre armiqve.
Dhe ne e dimë që Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – po të dojë na jep fitoren kundër atyre, sikurse ka thënë i Lartësuari:
وَلَوْ يَشَاء اللَّهُ لانتَصَرَ مِنْهُمْ وَلَكِن لِّيَبْلُوَ بَعْضَكُم بِبَعْضٍ وَالَّذِينَ قُتِلُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَلَن يُضِلَّ أَعْمَالَهُمْ
“Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njërit-tjetrin. Ai nuk ua humb veprat atyre që vdesin në rrugën e Allahut.” [Muhammed, 4]
Përktheu: Alban Malaj