Bismilah...

Burimi: Sherhu Bulugil-Meram (i Hafidh Ibën Haxherit) 05/07/1429 h.

 

Transmetohet nga Aisheja, radijAllahu anha, se kur njëri kërkoi leje nga Profeti që të marrë pjesë në betejën e Bedrit, ai i tha: “Kthehu! Unë nuk kërkoj ndihmë nga një mushrik!” Transmeton Muslimi (1817).

­­­­______________________

Shpjegimi i Shejkh Feuzanit

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.

Të gjitha falënderimet janë për Allahun, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Profetin tonë, për pasuesit dhe për të gjithë shokët e tij.

Ky hadith flet rreth temës së kërkimit të ndihmës nga pabesimtarët në xhihad. Hadithi flet për rastin kur një njeri nga idhujtarët erdhi te Profeti kur ai ishte nisur për të luftuar në betejën e Bedrit dhe ky idhujtar deshi që të luftonte përkrah Muslimanëve, me qëllim që edhe ai të fitonte ndonjë gjë nga plaçka e luftës. Atëherë, Profeti i tha: “Kthehu! Unë nuk kërkoj ndihmë nga një mushrik!” Kjo është argument se nuk u lejohet Muslimanëve që të kërkojnë ndihmë nga pabesimtarët në xhihad. Ky idhujtar njihej për trimëri dhe fuqi. Sahabët u gëzuan kur e panë atë, porse i Dërguari e ktheu mbrapsht atë. Kjo tregon se nuk u lejohet Muslimanëve që të kërkojnë ndihmë nga pabesimtarët në luftë.

Por ekzistojnë argumente të tjera që tregojnë të kundërtën e kësaj, të cilat argumente thonë se Muslimanëve u lejohet që të kërkojnë ndihmë nga pabesimtarët në luftë. Një ndër këto argumente është se Profeti emigroi në Medine dhe aty kishte Jehudë me të cilët Profeti bëri marrëveshje që ata të kenë siguri, dhe të qëndrojnë në shtetin e tij (Profetit ), porse me një kusht: që të luftojnë përkrah Muslimanëve nëse dikush do ta sulmonte Medinen.

Gjithashtu, argument tjetër për këtë është se kur ai   ishte nisur për të luftuar fisin Hauzim në betejën e Hunejnit, përkrah tij dolën edhe disa banorë të Mekkes të cilët ishin pabesimtarë, siç ishte Safuan Ibën Umejjeh i cili ende nuk e kishte përqafuar Islamin, si dhe njerëz të tjerë nga Mekka që ishin pabesimtarë. Këta dolën për të luftuar në anën e Profetit dhe ai huazoi nga ata disa parzmore. Huazimi i këtyre parzmoreve është argument se lejohet kërkimi i ndihmës nga pabesimtarët. Duke u bazuar në këtë, një grup dijetarësh janë të mendimit se lejohet të kërkosh ndihmë nga pabesimtarët nëse Muslimanët kanë nevojë për ndihmë. Këta dijetarë që kanë këtë mendim në lidhje me këtë hadith të kësaj teme, hadithin e Aishes, janë kundërpërgjigjur duke thënë: “I Dërguari nuk e pranoi ndihmën e këtij pabesimtari me qëllim që ai të hynte në Islam. Si rrjedhojë e kësaj, ky pabesimtar e pranoi Islamin dhe u nis për në luftë përkrah Muslimanëve. Pra, i Dërguari e refuzoi për një qëllim të caktuar, që ai të hynte në Islam.”

Po ashtu, ka dijetarë që kanë thënë se hadithi i Aishes është i shfuqizuar nga hadithet që kanë ardhur për betejën e Hunejnit dhe të tjerave, të cilat tregojnë se lejohet të kërkohet ndihmë nga pabesimtarët nëse Muslimanët janë të nevojshëm për një gjë të tillë. Ky është mendimi i saktë të cilin e kanë përzgjedhur Ibën Kajjimi dhe dijetarë të tjerë.

💠 Shënim i përkthyesit:

Shejkh Feuzan, Allahu e ruajttë, thotë gjithashtu në lidhje me këtë temë të të njëjtit hadith që e ka shtjelluar:

“Kjo çështje, pra çështja e kërkimit të ndihmës nga mushrikët, siç ndodhi me rastin e pushtimit të Gjirit Arabik nga ana e Irakut që ka ndodhur para disa viteve. Kjo ndihmë ndodhi kur Iraku pushtoi shtetet e Gjirit para disa viteve, siç e dini. Disa shtete të kufrit shprehën dëshirë që të luftonin bashkë me Muslimanët. Kështu, kjo çështje u studiua dhe u shqyrtua thellësisht nga dijetarët të cilët deklaruan se lejohet kërkimi i ndihmës nga mushrikët për gjendjen në fjalë, sepse armiku (Sadam Husejni) ishte më i fortë se ato (shtetet e Gjirit) dhe se këto shtete nuk i bënin dot ballë atij vetëm se me ndihmën e mushrikëve, sepse ata kishin armatim dhe fuqi. Kështu, dijetarët e lejuan kërkimin e ndihmës nga mushrikët në luftën kundër këtij armiku qafir dhe ateist. Falë Allahut, rezultati ishte pozitiv. Allahu e mposhti këtë armik dhe ata kufarët prej të cilëve kërkuan ndihmë, u kthyen në vendin e tyre kur mbaroi ky operacion. Kështu, kjo fetva qe e dobishme, falë Allahut.”

Burimi: Sherhu Bulug el-Meram, vëll. 5/fq. 357, botimi i parë, viti 2006/1427

 

Përktheu: Jeton Shasivari