Bismilah...

Shpjeguar nga Shejkh ‘Ubejd Ibn ‘Abdullah el-Xhabiri 


 

Menstruacionet (Hajd) në aspektin gjuhësor nënkuptojnë rrjedhjen e lëngut apo rrjedhjen e çfarëdolloj lëngu. Nëse thuhet se lugina është “Hajd”, kjo do të thotë se në të ka rrjedhur uji ose ajo është mbushur me ujë nga shiu etj.

Për sa i përket përkufizimit Sheriatik, Hajd është gjaku natyral që rrjedh nga mitra e gruas gjatë ditëve që njihen për fillimin dhe mbarimin e rrjedhjes së gjakut. Poashtu, gjaku i menstruacioneve ka një shenjë që njihet nga gratë, siç ka thënë i Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Gjaku i menstruacioneve është i zi dhe ai njihet.” Dhe siç ka ardhur në një transmetim tjetër: “Ai njihet nga gratë.” Pra, ato janë të afta që ta dallojnë atë.

Përpara se të fillojmë leximin e haditheve të kapitullit, duhet medoemos të përmenden çështjet dhe rregullat parësore nëpërmjet të cilave mund të kuptohet kapitulli [nga ata që janë të pranishëm në Xhami në Birmingem apo nga ata që po e ndjekin mësimin nëpërmjet internetit].

Çështja e parë konsiston në kategor itë e grave në lidhje me Hajdin dhe Istihadan. Duhet të dini se gratë në këtë pikë janë dy llojëshe:

El-Mu’tadeh Selimeh (gruaja që ka menstruacione të rregullata dhe nuk vuan nga rrjedhje anormale e gjakut). Ajo është gruaja e cila ka një periudhë që e di kur fillon e kur mbaron. Allahu e ka ruajtur atë nga çdo gjë që mund t’i shkaktojë probleme në dallimin e periudhës së fillimit dhe mbarimit të menstruacioneve.

El-Mustehadah el-Mu’tadeh (gruaja që vuan nga rrjedhje anormale e gjakut). Ajo është gruaja e cila ka menstruacione të rregullta të cilat ajo i njeh (fillimin dhe mbarimin e tyre), pastaj ajo has disa probleme (në ciklin e rregullt të menstruacioneve që ajo njeh dhe kështu ndryshon gjendja e saj normale).

Këto gra (që vuajnë nga ç’rregullime në ciklin menstrual) janë tre llojëshe:

 

Lloji i parë është gruaja e cila ka menstruacione të rregullta të cilat ajo i njeh (se kur fillojnë dhe kur mbarojnë), pastaj del ky gjaku i dytë, (zakonisht) nga fundi i menstruacioneve të saj. Ajo quhet el-Mustehadah el-Mu’tedah. Ajo quhet mustehadahnga fakti që ajo është prekur nga kjo sëmundje (e istihadas, d.m.th. nga rrjedhja e çrregullt e gjakut). Ndërsa (në të njëjtën kohë) ajo quhet mu’teadeh (d.m.th. grua e cila ka një cikël menstrual fiks) për shkak se ajo kishte një periudhë të cilën ajo e njihte (përpara se të vinte kjo gjendje).

Kur kësaj gruaje i mbaron adeti (d.m.th. cikli i saj i rregullt), ajo merr gusl dhe agjëron, falet dhe i lejohet burrit të saj të kryejë marrëdhënie me të, pra nuk ka problem. Poashtu, ajo mund të bëjë tauaf rreth Qabes. Kjo për shkak se ajo që shtohet në ciklin e saj të zakonshëm konsiderohet istihadah dhe nuk e ndalon atë nga asgjë (d.m.th. nuk e ndalon atë nga agjërimi, namazi, tauafi dhe marrëdhëniet me burrin e saj).

 

Lloji i dytë është ajo që quhet el-Mustehadah el-Mumejjizeh (gruaja që vuan nga rrjedhje anormale e gjakut, mirëpo ajo është e aftë që të bëjë dallim midis kësaj rrjedhjeje dhe menstruacioneve). Kjo është një grua e cila ka një cikël fiks që ajo e njeh. Ajo e di fillimin dhe mbarimin e tij, e njeh ngjyrën (d.m.th. e dallon ngjyrën e gjakut të menstruacioneve) por ajo është prekur nga sëmundja e istihadas dhe kështu kjo sëmundje është lidhur me menstruacionet e saj. Por ajo është e aftë që të dallojë midis këtyre dy gjakrave (për shkak të ngjyrës së ndryshme që kanë ato).

Kështu, kur ajo e njeh gjakun që është i menstruacioneve, atëherë ajo qëndron larg namazit dhe agjërimit dhe burri i saj nuk duhet të kryejë marrëdhënie me të. Ajo duhet të qëndrojë larg nga çdo gjë që kërkon pastrim (tahera) nga ana e saj. Dhe kur ajo e shikon ngjyrën e gjakut tjetër (duke e ditur që gjaku i menstruacioneve ka mbaruar), ajo merr gusl dhe falet, agjëron dhe burri i saj mund të kryejë marrëdhënie me të. Ajo quhet mumejjizeh apo gruaja që është e aftë të dallojë, nga fakti që ajo i njeh dy ngjyrat e ndryshme të dy lloj gjakrave dhe ajo është e aftë të bëjë dallim midis tyre (d.m.th. midis gjakut të menstruacioneve dhe gjakut të istihadas). Prandaj ajo quhetmustehadah el-mumejjizeh.

 

Lloji i tretë është ajo grua që quhet el-Mustehadah el-Mutehajjirah (gruaja që ka rrjedhje anormale të gjakut dhe që nuk është e aftë të bëjë dallim midis këtij gjaku dhe gjakut të menstruacioneve). Mutehajjirah do të thotë të jesh e çoroditur, nga fakti që çështja është pështjelluar dhe është e paqartë dhe ajo nuk është e aftë të bëjë dallim midis dy gjakrave për shkak se të dy rrjedhin vazhdimisht gjatë gjithë muajit apo gjatë gjithë vitit (madje)! Ajo quhet Mutehajjirah (e çoroditur) për shkak se ajo nuk është e aftë të bëjë dallim midis gjakut të menstruacioneve dhe gjakut të istihadas; ndonjëherë është kështu e ndonjëherë është ashtu. Ose për shkak se ajo e ka harruar ciklin e saj të rregullt të menstruacioneve.

Kështu që, gjykimi për këtë grua është se ajo qëndron larg dhe e braktis namazin dhe poashtu agjërimin për 6 apo 7 ditë të muajit, që është periudha e zakonshme që zgjasin menstruacionet e shumicës së grave në vendin e saj. [Pra këto 6 apo 7 ditë konsiderohen ditët e menstruacioneve të saj.] Kur këto 6 apo 7 ditë mbarojnë, atëherë ajo merr gusl dhe falet, agjëron dhe merr abdes për çdo namaz në kohën kur fillon namazi. Nëse asaj i vështirësohet çështja, atëherë ajo bashkon namazin e drekës (dhuhr) me namazin e ikindisë (asr) në fillimin e kohës së ikindisë; dhe bashkon namazin e akshamit (magrib) me namazin e jacisë (ishaa) në fillimin e kohës së jacisë. Nëse ajo banon në vendin e saj, atëherë ajo nuk e shkurton namazin por fal rekate të plota, por nëse është në udhëtim, ajo e shkurton namazin ashtu siç e shkurton udhëtari.

Rregulli i dytë (që lidhet me këtë temën më të rëndësishme) është ndryshimi midis menstruacioneve dhe istihadas (gjakderdhjes së çrregullt mbas menstruacioneve). Është detyrë për çdo Musliman dhe Muslimane, sidomos për gratë, që ato të mësojnë ndryshimet midis hajdit dhe istihadas. Në veçanti gratë, sepse ato kanë më shumë nevojë. Mundet që disa gra nuk arrijnë të kontaktojnë me njerëzit e dijes, prandaj ato e kthejnë çështjen e tyre tek burrat e tyre apo tek kujdestari që ata t’u tregojnë gjykimin përkatës. Kështu që, është detyrë për burrat dhe kujdestarët që edhe ata poashtu të kenë njohuri rrreth atyre gjykimeve, që gratë e tyre të mjaftohen me ta dhe të mos kontaktojnë me njerëzit e dijes.

Ndryshimi i parë midis hajdit (menstruacioneve) dhe istihadas është se menstruacionet janë gjak që vjen në mënyrë të natyrshme. Prandaj menstruacionet quhen periudha mujore. Ndërsa gjaku i istihadas është diçka që ndodh në mënyrë të çrregullt, d.m.th. Allahu nuk e krijoi gruan që ky gjak të jetë normal për të, por ai është sëmundje.

Së dyti, menstruacionet e bëjnë e të domosdoshëm guslin. Kur periudha e gjakderdhjes (së menstruacioneve) mbaron, atëherë gruaja duhet të marrë gusl patjetër. Kurse istihada bën të nevojshme marrjen e abdesit për çdo namaz. Ne përmendëm më herët se nëse kjo është e vështirë për të, atëherë ajo bashkon namazin e drekës me namazin e ikindisë, si dhe bashkon namazin e akshamit me namazin e jacisë. Kur ajo ka ndërmend që të falet, atëherë ajo lan nga trupi apo rrobat e saj pjesët në të cilat ka rënë gjaku. Nuk është e nevojshme që ajo të lajë krejt trupin nëse ka ndopak gjak nga istihada në trupin e saj. Por, e gjithë ajo që duhet të bëjë është të lajë pjesën ku ka rënë gjak në trupin apo në rrobën e saj. Gusli është i nevojshëm vetëm një herë në fund të ciklit të saj mujor.

Ndryshimi i tretë është se menstruacionet e ndalojnë gruan nga kryerja e atyre veprave që kërkojnë tahera (pastrim). Kështu që, ajo nuk është e aftë të falë namazin, të bëh tauaf, të agjërojë apo të kryejë marrëdhënie me burrin e saj. Për këtë arsye gjaku i menstruacioneve quhet si “gjëja e cila të ndalon” ose zakonisht i thuhet “justifikimi”. Quhet “gjëja e cila të ndalon” sepse ajo të ndalon nga kryerja e atyre veprave që kërkojnë tahera (pastrim); dhe është quajtur “justifikimi” sepse gruaja që është me menstruacione është e justifikuar për lënien e atyre veprave të ibadetit që ajo duhet t’i lëjë për shkak se i kanë ardhur menstruacionet. Kurse istihada nuk të ndalon fare nga këto vepra. Kështu, kur cikli i saj mujor ka mbaruar dhe gruaja më mbas ka istihada, atëherë ajo falet, agjëron, burri i saj mund të kryejë marrëdhënie me të nëse do dhe ajo mund të bëj tauaf rreth Qabes nëse është në Haxh apo në Umre.

 

Përktheu Alban Malaj