Autor: Shejkh Mukbil bin Hadi el-Uadi’i
Burimi: “Fetva rreth Gruas Muslimane” fq. 20
Pyetje: Kush janë cilësitë dalluese të gruas Selefije?
Përgjigje: Kjo kërkon një përgjigje të gjerë e të gjatë. Ne do të cekim atë që do na i bëjë të lehtë Allahu – Subhanehu ue Te’ala.
Është cilësia themelore e gruas Muslimane të kapurit fort pas Librit të AllahutSubhanehu ue Te’ala dhe pas Sunetit të të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue alihi ue sel-lem – aq sa të ketë mundësi, sipas kuptimit të Selefus-Salih (të Parët tanë të Mirë). Gjithashtu, është mirë që ajo të bashkëveprojë me Muslimanët në një mënyrë të mirë... e poashtu edhe me mosbesimtarët (komshinjtë apo farefisi). Allahu – Subhanehu ue Te’ala – thotë në Librin e Tij:
وَقُولُوا لِلنَّاسِ حُسْنًا
“...t’u thoni fjalë të mira njerëzve (duke i urdhëruar për mirë dhe duke i ndaluar nga e keqja, si dhe duke u thënë të vërtetën për Muhamedin).” [el-Bekare, 83]
إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُكُمْ أَنْ تُؤَدُّوا الأمَانَاتِ إِلَى أَهْلِهَا
“Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin.” [en-Nisa, 58]
وَإِذَا قُلْتُمْ فَاعْدِلُوا
“Dhe kur të flisni, thoni të vërtetën.” [el-En’am, 152]
Dhe Allahu Subhanehu ue Te’ala thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ بِالْقِسْطِ شُهَدَاءَ لِلَّهِ وَلَوْ عَلَى أَنْفُسِكُمْ
“O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush...” [en-Nisa, 135]
Ajo e ka obligim që t’i përmbahet veshjes Islame dhe të qëndrojë larg atyre veshjeve që e përngjasojnë me armiqtë e Islamit.
Imam Ahmedi ka transmetuar në Musnedin e tij nën autoritetin e ‘Abdullah Ibn ‘Umerit – radij-Allahu ‘anhu – se ai ka thënë: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë: “Ai që i përngjason një populli është prej tyre.”
Dhe Zoti i Lartësuar ka thënë në lidhje me çështjen e veshjes dhe rrobave:
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُلْ لأزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاءِ الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِنْ جَلابِيبِهِنَّ ذَلِكَ أَدْنَى أَنْ يُعْرَفْنَ فَلا يُؤْذَيْنَ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَحِيمًا
“O Pejgamber, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen (si gra të ndershme) e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” [el-Ahzab, 59]
Imam Tirmidhiu ka transmetuar në Xhamiun e tij hadithin e ‘Abdullah Ibn Mes’udit – radij-Allahu ‘anhu – në të cilin ai ka thënë: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue alihi ue sel-lem – ka thënë: “Gruaja është diçka e cila duhet të mbulohet, sepse nëse ajo del nga shtëpia e saj Shejtani e ngre atë (që ta shohin njerëzit).” [1]
Ne e këshillojmë atë që të sillet mirë me burrin e saj nëse ajo kërkon një jetë të lumtur, sepse me të vërtetë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue alihi ue sel-lem – ka thënë: “Nëse një burrë e thërret gruan e tij në shtrat dhe ajo refuzon, melaiket e mallkojnë atë.” [2]
Kurse në Sahihun e Muslimit qëndron: “...dhe ata që janë në qiej janë të zemëruar me të.” [3]
Gjithashtu, ajo duhet të kujdeset për fëmijët e saj sipas normave Islame, pasi është transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi në Sahihët e tyre nga hadithi i Ibn ‘Umerit – radij-Allahu ‘anhu – ku ai ka thënë: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue alihi ue sel-lem – ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e tij, kurse gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse për kopenë e saj.” [4]
Gjithashtu, ka ardhur në dy Sahihët nga hadithi i Mu’kal Ibn Jasir – radij-Allahu ‘anhu – i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue alihi ue sel-lem – ka thënë: “Çdo burrë të cilit Allahu i ka dhënë sundim mbi disa njerëz dhe ai nuk kujdeset për ata me ndershmëri, ai kurrë nuk ka për të nuhatur aromën e Xhenetit.” [5]
Ajo nuk duhet të merret me da’uet përpara edukimit të fëmijëve të saj, sepse është e domosdoshme që ajo të jetë e kënaqur me gjykimin e Allahut për dallueshmërinë e burrit mbi gruan. Allahu – Subhanehu ue Te’ala – thotë:
وَلا تَتَمَنَّوْا مَا فَضَّلَ اللَّهُ بِهِ بَعْضَكُمْ عَلَى بَعْضٍ لِلرِّجَالِ نَصِيبٌ مِمَّا اكْتَسَبُوا وَلِلنِّسَاءِ نَصِيبٌ مِمَّا اكْتَسَبْنَ وَاسْأَلُوا اللَّهَ مِنْ فَضْلِهِ إِنَّ اللَّهَ كَانَ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمًا
“Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” [en-Nisa, 32]
Dhe Ai thotë:
الرِّجَالُ قَوَّامُونَ عَلَى النِّسَاءِ بِمَا فَضَّلَ اللَّهُ بَعْضَهُمْ عَلَى بَعْضٍ وَبِمَا أَنْفَقُوا مِنْ أَمْوَالِهِمْ
“Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” [en-Nisa, 34]
Dhe në dy Sahihët është transmetuar se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue alihi ue sel-lem – ka thënë: “Unë ju urdhëroj që të silleni mirë me gratë tuaja, ngase ato janë krijuar nga brinja dhe pjesa më e lakuar e brinjës është pjesa e sipërme e saj; nëse do përpiqeni ta drejtoni atë keni për ta thyer dhe nëse e lini, ajo do të mbetet e lakuar.” [6]
Duhet që gruaja të tregohet e duruar me caktimin e Allahut që i ka dhënë burrit epërsi mbi atë dhe se kjo nuk do të thotë që ai e ka të nënshtruar atë. I Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue alihi ue sel-lem – ka thënë, siç gjendet në përmbledhjen e Imam Tirmidhiut: “Unë ju urdhëroj që të silleni mirë me gratë tuaja, sepse ato janë robëresha për të cilat ju keni përgjegjësi. Ju nuk keni pushtet tjetër mbi to përveç se në këtë aspekt. Ju keni një të drejtë mbi gratë tuaja dhe gratë tuaja kanë një të drejtë mbi ju. E drejta juaj mbi gratë është që ato të mos lejojnë askënd që të afrohet në shtratin tuaj duke ju hidhëruar juve dhe që të mos lejojnë askënd që ju e urreni që të hyjë në shtëpitë tuaj. Dhe e drejta e tyre mbi ju është që ju të silleni mirë me to duke i furnizuar me veshmbathje dhe ushqim.” [7]
Në Sunene dhe në Musnedin e Imam Ahmedit, nga hadithi i Mu’auije Ibn Hejde, - transmetohet – se një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë të drejte ka gruaja mbi burrin e saj?” Ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue alihi ue sel-lem – tha: “Që ai ta ushqejë atë kur ushqehet vetë, ta veshë atë kur vishet vetë, të mos e godasë në fytyrë dhe të mos e shajë atë si e shëmtuar dhe as mos ta ofendojë.”
E si kuptohet kjo – Allahu ju bekoftë?
Është e domosdoshme që të bashkëpunohet me njëri-tjetrin në mirësi. Burri punon me gruan e tij në një mënyrë Islame, e ndihmon atë në kërkimin e dijes dhe e mbështet në da’uen e saj për tek Allahu. Edhe gruaja punon me burrin e saj në një mënyrë Islame, e ndihmon atë në kërkimin e dijes, e mbështet në da’uen e tij për tek Allahu dhe në mirëmbajtjen e shtëpisë.
Vërtet, Allahu – Subhanehu ue Te’ala – thotë:
وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَى وَلا تَعَاوَنُوا عَلَى الإثْمِ وَالْعُدْوَانِ
“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në ruajtjen nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe shkelje të kufijve!” [el-Ma’ide, 2]
Dhe Allahu e di më së miri.
Fundnotat:
[1] Ky hadith është transmetuar nga Tirmidhiu dhe gjendet në el-Xhami’us-Sahih të Shejkh Mukbilit. Shejkhul-Albani ka deklaruar se ai është sahih në Sahih et-Tirmidhi.
[2] Transmetuar nga Bukhari (n. 5193) dhe Muslimi (n. 122/1436).
[3] Transmetuar nga Muslimi (n. 121/1436).
[4] Transmetuar nga Bukhari (n. 5200) dhe Muslimi (n. 2829).
[5] Transmetuar nga Bukhari (n. 7152) dhe Muslimi (n. 146)
[6] Transmetuar nga Bukhari (n. 5182, 3331) dhe Muslimi (n. 1468)
[7] Transmetuar nga Tirmidhiu (n. 1423), Ibn Maxheh (n. 1101) dhe Shejkhul-Albani, Allahu e mëshiroftë, e ka deklaruar hasen.
Përktheu Alban Malaj