Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed bin Salih el-Uthejmin

Burimi: Nurun ‘ala Derb, kaseta 321, min. 09:55

Pyetje: Ka mbërritur një letër nga Rijadi, dëgjuesja me inicialet H.N pyet dhe thotë në letrën e saj: “Ka mospajtim mendimesh rreth pjesëve që gruaja i zbulon përpara atij që e kërkon për grua dhe prej këtyre mendimeve është se ajo i zbulon vetëm fytyrën, duart dhe qafën e saj. Pra, cili është gjykimi – o Shejkh i nderuar – në qoftë se vajza ia zbulon flokët e saj atij që e propozon për martesë, dhe cila është më e mirë sipas mendimit tuaj?”

Përgjigje: Nuk ka problem që vajza e cila propozohet për martesë të zbulojë nga bukuria e saj atë që ndjell dëshirë për martesë. Pra, ajo i zbulon flokët, fytyrën, duart dhe këmbët (nga kyçi i këmbës e poshtë), porse ajo të mos zbukurohet përpara këtij që e propozon, sepse ajo pastaj nuk do të jetë më gruaja e tij. Ngase në qoftë se ajo zbukurohet dhe zbukuron fytyrën, pastaj bëhet kurorëzimi, (më vonë) burri shikon se ajo nuk është ashtu siç ishte kur e ka parë atë gjatë propozimit. (Si rrjedhojë e kësaj) dëshira e tij për të do të venitet dhe kihet frikë se mund të mbarojë me shkurorëzim, sidomos kur shikimi i propozuesit nuk është sikur shikimi i të martuarit i cili e ka në dorë atë (gruan e tij) dhe i afrohet asaj.

Andaj unë them: i lejohet burrit që kur propozon një grua të shikojë tek ajo atë që ndjell dëshirën për ta martuar atë, siç është fytyra, duart, koka, flokët dhe këmbët, por me një kusht: që ata dy të mos vetmohen. Duhet patjetër që të jetë i pranishëm me të një mahrem, ngaqë vetmia me gruan e huaj është haram, duke u bazuar në fjalën e Pejgamberit – ‘alejhi salatu ue selam:

“Burri nuk vetmohet me një grua vetëm se në praninë e një mahremi.”

Përktheu: Jeton Shasivari