Autor: Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmin
Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, 601
Pyetje: Vuaj nga problemet e shumta sociale për shkak të kokëfortësisë së burrit tim dhe mohimit të së drejtës time. Shkak për këtë është familja e tij, duke u nisur nga kjo burri më detyron që të qëndrojë bashkë me ata dhe ai anon shumë nga familja e tij. Çdo gjë i takon familjes së tij dhe unë nuk kam të drejtë të diskutoj për asnjë çështje. Ky anim është për shkak të babait dhe nënës së tij, duke patur parasysh se nëna e tij është grua që do pushtet mbi tjerët. Atëherë, çfarë më obligohet mua në këtë problem?
Përgjigje: Ti (si nuse) e ke detyrë që të bësh durim dhe të shpresosh në shpërblimin e Allahut – të Plotfuqishëm dhe të Madhëruar – ngase Allahu i Lartësuar është me besimtarët. Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar i ka thënë Pejgamberit të Tij Muhamedit – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij:
فَاصْبِرْ إِنَّ الْعَاقِبَةَ لِلْمُتَّقِينَ
“Bëj durim, sepse pa dyshim, përfundimi i mirë u takon besimtarëve.” Hud, 49
Nëse je e devotshme që u përmbahesh të drejtave të Allahut dhe të drejtave të burrit ashtu siç kërkohet dhe bën durim ndaj ashpërsisë së burrit dhe ashpërsisë së familjes së tij, atëherë dije, se përfundimi i mirë të takon ty. Bëj durim dhe shpreso në shpërblim. Sipas mendimit tim, nëse ti duron dhe shpreson – të mos them me siguri – zemra e burrit tënd dhe e familjes së tij do të zbutet dhe ata do të shikojnë me syrin e mëshirës. Por, nëse ti refuzon dhe kërkon që e drejta jote patjetër të plotësohet dhe gjithmonë e fajëson burrin, gjërat do ngelen ashtu siç janë apo do të përkeqësohen.
Andaj, këshilla ime për ty është që të bësh durim dhe të shpresosh në shpërblimin e Allahut – të Plotfuqishëm e të Madhëruar dhe të besosh se përfundimi i mirë u takon besimtarëve.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari