Bismilah...

Autor: Sulejman bin SelimuLlah er-Ruhajli

 

Prej hakut që ka gruaja te burri i saj, është që ai të mos e urrejë atë për shkak të ndonjë mangësie që ajo ka, sepse mangësia është pjesë e pandashme e njeriut, dhe te gruaja është akoma edhe më e madhe. Madje, është haku i saj tek ai, që cilësitë e saj të mira ai t’i shohë më të mëdha se ç’janë, e nga ana tjetër t’i mbyllë sytë para mangësive të saj. Thotë Allahu - Azze ue Xhel-le -:

﴿فَإِن كَرِهْتُمُوهُنَّ فَعَسَىٰ أَن تَكْرَهُوا شَيْئًا وَيَجْعَلَ اللَّهُ فِيهِ خَيْرًا كَثِيرًا

"E nëse i urreni ato, ndodh që tek ato të urreni diçka, e Allahu ju jep mirësi të shumta." [En-Nisa,19]

Dhe thotë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -:

لَا يَفْرَكْ مُؤْمِنٌ مُؤْمِنَةً إِنْ كَرِهَ مِنْهَا خُلُقًا رَضِيَ مِنْهَا آخَرَ. أَوْ قَالَ: غَيْرَهُ.

“Besimtari nuk duhet ta urrejë besimtaren, e nëse ai urren tek ajo një cilësi, ka cilësi të tjera që atij i pëlqejnë tek ajo”. E transmeton Muslimi.

Domethënë: burri s'duhet ta urrejë gruan e tij për shkak të një mangësie të saj, sepse ajo ka patjetër edhe cilësi të mira. Kështu që, le ta hedhë shikimin në ato cilësi të mira, cilësi të cilat e bëjnë atë që ta dojë dhe ta respektojë gruan e tij. Dhe Allahu mund t’i japë atij mirësi të shumta në to.

Është transmetuar se babai i Imam Malikut u martua me një grua dhe kur e pa atë për herë të pare, nuk i pëlqeu. Ajo grua ishte e devotshme dhe e dëlirë. Dhe kur e pa që ai ishte i pakënaqur, ajo u ul te këmbët e tij e i tha: “Në qoftë se pamja ime nuk të pëlqen, ndoshta Allahu të jep nga unë pasardhës të devotshëm”. Kështu, ai e mbajti atë duke shpresuar shpërblimin e Allahut.

Ajo lindi imam Malikun, i cili e mbushi botën me dije dhe ende njerëzit mësojnë nga dija e tij. Dhe është prej Imanit që ta duash atë. Është prej Imanit që t'i duash imamët e Islamit. Dhe prej tyre është edhe imami i madh, Malik bin Enes. Ne e duam atë dhe me dashurinë që kemi për të i afrohemi Allahut. Ne i duam  imamët e Islamit.

Pra, burri mund të urrejë diçka te gruaja e tij, mirëpo ai duhet t'i heqë sytë dhe mendjen nga difektet e saj dhe duhet të shikojë cilësitë e mira të saj, me të cilat ajo e bën për vete atë.

 

Përktheu: Umm ‘Akil

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org