Bismilah...

Autor: Imam Muhamed Nasirud-Din el-Albanij

Burimi: Silsiletul-Ehadithi es-Sahihah, n. 224 (1/440-445)

 

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit. Lavdërimi dhe bekimi qoftë mbi të Dërguarin e Tij të fundit, Muhamedin, mbi Familjen dhe mbi Shokët e tij.

E më pas:

Për sa i përket hadithit:

“Agjërimi fillon në ditën kur të gjithë ju filloni të agjëroni dhe el-Fitr (Fitër Bajrami) është në ditën kur ju të gjithë e keni përfunduar agjërimin tuaj.” [1]

Tirmidhiu, pasi e përmendi këtë hadithi, tha: “Dhe disa nga njerëzit e dijes e shpjeguan këtë hadith duke thënë se agjërimi dhe mbyllja e tij duhet të bëhen bashkërisht me xhematin dhe shumicën e Muslimanëve.”

San’ani ka thënë: “Në të ka argument që vërteton se duhet pajtimi i njerëzve për vendosjen e Bajramit dhe se ai që është i vetëm me dijen e tij për shikimin e Hënës duhet t’u bashkëngjitet të tjerëve dhe vendimi i tyre për namazin, mbylljen e agjërimit dhe prerjen e kurbaneve bëhet detyrë për të.” [2]

Ibnul-Kajjim – Allahu e mëshiroftë – e shpjegoi këtë duke thënë: “Dhe është thënë (nga njerëzit e dijes) se në të (te hadithi i lartpërmendur) ka refuzim për ata që thonë se personi i cili agjëron mund të agjërojë dhe ta mbyllë agjërimin e tij duke u bazuar mbi përllogaritjet vetjake, ndërkohë që të tjerët nuk janë në dijeni për këtë. Dhe është thënë gjithashtu se nëse një dëshmitar i vetëm shikon Hënën dhe gjykatësi nuk e pranon dëshminë e tij (për arsye të caktuara), atëherë ai vetë nuk fillon të agjërojë duke u mbështetur në të (në shikimin e Hënës) dhe as njerëzit nuk fillojnë të agjërojnë duke u mbështetur në të.” [3]

Ebul-Hasen es-Sindi, pasi përmendi hadithin e Ebu Hurejrës që gjendet në Sunenin e Tirmidhiut, tha: “Dhe ajo çfarë duket nga pamja e jashtme tek ky hadith është se këto çështje nuk u takojnë individëve, nuk bën që njerëzit të veprojnë të vetëm në këto çështje. Por vendimi merret nga imami dhe xhemati i Muslimanëve. Është detyrë për çdo individ që të ndjekë imamin dhe xhematin e Muslimanëve. Kështu që, nëse një person shikon Hënën dhe imami nuk e pranon dëshminë e tij, atëherë ai nuk ka të drejtë të ecë sipas kokës së tij në këto çështje, por duhet të shkojë bashkë me xhematin.” [4]

Unë them (Shejkhul-Albani): Kjo është ajo çfarë kuptohet nga hadithi. Ky kuptim mbështetet nga mënyra se si Aishah e ka përdorur atë (hadithin) si argument kundër Mesrukut kur ai nuk donte të agjëronte në ditën e Arafatit nga frika se mos ajo ishte dita e Bajramit (en-Nahr). Ajo i sqaroi atij se mendimi i tij ishte i parëndësishëm dhe se ai duhej të ndiqte xhematin. Ajo tha: “Dita e Kurban Bajramit (en-Nahr) është dita kur njerëzit presin kurban dhe Dita e Fitër Bajramit (‘Ijd el-Fitr) është dita kur njerëzit e përfundojnë agjërimin e tyre.”

Unë them: Dhe kjo është ajo që përshtatet me Sheriatin e bekuar i cili kërkon që t’i bashkojë njerëzit dhe t’i forcojë radhët e tyre duke i mbajtur larg mendimeve vetjake të cilat e përçajnë bashkimin e tyre. Pra, Sheriati nuk i jep rëndësi mendimit të një individi lidhur me veprat e ibadetit që bëhen në xhemat siç është agjërimi, vendosja e ditës së Bajramit dhe falja me xhemat, qoftë edhe kur personi e shikon se është i saktë.

A nuk e shikon se Sahabët – radijAllahu ‘anhum – faleshin pas njëri-tjetrit, ndërkohë që disa prej tyre mendonin se prekja e gruas apo dalja e gjakut e prish abdesin ndërsa të tjerët nuk e kuptonin ashtu? Dhe disa prej tyre e falnin të gjithë namazin (pa e shkurtuar atë) gjatë udhëtimeve të tyre kurse të tjerët e shkurtonin? Kundërshtimi që kishin ata mes veti për këto çështje nuk i ndaloi ata që të bashkoheshin për t’u falur pas një imami dhe të ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e saj. Kjo për shkak se ata e dinin se ndarja në Fe është më e keqe sesa kundërshtimi lidhur me disa opinione.

Disa prej tyre nuk i morën parasysh opinionet që kundërshtonin qëndrimin e prijësit në tubime të mëdha si ajo në Mina, deri në atë pikë sa ata e braktisnin krejtësisht qëndrimin e tyre në të tilla tubime për të shmangur fitnen që mund të vinte për shkak të veprimit të bazuar në opinionin e tyre.

Ebu Daudi ka transmetuar se Uthmani – radijAllahu anhu – fali katër rekate (duke mos e shkurtuar namazin) në Mina dhe Abdullah Ibn Mes’udi e urreu veprimin e tij duke i thënë: “Kam falur dy rekate pas Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, dy rekate pas Ebu Bekrit, dy rekate pas Umerit dhe kam falur dy rekate pas Uthmanit në fillim të udhëheqjes së tij, por pastaj ai filloi ta plotësojë namazin (duke falur katër rekate) dhe pastaj filluat të keni mospajtime për shkurtimin e namazit apo plotësimin e tij. Unë dëshiroj që të më pranohen vetëm dy nga katër rekatet.”

Pastaj Ibn Mes’udi fali katër rekate!

I thanë: “Ti fajësove Uthmanin dhe pastaj i fale vetë katër rekate?!”

Ai u përgjigj: “Mospajtimi (khilaf) është sherr.” [5]

Edhe Ahmedi e ka treguar këtë transmetim nën autoritetin e Ebu Dherrit – radijAllahu ‘anhu. [6]

Kështu pra, le të mendohen mirë Muslimanët për atë çfarë përmban ky hadith dhe transmetimet e tjera që u përmendën, veçanërisht ata të cilët nuk rreshtin kurrë së kundërshtuari në namazet e tyre, ata që refuzojnë të ndjekin disa imamë të disa xhamive, veçanërisht për namazin e Uitrit në Ramadan, me pretendimin se imami nuk është i medh’hebit të tyre.

Dhe disa nga ata që kanë dije nga astronomia agjërojnë vetëm, madje dhe e mbyllin agjërim vetëm, para apo pas xhematit të Muslimanëve. Ata i kushtojnë kaq shumë rëndësi opinionit dhe dijes që kanë saqë nuk u bën përshtypje fare khuruxhi (kryengritja, rebelimi) i tyre kundër Muslimanëve.

Pra, le të mendohen mirë të gjithë ata për dijen që kaloi, pasi në të mund të gjejnë ilaçin për injorancën dhe mendjemadhësinë e tyre. Le të lidhen me radhët e bashkuara të vëllezërve të tyre Muslimanë ngase Dora e Allahut është mbi Xhematin.

 

Fundnotat:

[1] Sahih Sunen et-Tirmidhi, n. 697.

[2] Subulus-Selam (2/72).

[3] Tahdhibus-Sunen (3/214).

[4] Hashijetus-Sindi ‘ala Ibni Maxheh (Shejkhul-Albani nuk e ka përmendur këtu numrin e faqes).

[5] Sunen Ebi Daud (1/307) me një zinxhir transmetimi të saktë.

[6] Musned Imam Ahmed (5/155).

  

Përktheu: Alban Malaj