Autor: Imam ‘Abdul-‘Azijz bin Baz
Burimi: http://binbaz.org.sa
Pyetje: Kush është qëndrimi i saktë (që duhet të mbajnë) disa vëllezër në lidhje me agjërimin e muajit të Ramadanit kur ka njoftime kontradiktore nga shtete të ndryshme – qofshin shtete Muslimane apo jo-Muslimane – për shikimin e Hënës? Allahu ua shpërbleftë o Shejkh i nderuar.
Përgjigje: Ajo që është e saktë, është që njerëzit e çdo shteti (të agjërojnë) sipas shikimit të tyre (të Hënës); çdo shtet mund të ketë shikimin e vet (të Hënës). Kështu, nëse populli i Egjiptit agjëron sipas shikimit të tyre, dhe njerëzit e Shamit agjërojnë sipas shikimit të tyre, dhe njerëzit e Irakut agjërojnë sipas shikimit të tyre, nuk ka problem në këtë gjë. Megjithatë, nëse është e mundur që të agjërohet sipas një shikimi, atëherë kjo është më e mirë duke u bazuar në thënien e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
“Agjëroni sipas shikimit të Hënës së re (të muajit të Ramadanit) dhe ndërpriteni agjërimin sipas shikimit të Hënës së re (të muajit Sheual).” [Transmetuar nga Muslimi dhe Nesaiu]
Kjo është në përgjithësi për të gjithë Umetin Islam. Kështu që, nëse është e mundur që të agjërohet sipas shikimit të Arabisë Saudite për shembull; ose sipas shikimit të një shteti Islamik që gjykon me Ligjin e Allahut dhe zbaton urdhrat e Allahut (atëherë duhet të veproni kështu). Për arsye se nuk ka problem në agjërim për shkak të pranimit të dëshmisë së dëshmitarëve (që e kanë parë Hënën e re) dhe jo sipas përllogaritjeve (astronomike apo kalendarëve), kjo është më e mirë. Pra, nëse është e mundur që të agjërohet sipas një shikimi, atëherë kjo është më e mirë në bazë të përgjithshmërisë së argumenteve.
Megjithatë, nëse kjo nuk është e mundur për shkak të distancave shumë të largëta mes rajoneve dhe shteteve, atëherë nuk ka problem për popullin e një shteti që të agjërojnë sipas shikimit të tyre (të Hënës). Ky është mendimi më i fortë tek të gjithë njerëzit e dijes. Këshilli i Dijetarëve të Mëdhenj e kanë studiuar këtë çështje dhe kanë nxjerrë përfundimin se nuk ka problem nëse populli i një shteti agjëron sipas shikimit të tyre, nëse nuk është e mundur që të agjërohet sipas një shikimi. Sidoqoftë, nuk lejohet që të agjërohet duke u bazuar në përllogaritje (astronomike); është Uaxhib (obligim) që të agjërohet sipas shikimit të Hënës së re, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Agjëroni sipas shikimit të Hënës së re (të fillimit të muajit të Ramadanit) dhe ndërpriteni agjërimin sipas shikimit të Hënës së re (të fillimit të muajit Sheual). Megjithatë, nëse nuk mundeni (që ta shikoni Hënën e re natën e 29-të) për shkak të reve të dendura, atëherë plotësojeni muajin me 30 ditë.” [Transmetuar nga Muslimi dhe Nesaiu]
Kështu që, nuk lejohet që të mbështetesh në përllogaritjet (astronomike), as për fillimin apo për fundin e Ramadanit, dhe as për përcaktimin e muajit Dhul-Hixheh. Është Uaxhib (obligim) që të veprohet në bazë të shikimit të Hënës së re. Nëse Hëna e re nuk duket për të treguar fillimin e Ramadanit, atëherë Sha’bani plotësohet me 30 ditë. Po ashtu, nëse Hëna e re nuk duket për të treguar fundin e Ramadanit, atëherë Ramadani plotësohet me 30 ditë. Kjo është detyra e të gjithë Muslimanëve kudo qofshin ata.
Përktheu Alban Malaj