Bismilah...

Autor: Shejkh Abdul-‘Aziz bin Baz (1420 h.)

Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalat Mutenui’iah, vëll. 15/ fq.98

 

Nga ‘Abdul-Aziz bin Baz deri tek Shkëlqesia, vëllai i nderuar (me inicialet) ‘A. ‘A. ‘A, Allahu të dhëntë sukses në çdo të mirë. Amin. [1]

Esselamu ‘alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.

E më tej:

Më ka ardhur letra juaj fisnike, me datë 2/9/1390 h., – Allahu ju begatoftë me udhëzimin e Tij – dhe urimet që përmbante letra për hyrjen e muajit të bekuar të Ramazanit, është gjë e mirënjohur nga juaj . Allahu ju uroftë me çdo të mirë! Allahu na pranoftë agjërimin të gjithëve dhe Allahu e ktheftë atë për shumë vite tek ne dhe ju, si dhe te të gjithë Muslimanët, me mirëqenie dhe qëndrueshmërie në fe. Me të vërtetë Ai është Bujari.

Lidhur me atë që tregove se disa të punësuar në Ambasadën Saudite në Pakistan, kanë agjëruar me Mbretërinë (e Arabisë Saudite) dhe disa të tjerë kanë agjëruar bashkë me banoret e shtetit të Pakistanit tre ditë pas (mbarimit të agjërimit) të Mbretërisë. Pyetjen tënde për gjykimin e kësaj çështjeje e kam kuptuar.

Përgjigja për këtë çështje është:

Ajo që është e qartë nga argumentet e Sheriatit është: se çdo njeri që banon në një vend, e ka për detyrë të agjërojë bashkë me banorët e atij vendi, për shkak të fjalës së Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem :

الصَّوْمُ يَوْمَ تَصُومُونَ وَالْفِطْرُ يَوْمَ تُفْطِرُونَ وَالأَضْحَى يَوْمَ تُضَحُّونَ ‏

“Agjërimi është ditën kur ju (bashkë me gjithë njerëzit) agjëroni, dhe përfundimi (i Ramazanit) është ditën kur ju e përfundoni atë, si dhe kurbani është ditën kur ju therni kurbanin.” [2]

Meqë dihet se Sheriati urdhëron për bashkim dhe paralajmëron nga përçarja dhe kundërshtimi, dhe për shkak se shikimet e hënës së re dallojnë nga vendi në vend dhe për këtë janë pajtuar njerëzit e dijes, siç e ka thënë këtë Shejkhul-Islam ibnTejmije – Allahu e mëshiroftë. Andaj, duke u bazuar në këtë, themi: Ata të punësuar në ambasadën e Pakistanit që kanë agjëruar me Pakistanezët, janë më afër qëllimit të vërtetës nga ata që kanë agjëruar me Saudinë, për shkak të distancës midis dy vendeve dhe dallimit të shfaqjes së hënës së re.

Pa dyshim se agjërimi i përbashkët i të gjithë Muslimanëve me shikimin e hënës së re ose plotësimin e numrit të ditëve të agjërimit në cilindo vend, është agjërim që përputhet me argumentet e qarta të Sheriatit. Por, nëse nuk kjo gjë nuk është e mundur, atëherë mendimi më i saktë është ai që përmendëm më lartë.

 

Allahu – i Pastërti nga çdo e metë – është dhënësi i suksesit.

 

Esselamu ‘alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu

Rektori i Universitetit Islamik në Medine

_______________________

[1] Kjo shkresë është lëshuar nga zyra e Shkëlqesisë së tij, kur ishte rektor i Universitetit Islamik (të Medines), me numër 2020, më datë 20.10.1390 H.

[2] Transmeton Tirmidhiu,  nr. 697.

 

Përktheu Jeton Shasivari