Autor: Imam Muhammed Nasirud-din el-Albani (1419 h.)
Burimi: Silsiletul-Huda ue Nur, kaseta 403, minutat 44:51
Pyetësi: Në lidhje me mospajtimet për fillimin e ditës së agjërimit të Ramazanit apo ditën e përfundimit të Ramazanit, ne e dimë se ju thoni që njeriu agjëron bashkë me banorët e vendit të vet?
Shejkh Albani: Ashtu duhet, patjetër!
Pyetësi: Për shembull, ndonjëherë banorët e ndonjë vendi gabojnë në shikimin e hënës së re, saqë dallimi është dy ditë në krahasim me shtetet tjera. Banori i një vendi thotë se e ka parë daljen e hënën së re në këtë ditë, pastaj të gjithë banorët e atij vendi agjërojnë dhe pastaj njëri thotë se e ka parë hënën e re, kështu njerëzit e përfundojnë muajin e Ramazanit.
Shejkh Albani: Para së gjithash, Allahu të bekoftë, daljen e hënës së re që e shikon një person i vetëm, nuk ka peshë dhe vlerë në Sheriatin Islam për shkak të fjalës së tij, alejhi salatu ue selam:
الصوم يوم يصوم الناس و الفطر يوم يفطر الناس
“Agjërimi është dita kur njerëzit fillojnë agjërimin dhe përfundimi i agjërimit është dita kur njerëzit e përfundojnë atë (me pritjen e Bajramit).”
Për këtë arsye, një person i cili e ka parë hënën e re, kurse njerëzit akoma hanë dhe pinë, ky person nuk duhet të agjërojë edhe pse e ka parë hënën e re, sepse duhet t’i bashkëngjitet njerëzve dhe të mos ndahet nga ata dhe të mos i kundërshtojë.
Të gjithë e dinë fjalën e tij, ‘alejhi salatu ue selam:
صوموا لرؤيته و أفطروا لرؤيته
“Agjëroni kur të shikoni daljen e hënës së re dhe mbarojeni agjërimin kur të shikoni daljen e hënës së re.”
Pa dyshim se kjo çështje nuk është gjë individuale të cilën e ka detyrë Muslimani, siç është namazi për shembull. Ti ke mundësi të falesh në shtëpinë tënde apo në dyqanin tënd apo në punëtorinë tënde, e kështu me radhë, por nuk të lejohet ty të agjërosh meqë e ke parë hënën e re, porse ti e ke obligim të agjërosh bashkë me banorët e vendit ku ti jeton.
Pra, kur banorët e vendit fillojnë të agjërojnë, ti fillon të agjërosh bashkë me ta; nëse ata e përfundojnë agjërimin, atëherë edhe ti e përfundon bashkë me ta.
Fjala e tij ﷺ :
صوموا لرؤيته
“Agjëroni kur të shikoni daljen e hënës së re...”
Kjo e folur pa dyshim se u drejtohet të gjithë Muslimanëve. Por me keqardhje të thellë, shumica e qeverive Islame janë qeveri vetëm me emër që nuk kanë realitet, sepse nuk gjykojnë me atë që e ka zbritur Allahu dhe argument për këtë është se çdo shtet agjëron veçmas dhe nuk mbajnë lidhje me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, të gjitha këto qeveri bërtasin dhe ulërijnë për bashkim, por nuk janë besnikë në atë që thonë, sepse gjënë më të thjeshtë s’kanë mundur ta bëjnë bashkë: Festat e Bajrameve, hyrjen e muajit të agjërimit dhe daljen e tij. Ata nuk e bëjnë këtë.
Përderisa popujt e fesë islame nuk mund të bashkohen për të filluar agjërimin dhe për ta përfunduar atë si rrjedhojë e mospajtimeve të qeverive, atëherë në këtë rast çdo shtet apo çdo popull duhet të agjërojë me shikimin e hënës së re në vendin e vet. Por, që banorët e një vendi të ndahen në dy grupe, na mjafton që jemi ndarë në shumë shtete dhe s’na ka mbetur tjetër veçse çdo shtet ta ndajmë edhe në dy grupe.
Fatkeqësisht, kjo po ndodh. Disa njerëz agjërojnë me Saudinë dhe disa njerëz agjërojnë me Sirinë, e kështu me radhë! Kjo nuk duhet të ekzistojë. Ashtu, siç thamë pak më parë në disa përgjigje të mëparshme se, nëse Muslimani bie në mes dy të këqijave, zgjedh të keqen më të vogël.
Andaj, në këtë kohë, që banorët e një vendi të agjërojnë të gjithë bashkërisht, kjo është më mirë sesa të ndahen në mes tyre. Kjo është një e keqe ende më e madhe – nëse kjo shprehje është e saktë nga ana gjuhësore. Por, më mirë është që ky vend të agjërojë me atë vend dhe ky shtet me atë shtetin tjetër, në mënyrë që e gjithë bota Islame të agjërojnë së bashku, të gjithë të kenë një Bajram. Kjo nuk është e mundur dhe për këtë ne shprehim keqardhje të thellë. Megjithatë, Allahu nuk ngarkon asnjë përtej mundësive të veta.
Kështu që, banorët e një vendi sipas mundësisë së tyre, nëse shteti lajmëron për fillimin e agjërimit në një ditë të caktuar, i gjithë populli fillon të agjërojë, edhe në qoftë se ky lajmërim është jo-sheriatik, do të thotë është i pavlefshëm sipas Sheriatit, ngaqë çështja është në dorën e shtetit dhe nuk është në dorën e një individi. Siç është shembulli me ligjet e Sheriatit, nëse ato i marrin përsipër individët, do të ndodhte shkatërrim (fesad) në tokë e në det. Udhëheqësit e shteteve në këtë kohë, nuk i zbatojnë ligjet e Sheriatit. Andaj, a duhet të marrin përsipër individët zbatimin e ligjeve nëse njëri e vret tjetrin, si për shembull: të çohet me të afërmit e tij për ta vrarë vrasësin?! Ky fesad do të shtonte një fesad tjetër.
Për këtë arsye, agjërimi i banorëve të një vendi duhet të jetë i përbashkët, të agjërojnë dhe ta ndërpresin agjërimin dhe nuk lejohet që të ndahen.
Përktheu: Jeton Shasivari