Pyetje: Allahu ju shpërbleftë me të mira. Njëri pyet për agjërimin e atij njeriu që është matufosur nga pleqëria, herë ka logjikë e herë nuk ka? Çfarë obligimi ka?
Përgjigje: O vëllezër! Kjo çështje është shumë e rëndësishme! Ai që është në moshë të thyer, a duhet të agjërojë? Kjo ka disa raste.
E para: Nëse ai mund të agjërojë, atëherë e ka detyrë të agjërojë.
E dyta: Nëse e ka të vështirë të agjërojë për shkak të moshës së thyer, por ende ka logjikë, atëherë ai duhet të ushqejë çdo ditë një të varfër.
E treta: Nëse ai nuk mund të agjërojë, por e ka humbur logjikën. Çfarë do të thotë se e ka humbur logjikën? Ose e ka humbur plotësisht logjikën, saqë nuk jeton më me të tashmen, por jeton me të kaluarën. Kur ky plak e takon djalin e tij, i thotë: “Po ku je o babai im?! Që prej kur s’të kam parë?!” Ky plak flet për delet, devetë... ai jeton me të kaluarën. Nuk ka logjikë për të perceptuar aktualitetin. Ky nuk obligohet me asgjë, as me agjërim, as kompensim me ushqim. Nuk urdhërohet që të bëjë diçka.
E katërta: Nëse ai herë ka logjikë dhe herë nuk ka logjikë, por nuk ka logjikë gjatë gjithë ditës. Pra, nuk ka vetëdije nga mëngjesi e deri në aksham. Ndoshta në mëngjes ka vetëdije, paradite e humb vetëdijen, kurse në drekë i kthehet vetëdija. Në këtë rast themi: ai urdhërohet të agjërojë gjatë kohës që ai ka vetëdije. I thua atij: “O babai im, sot është agjërim.” Përderisa ai ka vetëdije. Por nëse gjatë ditës i humbet vetëdija, s’ka gjë që e lë agjërimin. Nuk i themi atij se duhet ta kompensosh atë ditë apo diçka tjetër. Ai urdhërohet të agjërojë vetëm gjatë kohës kur i kthehet vetëdija. Urdhërohet me butësi gjatë kohës kur ai ka vetëdije, por ai nuk detyrohet me diçka. Nëse ne shohim se ai ha paradite, nuk themi se duhet ta kompensojë atë ditë.
Andaj, kini mendjen o vëllezër! Humbja e logjikës gjatë agjërimit ka dy shkallë.
E para: Nëse ai e humb plotësisht logjikën ose nuk ka logjikë shumicën e kohës. Kjo është njëra shkallë.
E dyta: Nëse ai ka logjikë herë pas here. Pra, ai nuk ka vetëdije gjatë gjithë ditës. Në një pjesë të ditës ka vetëdije, kurse pjesën tjetër të ditës nuk ka vetëdije dhe logjikë. Ne e urdhërojmë atë që të agjërojë në kohën që ka vetëdije dhe nuk e ngarkojmë përtej kësaj.
O vëllezër! Ky gjykim duhet të kuptohet për ata që janë në moshë të thyer, madje edhe për namazin. O vëllezër! Ka njerëz që i mundojnë baballarët e tyre me namaz, ndërsa ata nuk e kanë obligim namazin. Ai nuk ka vetëdije. Në namaz thotë “Allahu Ekber” pastaj shikon anash. Djali i thotë: “Jo! O baba! Falu përsëri!” Ai fillon përsëri “Allahu Ekber” dhe fillon të recitojë “Elhamdulil-lahi...”
Ai nuk ka vetëdije. E ka humbur shumicën e logjikës apo e krejt logjikën, si rrjedhojë e kësaj, ai nuk ngarkohet me detyra sheriatike. Nëse ai herë ka vetëdije dhe herë nuk ka, nëse vjen koha e namazit dhe ai është në vetëdije, atëherë urdhëroje të falë namazin. Thuaj “O baba! Ka hyrë koha e drekës. Fale drekën!” Në kohën që nuk ka vetëdije, nuk urdhërohet të falë namaz. E lus Allahun, të Plotfuqishmin dhe të Madhëruarin, që të pranojë veprat e mia dhe tuajat!
Përktheu: Jeton Shasivari