Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)

Burimi: Mexhmu’u Fetaua, vëll. 19, fq. 187

 

 

Pyetje: Nijeti përfundimtar për ta prishur agjërimin, edhe pse nuk ke ngrënë apo pirë ndonjë gjë, a e prish agjërimin?

Përgjigje: Ajo që është mirënjohur për të gjithë është se agjërimi përbëhet prej dy gjërave: nijeti dhe lënia e gjërave që e prishin agjërimin. Pra, njeriu bën nijet që të agjërojë duke iu afruar me këtë  Allahut – të Plotfuqishëm e të Madhëruar – dhe i lë gjërat që e prishin agjërimin. E nëse personi e ka vendosur përfundimisht për ta prishur agjërimin, atëherë agjërimi i tij është prishur, dhe nëse i ndodh kjo gjë në muajin e Ramazanit, ai e ka detyrë që të mos hajë apo të pijë derisa të perëndojë dielli, sepse çdokush që e prish agjërimin në ramazan pa ndonjë arsye, e ka detyrë që të largohet nga ngrënia dhe pirja deri në perëndimin e diellit dhe e ka detyrë që ta kompensojë atë ditë.

E nëse ai nuk e ka vendosur përfundimisht që ta prish agjërimin porse është në mëdyshje, për këtë çështje dijetarët kanë mospajtime.

[1] Disa dijetarë kanë thënë: agjërimi i tij është i prishur, sepse mëdyshja e mohon vendosmërinë.

[2] Disa dijetarë tjerë kanë thënë: mëdyshja nuk e prish agjërimin, sepse baza është se nijeti ekziston, derisa ta vendosë përfundimisht dhe ta largojë mëdyshjen. Për mua ky është mendimi i saktë për shkak se është më i fortë në argumentim.

Allahu është më i Dituri.

 

Përktheu: Jeton Shasivari