Autor: Abdul-Aziz ibën Baz (1420 h.)
Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalat Muteneu’iah, vëll. 30, fq. 38
Pyetje: Disa imamë në namazin e teravive, i bashkojnë nga katër rekate ose më shumë, me një selam të vetëm, pa mos qëndruar ulur pas dy rekateve (për të dhënë selam) dhe pretendojnë se kjo është prej Sunnetit. A ka bazë në Sheriatin tonë të dëlirë kjo vepër? [1]
Përgjigje: Kjo vepër nuk është e ligjësuar në Sheriat, madje është e urryer ose është haram sipas shumicës së dijetarëve, e kjo për shkak të fjalës së Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
صَلاَةُ اللَّيْلِ مَثْنَى مَثْنَى
“Namazi i natës është dy nga dy (rekate)”. [2]
Janë pajtuar Buhariu dhe Muslimi për saktësinë e këtij hadithi dhe ky është një nga hadithet i Ibën ‘Umerit – radijAllahu anhuma.
Është vërtetuar nga ‘Aisheja – radijAllahu anha – se ka thënë:
كان النبي صلى الله عليه وسلم يصلي من الليل إحدى عشرة ركعة يسلم من كل اثنتين ويوتر بواحدة
“Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – falte njëmbëdhjetë rekate dhe jepte selam pas çdo dy rekateve dhe e falte vitrin një rekat të vetëm”.[3]
Janë pajtuar Buhariu dhe Muslimi për saktësinë e këtij hadithi. Ka shumë hadithe tjera me këtë kuptim.
Kurse hadithi i njohur i ‘Aishes – radijAllahu anha:
النبي صلى الله عليه وسلم كان يصلي من الليل أربعاً فلا تسأل عن حسنهن وطولهن ثم يصلي أربعاً فلا تسأل عن حسنهم وطولهن
“Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – falte natën katër rekate; mos pyet për bukurinë dhe zgjatjen e tyre, pastaj falte katër rekate; mos pyet për bukurinë dhe zgjatjen e tyre.” [4]
Për këtë hadith janë pajtuar Buhariu dhe Muslimi.
Qëllimi i saj është ai jepte selam pas çdo dy rekateve dhe nuk është për qëllim se ai i bënte bashkë katër rekate me një selam të vetëm, për shkak të hadithit të mëparshëm që u përmend dhe për shkak se është vërtetuar nga ai – sal-lAllahu ‘alejhiuesel-lem – se ka thënë:
صَلاَةُ اللَّيْلِ مَثْنَى مَثْنَى
“Namazi i natës është dy nga dy (rekate)”.
Siç u përmend në fillim.
Hadithet e vërtetojnë njëri-tjetrin dhe e shpjegojnë njëri-tjetrin. Pra, Muslimani e ka për detyrë që t’i marrë të gjitha hadithet dhe hadithin që nuk është plotësisht i qartë ta shpjegojë me atë hadith që është i qartë.
Allahu është Dhënësi i suksesit.
Fundnotat:
[1] Kjo është përhapur në revistën “ed-Daueh” nr. 1578, më 21/9/1417 H.
[2] E ka nxjerrë Buhariu në “Librin e Namazit”, kapitulli: “Mbledhja dhe ulja në xhami”, nr. 472. Muslimi në “Libri i namazit të udhëtarëve dhe shkurtimi i tij”, kapitulli: “Namazi i natës është dy nga dy dhe vitri është një rekat në fund të natës”, nr. 749.
[3] E ka nxjerrë Muslimi në “Libri i namazit të udhëtarëve dhe shkurtimi i tij”, kapitulli: “Namazi i natës dhe numri i rekateve të Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem”, nr. 736.
[4] E ka nxjerrë Buhariu në “Libri i Xhumasë”, kapitulli: “Namazit i Pejgamberit natën (kijam)”, nr. 1147. Muslimi në “Libri i namazit të udhëtarëve dhe shkurtimi i tij”, kapitulli: “Namazi i natës dhe numri i rekateve të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem”, nr. 738.
Përktheu: Jeton Shasivari