Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhajli

 

Pyetje: Shejkh i nderuar, tani jemi në këtë fatkeqësi (pandeminë e virusit Korona) dhe po hyjmë në muajin e Ramazanit, dhe të gjithë e kanë zakon që t'i falin Teravitë në xhami, prandaj shumë pyesin se si do bëhet falja e namazit gjatë Ramazanit?

Përgjigje: Bëtë shumë mirë (që e përmendët këtë), Allahu ju begatoftë. Ky muaj është muaji i agjërimit, është muaji i leximit të Kur'anit, është muaji i sadakave, është muaji i namazit të natës. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - përkushtohej shumë në faljen e namazit të natës, më shumë sesa në muajt e tjerë. Ka thënë Pejgamberi - salallahu alejhi ue sel-lem:

مَنْ قَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ

"Kush e kalon Ramazanin duke u falur, me iman e me shpresën tek Allahu, atij do t'i falen gjynahet e kaluara."

Ne po e përjetojmë tani këtë fatkeqësi dhe kemi nevojë që të përkujtojmë disa çështje.

Çështja e parë është: se besimtari kur e bën zakon që të bëjë një vepër të mirë dhe pastaj pengohet nga kryerja e saj për shkak të një pengese, Allahu i shkruan shpërblim njësoj sikur vepra që e bënte përpara kësaj pengese. Të përgëzohen të gjithë ata që e kanë patur për zakon që ta falin namazin e teravive në xhamija, se Allahu do t'ua shkruajë shpërblimin e namazit të natës sikur të jenë falur në xhami. Kështu qëndron çështja. Është e ligjëruar për ne që ta falim namazin e natës në shtëpitë tona dhe më e mira është që ta falim me xhemat me familjen, e nëse secili e fal veç e veç, kjo është e lejuar. Kjo është një çështje e rëndësishme.

Çështja e dytë është: se ajo që kanë për zakon njerëzit që ushqejnë agjëruesit nëpër xhamia, edhe kjo është prej veprave të mira:

مَنْ فَطَّرَ صَائِمًا كَانَ لَهُ مِثْلُ أَجْرِهِ

"Kush ushqen një agjërues, ka të njëjtin shpërblim sikur ai."

Çfarë do të bëjmë këtë vit? Përgjigja për këtë është: që njeriu të japë sadaka me këto para, e nëse i jep iftar një agjëruesi, atëherë kjo është gjë e mirë. Këtë gjë e bën nëpërmjet institucioneve përkatëse, sikur bëhet këtu në Medine që është një iniciativë e mirë, e drejtuar nga Emiri i nderuar i Medines, që kishte slogan për ramazan  "Iftari juaj është tek ne."

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org