Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)

Burimi: esh-Sherhul Mumtië, vëll. 6,  fq. 394

 

Fjala e autorit thotë: "Kush ha duke qenë në dyshim për daljen e agimit, atëherë agjërimi i tij është i saktë.”

Që do të thotë: kush bën diçka që e prish agjërimin duke qenë në mëdyshje se a ka dalë agimi, ky person agjërimin e ka të saktë, sepse Allahu i Lartësuar thotë:

﴿فَالْآنَ بَاشِرُوهُنَّ وَابْتَغُوا مَا كَتَبَ اللَّـهُ لَكُمْ وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَكُمُ الْخَيْطُ الْأَبْيَضُ مِنَ الْخَيْطِ الْأَسْوَدِ مِنَ الْفَجْرِ﴾

“Ndërsa tani afrohuni grave tuaja si dhe kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Po ashtu hani dhe pini derisa të dallohet qartë fija e bardhë (dalja) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës).” [el-Bekareh, 187]

E kundërta e të qartës është: dyshimi dhe hamendësimi. Përderisa nuk na është bërë e qartë se a ka dalë agimi, lejohet që të hamë dhe të pimë, për shkak të fjalës së Allahut të Lartësuar:

﴿رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَا إِن نَّسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا

“O Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë apo gabojmë.” [el-Bekareh, 286]

Ky rast që përmendëm bën pjesë te gabimi.

Po ashtu, për shkak të hadithit të Esmasë, bijës së Ebu Bekrit, radijAllahu anhuma, kur ata bënë iftar duke menduar se dielli ka perënduar, por pastaj e panë se dielli nuk kishte perënduar akoma. [1]

Përderisa kjo vlen për fundin e ditës, atëherë për fillimin e ditës me daljen e agimit është akoma më e arsyeshme, sepse e ka të lejuar që të hajë e të pijë derisa t’i bëhet e qartë se ka dalë agimi.

Kjo çështje ndahet në pesë kategori:

[1] Kur personi është i bindur se agimi ende nuk ka dalë. Për shembull, nëse agimi del në orën pesë (5:00), ndërsa ai ha dhe pi deri në orën katër e gjysmë (4:30), në këtë rast agjërimi i tij është i saktë.

[2] Kur personi është i bindur se ka dalë agimi. Për shembull, nëse ai ha në orën pesë e gjysmë (5:30), kurse agimi ka dalë në orën pesë (5:00), atëherë agjërimi i tij është i pavlefshëm.

[3] Kur personi ha duke patur dyshim se a ka dalë agimi apo jo, por anon më shumë nga mendimi se agimi ende nuk ka dalë, atëherë agjërimi i tij është i saktë.

[4] Kur personi ha dhe pi duke anuar nga mendimi se agimi është duke dalë, agjërimi i tij është i saktë.

[5] Kur personi ha dhe pi duke qenë në mëdyshje dhe duke mos anuar nga asnjëri mendim, atëherë agjërimi i tij është i saktë.

Të gjitha këto që i përmendëm, janë të bazuara në fjalën e të Lartësuarit:

﴿وَاشْرَبُوا حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَكُمُ الْخَيْطُ الْأَبْيَضُ مِنَ الْخَيْطِ الْأَسْوَدِ مِنَ الْفَجْرِ

“Hani dhe pini derisa të dallohet qartë fija e bardhë (dalja) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës).” [el-Bekareh, 187]

 

___________________

[1] E ka nxjerrë Bukhariu, nr. 1959.

 Përktheu: Jeton Shasivari