Autor: Shejkh Muhamed bin Salih el-Uthejmin
Burimi: Fetaua Fadijletish-Shejkh el-Alameh Muhamed Ibën Salih el-Uthejmin fij ez-Zekati ues-Sijami, fq.500
Është pyetur shejkh Uthejmini - Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të -: Një burrë është i sëmurë nga një sëmundje që nuk shërohet dhe nuk ka mundësi të agjërojë, cili është gjykimi për të? Na jepni fetva Allahu ua shpërbleftë me të mira nga ne dhe nga të gjithë muslimanët.
Përgjigje: I sëmuri me sëmundje e cila nuk ka shërim, nuk e ka detyrë agjërimin, ngase ai është i paaftë, por në vend të agjërimit, e ka detyrë që të ushqejë për çdo ditë një nevojtar, në rastin kur i sëmuri e ka arritur moshën e pjekurisë dhe është i shëndoshë mendërisht. Dhe për ushqyerjen ka dy mënyra:
E para: Të përgatisë ushqim, vakt dreke apo darke dhe i fton nevojtarët që të hanë, sipas numrit të ditëve që nuk agjëron, ashtu siç bënte Enes bin Malik - radijAllahu anhu -, kur e kapi pleqëria.
E dyta: T’u shpërndajë grurë apo oriz dhe sasia e këtij ushqimi është një mud grurë apo një mud oriz. Dhe mudi përllogaritet me sa’a-an e Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, dhe mudi i bie të jetë çerek sa’a. Dhe një sa’a e Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, arrinte dy kile e dyzet gramë, kështu mudi i bie të jetë gjysmë kilogram e dhjetë gramë. Pra, personi i ushqen (nevojtarët) me këtë sasi të orizit apo të grurit dhe mund të vendosë edhe mish. [1]
Shënim i përkthyesit:
[1] Dhe ka thënë Shejkh Uthejmini – rahimehullah - në një fetva tjetër:
“Nëse i sëmuri vuan nga sëmundje e cila shpresohet se ka shërim, atëherë ai i plotëson ditët që i kanë kaluar pa agjëruar gjatë sëmundjes së tij. Ndërsa, nëse është i sëmurë nga sëmundje që nuk shpresohet të shërohet, atëherë ushqen për çdo ditë një nevojtar me çerek sa’a me grurë ose gjysmë sa’a me me diçka tjetër përveç grurit. Kurse, nëse atij i thotë mjeku se agjërimi e dëmton gjatë ditëve të verës, atëherë i themi atij: agjëro ditëve të dimrit dhe gjendja e këtij është ndryshe nga gjendja e atij që e dëmton agjërimi gjithmonë. Dhe Allahu e di më së miri.” [http://www.sahab.net/home/?p=370]
Përktheu: Umm ‘ Akil