Bismilah...

 

Autor: Shejkh Abdul-‘Azijz bin Baz

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/13458

 

Pyetje: Jam martuar përpara shtatë vjetëve, nga fundi i shabanit, dhe kam kryer marrëdhënie me gruan në disa nga ditët e Ramadanit nga injoranca ime atë kohë dhe nga shejtani, mallkimi i Allahut qoftë mbi të. Agjërimi më është vështirësuar për shkak se nuk e di numrin e ditëve (që duhet të kompesojë) dhe lirimin e robit poashtu. Kështu që, a më lejohet mua që të blej disa thasë me oriz dhe t’ia japë një shoqate bamirëse si sadaka? Ashtu siç thashë, unë nuk i mbaj mend ditët në të cilat kanë ndodhur marrëdhëniet. A është e saktë ajo që përmenda dhe a konsiderohet ajo kefaret (kompesim) apo ju më udhëzoni për diçka tjetër? Allahu ua shpërbleftë me të mira!

Përgjigje: Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Të gjitha lavdet janë për Allahun. Lavdërimet dhe bekimet  e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, si dhe mbi Familjen e tij, mbi Shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që udhëzohen me udhëzimin e tij. E më pas:

Nuk ka dyshim se muslimani e ka të ndaluar që të bëjë marrëdhënie në Ramadan, gjatë ditës në Ramadan, përkundrazi, e ka detyrë që të largohet nga kjo gjë, ngase marrëdhëniet intime janë prej prishësve të agjërimit. Ashtu siç ai nuk ha dhe nuk pi, ashtu edhe nuk bën marrëdhënie. Dhe nëse ai e vepron këtë gjë, atëherë ai obligohet me tre çështje:

E para: Të bëjë teube tek Allahu Subhanehu ue Te’ala, sepse ai është gjynah dhe teubeja është obligim për çdo gjynah.

E dyta: Ta kompesojë agjërimin e asaj dite në të cilën ka bërë marrëdhënie.

 

E treta: Kefareti (shlyerja) dhe kefareti është me gradë. E para është lirimi i një robi besimtar, e nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet të agjërojë dy muaj rrjesht, e nëse nuk mundet, atëherë ushqen gjashtëdhjetë nevojtarë, për çdo nevojtar nga gjysmë sa’a [1] prej ushqimit të vendit të tij, si gjalp, oriz apo të tjera si këto. Pra, ky është obligimi i atij që bën marrëdhënie me gruan e tij në muajin Ramadan. Dhe agjërmi është obligim për të dy, për burrin dhe për gruan. Ndërsa, nëse ai bën marrëdhënie me të kur ata janë në udhëtim, atëherë kjo është diçka e njohur, se udhëtarit i lejohet që ta prishë agjërimin duke kryer marrëdhënie apo me gjëra të tjera, por nëse bën marrëdhënie dhe ata të dy nuk janë udhëtarë, atëherë e kanë e detyrë që të agjërojnë.

Pra, për të janë obligim këto tre çështje: Teubeja, kompesimi i agjërmit të asaj dite dhe kefareti, dhe ajo (gruaja e tij) vepron njësoj si ai nëse e bën me pëlqimin e saj. Ndërsa, nëse ai e detyron atë me forcë dhe dhunë dhe ajo nuk mundet që ta largojë atë, por e ka detyruar atë, atëherë ajo nuk e ka obligim kefaretin, por vetëm ai.

E nëse secili prej atyre të dyve nuk ka mundësi që të lirojnë një rob dhe që të agjërojnë, atëherë u mjafton që të ushqejnë gjashtëdhjetë nevojtarë, nga tridhjetë sa’a, çdo sa’a për dy persona, nga ushqimi i vendit si: hurma, grurë apo oriz dhe është detyrë që t’u shpërndahet gjashtëdhjetë vetave. E nëse shoqata bamirëse e merr përsipër këtë gjë dhe ua shpërndan gjashtëdhjetë nevojtarëve, atëherë s’prish punë nëse ti i zë besë asaj (shoqatës) dhe ke besim tek ata që e marrin përsipër këtë gjë, e ata ua shpërndajnë atë që ti u jep, gjashtëdhjetë nevojtarëve, atëherë ska problem, nëse nuk ka mundësi që të lirojë një rob dhe që të agjërojë. Dhe gruaja vepron njësoj si ty, sikurse u përmend më herët. E nëse nuk të kujtohen ditët (që duhet të agjërosh), atëherë e ke detyrë të veprosh duke hetuar dhe me përafërsi. Pra, nëse mendon se janë pesë ditë, agjëron pesë ditë, nëse mendon se janë gjashtë, agjëron gjashtë, e kështu vepron që të jesh i sigurtë dhe aty ku anon më shumë. Pra, ajo mjafton dhe: “Frikësojuni Allahut sa të mundeni”.

 

E nëqoftëse ai që kryen marrëdhënie është injorant apo e ka nga harresa, kjo çështje do shqyrtuar. Sa i përket injorancës, ajo s’duhet të merret në konsideratë, ngase ajo çështje (kryerja e marrëdhënieve në Ramadan sh.p.) është e qartë mes muslimanëve dhe nuk është diçka e panjohur. Muslimanët e dinë se agjëruesi nuk bën marrëdhënie me gruan e tij në Ramadan (gjatë ditës sh.p.), prandaj duhet të mos lidhet dhe të mos justifikohet me injorancë, përkundrazi, e ke obligim të veprosh atë që përmendëm. Kurse, sa i përket harresës, mendimi më i saktë është se njeriu është i justifikuar nëse harron, ngase harresa nuk kihet në dorë, porse është diçka që i ndodh njeriut dhe e mbërthen atë dhe nuk është punë zgjedhjeje. Dhe ka thënë ai alejhis-salaatu ues-selaam:

 

من نسي وهو صائم فأكل وشرب فليتم صومه، فإنما أطعمه الله وسقاه

“Kush harron duke qënë i agjërueshëm dhe ha e pi, ta vazhdojë agjërmin e tij, ngase Allahu e ushqeu dhe i dha për të pirë.” Mutefekun alejhi.

 

Kurse Hakimi dhe e të tjerë e kanë transmetuar me fjalët:

 

من أفطر في رمضان ناسياً فلا قضاء عليه ولا كفارة

“Kush e prish agjërimin nga harresa, nuk e ka obligim as kompesimin e agjërimit të asaj dite dhe as kefaretin.”

 

Kështu, ai që harron, është i justifikuar sipas mendimit më të saktë, nëse ai e beson se ka harruar, sepse harresa nuk është në dorën e njeriut.

 

رَبَّنَا لاَ تُؤَاخِذْنَا إِن نَّسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا

“O Zoti ynë, mos na merr në llogari nëse harrojmë apo gabojmë.” [El-Bekare, 286]

 

 

Fundnotë:

[1] Shënim i përkthyesit: Komisioni i Përhershëm për Fetva dhe Hulumtime Shkencore në Arabinë Saudite ka vlerësuar se një “Sa’a” është afërsisht tre kilogram. Shiko: vëll.9, fq.371, pyetja e tretë, nga përmbledhja e parë me fetvatë e Komisionit të Përhershëm.

 

Përktheu: Umm ‘Akil