Bismilah...

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/node/7453

 

Pyetje: Për sa i përket kefaretit të ushqyerjes për agjërimin, për atë që nuk mund ta agjërojë të gjithë muajin, a lejohet që ta japë ushqimin njëherë e mirë për tridhjetë nevojtarë në fillim të muajit, në një ditë të vetme, ose në mes të muajit ose në fund të tij? A lejohet t’u jepet më pak se tridhjetë nevojtarëve?

Përgjigje: Lejohet dhënia e sadakasë për disa ditë nga Ramadani apo për të gjitha ditët për atë që nuk ka mundësi që të agjërojë për shkak të moshës së tij. Kështu, i lejohet atij që ta shlyejë kefaretin për ditët që nuk agjëron, në fillim të muajit dhe i lejohet që ta vonojë shlyerjen e saj në fund të muajit dhe i lejohet që ta shlyejë në mes të muajit, ashtu siç i lejohet që ta shlyejë kefaretin njëherësh dhe lejohet ta shlyejë në ditë të ndryshme. Lejohet t’ua japësh atë tridhjetë nevojtarëve, ashtu siç lejohet t’ua japësh edhe më pak se aq.

Nuk është kusht që numri të jetë tridhjetë, por ua jep atë një grupi nevojtarësh apo të varfërish apo vetëm një të varfëri. Mirëpo, t’i mbledhësh njëherësh nevojtarët për të ngrënë dhe të përgatisësh ushqim që mjafton për tridhjetë ditë apo për aq ditë sa nuk ka agjëruar, të mblidhen nevojtarët, shumica e dijetarëve nuk e lejojnë këtë gjë, sepse ajo që kërkohet është që nevojtari ta posedojë këtë ushqim, nëse do e përdor për të ngrënë, nëse do e shet, e nëse do e përdor për çfarëdo gjëje tjetër. Pra, dhënia e ushqimit të pagatuar është më i dobishëm për përdorim. Ndërsa ushqimi i gatuar nuk i vlen për gjë veçse për të ngrënë. Dhe disa dijetarë të tjerë e kanë lejuar që të gatuajë ushqim për kefaretin dhe të mbledhë nevojtarët, por ashtu siç e përmendëm shumica e dijetarëve janë për moslejimin e kësaj gjëje, ngase nevojtari nuk ka shumë mundësi që të ketë një përfitim të plotë nga kjo gjë, por përfiton vetëm nga ngrënia e tij. Pra, ai është përfitim më i paktë se sa përfitmi nga ushqimi i pagatuar, dhe njeriu duhet jetë i kujdesshëm në çështjet e fesë dhe ibadetit të tij. Dhe nuk lejohet që të jepen para për mosagjërimin e Ramadanit, poashtu edhe për sadakanë e fitrit nuk lejohet të jepen para, ngase Allahu i Lartësuar ka përcaktuar ushqyerjen. Dhe thotë i Lartësuari:

 

وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ

“Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” [El-Bekare, 184]

 

Dhe Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - thotë për sadakanë e fitrit:

 

“Një sa’a grurë, një sa’a elb, një sa’a hurma....” e deri në fund të hadithit. (Sahihul Bukharij, vëll, 2, fq 138, nga hadithi i Umerit - radijAllahu anhu -, dhe në të nuk gjendet fjala një sa’a grurë.)

 

Dhe disa transmetime ka ardhur: “Një sa’a ushqim” (Sahihul Bukharij vëll, 2, fq 138, nga hadithi i Se’id el-Khudrij - radijAllahu anhu -.).

 

Dhe përderisa Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - e ka lidhur me ushqyerjen, atëherë është obligim që t’i përmbahesh asaj. Dirhemët dhe paratë ekzistonin në kohën kur zbriti Sheriati dhe Ligjvënësi ka përmendur ushqyerjen, kështu që, nëse dhënia e parave do të ishte e lejuar, atëherë Ai do ua kishte sqaruar njerëzve dhe vonesa e sqarimit në rast nevoje nuk lejohet.

 

Dhe lejohet që ta çosh sadakanë nga një vend në një vend tjetër të afërt i cili ka më shumë nevojë.

 

 

Përktheu: Umm ‘Akil