Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
O ju njerëz, kijeni frikë Allahun e Lartësuar! Ju kanë kaluar nga ky muaj dhjetë ditët e para dhe ju keni hyrë te dhjetë ditët e mesit. Pastaj, nuk do të qëndroni shumë dhe më pas ju keni për të hyrë në dhjetë ditët e fundit, e më pas përfundon muaji i Ramazanit. Prandaj shikoni çfarë keni përgatitur në këtë muaj nga veprat e mira. Mendoni se çfarë ka kaluar nga ai dhe si do t'i kaloni ato ditë që kanë ngelur prej tij. Mendoni në vetët tuaja. Ai që ka qenë vepërmirë, le të vazhdojë dhe ta përmbushë mirësinë. Ndërsa ai që ka qenë neglizhent dhe i shkujdesur, le të pendohet tek Allahu për çfarë ka kaluar dhe le të korrigjojë atë që ka mbetur, sepse veprat vlerësohen sipas përfundimit.
Prandaj, kini frikë Allahun o robër të Allahut! Ruajeni muajin tuaj, të cilën Allahu e bëri mundësi për ju që të përfitoni prej tij në jetën tuaj, prandaj mos e humbisni! Ai është muaj madhështor, është muaj i agjërimit dhe namazit të natës. Në këtë muaj mbyllen dyert e Zjarrit dhe hapen dyert e Xhenetit, prangosen shejtanët, dhe thuhet: “O kërkues i veprave të mira, hajde bëj vepra të mira! O ti që kërkon të bësh vepra të këqija, ndalu!”
Kjo është për çdo natë, prandaj përgjigjuni thirrësit të Allahut, o robër të Allahut! E mos vazhdoni në shkujdesjen dhe neglizhencën tuaj, sepse jeta është e shkurtër, koha e kufizuar, vepra është e ruajtur dhe ju do të merreni në llogari dhe për të do të shpërbleheni. Imagjinoni se si do të jetë përfundimi juaj dhe përmirësoni veprat tuaja.
Lusim Allahun e Plotfuqishëm dhe të Madhërishëm që të na japë sukses neve dhe juve në këtë muaj dhe në muajt e tjerë të jetës sonë, në fjalët dhe veprat e mira.
Përktheu: Abdullah Beqiri
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org