Autor: Shejkh Muhamed bin Salih el-Uthejmin (1421 h.)
Ramazanin e ka veçuar Allahu me disa veçori, prandaj duhet të lumturohemi e të gëzohemi me ardhjen e tij sepse ai është sezoni i mirësive. Kur është sezoni i tregtisë, a gëzohen tregtarët? Po, gëzohen dhe bëjnë përgatitje e udhëtime për shkak të saj. Kurse tregtia e Ramazanit është më fitimprurëse sesa tregtia e tregtarëve. Thotë Allahu - Azze ue Xhel-le -:
﴿يا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا هَلْ أَدُلُّكُمْ عَلَىٰ تِجَارَةٍ تُنجِيكُم مِّنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ﴾
“O ju që besoni, a t’u tregoj për një tregti, që u shpëton nga një dënim i dhembshëm?” [Es-Saff,10]
UAllahi, kjo po që është tregti! Sepse tregtia në Fe o vëllezërit e mi - kini mendjen te kjo pikë -, tregtia në Fe është tregti në dynja dhe në Ahiret. Kurse tregtia në dynja, në qoftë se nuk është në përputhje me Sheriatin, atëherë ajo është falimentim në dunja e në Ahiret. Mbahuni fort pas tregtisë në Fe!
Ne po presim një sezon madhështor – e ai është muaji Ramazan – të cilin Allahu e ka veçuar me disa veçori, pre tyre janë: se Allahu në këtë muaj zbriti Kur`anin, siç thotë Allahu - Azze ue Xhel-le -:
شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ
“Muaji Ramazan në të cilin zbriti Kur`ani…” [El-Bekare,185]
Zbritja e Kur`anit është mirësi madhështore, e jashtzakonshme, sepse Allahu i Lartësuar ka zbritur shërim për kraharorët.
﴿يَا أَيُّهَا النَّاسُ قَدْ جَاءَتْكُم مَّوْعِظَةٌ مِّن رَّبِّكُمْ وَشِفَاءٌ لِّمَا فِي الصُّدُورِ وَهُدًى وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ قُلْ بِفَضْلِ اللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ ﴾
“O ju njerëz, u ka ardhur juve këshillë nga Zoti juaj dhe shërim për kraharorët tuaj, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Thuaj: (ka ardhur kjo këshillë) me mirësinë dhe mëshirën e Allahut, prandaj le të gëzohen sepse ajo është më e mirë sesa pasuria që ata grumbullojnë.” [Junus, 57-58]
Kur`ani na ka njoftuar për ato që kanë kaluar. Na ka lajmëruar për ato që do të ndodhin mbas nesh. Aty janë gjykimet sheriatike dhe Kur`ani është sqarim për çdo gjë.
Gjithçka është e sqaruar në Kur`an.
SubhanAllah, a është çdo gjë e sqaruar në tridhjetë xhuze? Përgjigja është po, sepse Allahu i Lartësuar thotë:
﴿وَنَزَّلْنَا عَلَيْكَ الْكِتَابَ تِبْيَانًا لِّكُلِّ شَيْءٍ﴾
“Dhe ta zbritëm ty Librin si sqarim për gjithçka.” [En-Nahl, 89]
Çdo gjë gjendet në Kur`an. A jeni dakord me këtë? Po, jemi dakord sepse Ai që thotë: “si sqarim për gjithçka”, është Allahu dhe Fjala e Tij është e drejtë dhe e vërtetë. Mirëpo, dikush mund të thotë: Ku përmendet në Kur`an numri i rekateve të namazit, nuk ka gjë në Kur`an? Dhe shumë gjëra janë të shtjelluara në Sunet (e jo në Kur`an). Themi: Çdo gjë që ka ardhur në Sunet me transmetim të saktë nga Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –, ajo gjendet edhe në Kur`an. Kjo për shkak se Allahu – Azze ue Xhel-le – thotë:
﴿ لَّقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ﴾
“Me të vërtetë që tek i Dërguari i Allahut ju keni shembullin më të mirë.” [El- Ahzab, 21]
Kjo do të thotë që ne duhet ta marrim atë për shembull. Dhe thotë Allahu - Azze ue Xhel-le -:
﴿فَآمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ النَّبِيِّ الْأُمِّيِّ الَّذِي يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَكَلِمَاتِهِ وَاتَّبِعُوهُ﴾
“Kështu, ata besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij – Pejgamberin që as nuk di të lexojë e as të shkruajë, i cili beson Allahun dhe Fjalët e Tij – dhe e pasuan atë.” [El-A’raf, 158]
Pra, çdo ibadet që ka thënë apo vepruar apo që e ka miratuar Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, atëherë ai gjendet në Kur`an.
﴿وَنَزَّلْنَا عَلَيْكَ الْكِتَابَ تِبْيَانًا لِّكُلِّ شَيْءٍ﴾
“Dhe ta zbritëm ty Librin si sqarim për gjithçka.” [En-Nahl, 89]
Përktheu: Umm ‘Akil